Andi Lila e konfirmon: Do të shkoj te Rijeka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2014 | 9:28

Andi Lila e konfirmon: Do të shkoj te Rijeka

Lila dhe Cikalleshi, dy kavajasit kuqeziAndi Lila mund të quhet që tani fut bollist i klubit nënkampion të Kroacisë, HNK Rijeka. Pas lajmit të publikuar të shtunën ekskluzivisht në “Panorama Sport”, ku njoftohej akordi që mbrojtësi i Kombëtares shqiptare kishte arritur me skuadrën kroate, këtë e konfirmoi më pas edhe vetë Lila. “Po, është e vërtetë që kam arritur një marrëveshje me klubin e Rijekës, me 99% besoj se do të firmos”, ka thënë fillimisht kavajasi, i cili prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri, teksa po pushon pranë familjes së tij. Dje lojtari kuqezi ishte i ftuar edhe në festivalin “Kënga ime” në televizionin “Klan”, teksa shpërndau një nga çmimet. Për largimin nga Janina dhe transferimin thuajse të sigurt te Rijeka, por jo vetëm, ja si u shpreh mbrojtësi 28-vjeçar:
Andi, jeni në periudhë pushimi apo keni nisur përgatitjet?
Jam ende në Shqipëri, duke kaluar pushimet pranë familjes time. Tani që ju më kontaktuat (dje ora 13:30), sapo mbarova vrapimet e lehta buzë detit. E bëj çdo ditë për të mbajtur formën, por gjithashtu shpeshherë luaj edhe ndonjë ndeshje minifutbolli me miqtë e mi. Pas disa ditësh do të nis stërvitjen me skuadrën.
Është e vërtetë që keni arritur një akord me klubin kroat, HNK Rijeka?
Po, është e vërtetë. Tashmë nuk ka ndonjë sekret, pasi unë kam rënë dakord në parim me drejtuesit e klubit kroat. Gjithçka po shkon drejt zyrtarizimit dhe mbetet për të hedhur vetëm firmën.
Në janar, klubi i PAS Janinës njoftoi se ju keni rinovuar kontratën për tre vite të tjera. Tashmë keni edhe miratimin e drejtuesve të skuadrës greke për këtë lëvizje?
Unë zyrtarisht jam lojtar i lirë, pasi e kam mbyllur kontratën me PAS Janinën. Klubi grek më kërkoi që të rinovoja në fundvitin e kaluar edhe për tre vite të tjera. Por, unë kam pasur këtë periudhë oferta shumë më të mira dhe vendosa të mos rinovoj për Janinën, ku në fakt kam kaluar tre vite të mrekullueshme.
Kur mendon se do të zyrtarizohet transferimi te Rijeka?
Besoj se me 99% do të nis stërvitjen më 1 korrik.
Kjo ka qenë oferta më bindëse për ju?
Në këtë periudhë kam pasur disa mundësi, por nuk kam dashur të nxitohem. Pas negociatave të shumta, mendoj se klubi kroat është më i duhuri. Kam edhe një variant tjetër shumë të mirë, që nuk dua ta publikoj për efekt tratative, por, gjithsesi, sipas të gjitha gjasave, skuadra ime e re do të jetë Rijeka.
Meqë jemi në kulmin e kampionatit Botëror. Për cilën kombëtare bëni tifo?
Të them të drejtën bëj tifo për Italinë, por më pëlqen edhe Kombëtarja e Portugalisë. Gjithsesi, këtë Botëror mbështes Greqinë, pasi kam disa shokë në këtë skuadër. Gjatë këtyre tre viteve që luaj te Janina, me disa prej tyre jam përballur.

Te kroatët kanë luajtur Shkëmbi dhe Jupi
Andi Lila nuk është i vetmi shqiptar që vesh fanellën e Rijekës. Në të kaluarën, me skuadrën kroate janë aktivizuar dy emra të njohur të futbollit shqiptar që kanë qenë edhe pjesë e Kombëtares. Bëhet fjalë për Redi Jupin dhe Bledi Shkëmbin. I pari ka pesë vite që është tërhequr nga futbolli, ndërsa i dyti po udhëheq Skënderbeun, duke qenë kapiten i korçarëve për katër vitet e fundit. Jupi u bë pjesë e Rijekës në vitin 1997, por aventura me kroatët ishte shumë e shkurtër për ish-mesfushorin kuqezi. Ai qëndroi 6 muaj, duke luajtur vetëm tri ndeshje, kjo për shkak të një dëmtimi. Ndërsa Shkëmbi ka bërë emër te Rijeka, teksa ishte pjesë e saj në vitet 2001-2005, duke u aktivizuar në 50 ndeshje.

Vila, shqiptari tjetër që pritet të lërë Janinën
Emiljano Vila pritet të ndjekë rrugën e Andi Lilës. Mesfushori durrsak i Kombëtares, i cili prej tre sezonesh aktivizohet te PAS Janina, bashkë me mbrojtësin kavajas, është përfolur që në fillim të këtij muaji për një largim nga skuadra greke. Sipas mediave helene, drejtuesit e Janinës pritet të zgjidhin kontratën me konsensus me Vilën, pasi nuk e përballojnë dot rrogën e tij. Klubi grek është përfshirë në një krizë financiare dhe dy shqiptarët janë ndër të më paguarit. I pyetur dje nga “Panorama Sport”, Vila sqaroi se ende nuk ka vendosur për të ardhmen. “Po pres të takohem me presidentin gjatë këtyre ditëve, për të qartësuar gjithçka”, – deklaroi shkurtimisht mesfushori kuqezi. Ndërkohë, pak ditë më parë, gazeta më prestigjioze greke, “Goal Day”, në lidhje me Vilën shkruante: “Mes planeve të merkatos te PAS Janina shfaqen zhvillime të papritura që kanë të bëjnë kryesisht me detyrimet financiare të klubit ndaj futbollistëve kryesorë të saj. Emiliano Vila është një prej atyre rasteve edhe të dhënat e fundit tregojnë se mesfushori është nxjerrë në shitje nga klubi, për shkak se rroga e tij është e papërballueshme”.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"