Bajerni shemb “murin” e Berlinit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2015 | 12:19

Bajerni shemb “murin” e Berlinit

bajern

Bajernin e Mynihut nuk e ka ndalur as “muri” i Berlinit. Kampionët në fuqi shembën “murin” e Hertës me “dy predhat” e Mylerit dhe Komanit. Rekordmenët kryesojnë me 40 pikë tabelën e Bundesligës dhe, nëse Dortmundi ndalet me Shtutgartin, bavarezët shpallen matematikisht kampionë dimri. Në tri javët e fundit të fazës së parë, Bajerni është shkëputur me 11 pikë nga Dortmundi.

7 mungesa, Boateng mesfushor

Pavarësisht 7 mungesave cilësore, seria e fitoreve të Bajernit nuk është ndalur. Ekipi i Guardiolës korri suksesin e 13-të radhazi në shtëpi. Në mungesë të Kostës, Robenit, Alabës, Bernat, Tiagos, Gëces dhe Riberisë, Guardiola provoi për herë të parë Boatengun në mesfushë së bashku me Vidal dhe Alonso në sistemin 4-3-3, e cila u shndërrua në 2-5-3. Pas 20 minutave, ai u tërhoq në mbrojtje dhe vendin e tij e zuri Havi Martinez, i cili shkëlqeu në këtë pozicion. Nuk është çudi për Boatengun, pasi te moshat e Hertës ai ka luajtur edhe sulmues. Si mesfushor, ai ka luajtur te Hamburgu më 28 nëntor 2009 ndaj Maincit.

Herta bëhet mur, Myler gol rekord

Në minutat e para u vu re rëndësia e mungesave si Roben dhe Kosta. Krahët nuk funksionin siç duhet, aq më tepër që Herta ishte e fortifikuar në mbrojtje. Në minutën e 10-të, Levandovskit ia mohon golin shtylla. Në minutën e 20-të, Pep kthen Boatengun në qendërmbrojtje dhe sposton Martinezin në mesfushë. Në këtë moment Bajerni shndërrohet në një makinë presioni. Në minutën e 34-t, pas një goditjeje këndi, Benatia gjuan drejt portës duke dhënë asist te Myleri, i cili shënon me kokë dhe i jep avantazhin ekipit me golin e tij të 13-të sezonal. Pas 7 minutash, Boatengu kthehet në regjisorin e golit të dytë, i cili pason te Martinez dhe spanjolli ofron asist te Koman. Talenti francez kërcen në ajër dhe dyfishon rezultatin duke mbyllur dhe pjesën e parë 2-0.

Herta gjuan vetëm një herë në portë

Pjesa e dytë nis pa ndryshime në të dy ekipet. Herta nuk tregon kurrfarë guximi të irritojë vendësit me aksione apo kundërsulme, ndërsa Bajerni krijon shumë shanse me Mylerin, Vidalin dhe Levandovskin, por realizimi i tyre ishte në nivele zero. Në minutën e 54-t, Levandovskit i shërbehet një krosim i bukur nga Martinez, por polaku nuk e shfrytë- zon siç duhet. Ndërsa në minutën e 70-të shans të mirë për golin e tretë e pati Vidal, i cili gjuan nga 18 metra, por portieri Jarshtain grushton. Por, çudia më e madhe ndodhi me Hertën, e cila gjuajtjen e parë në portë e realizoi në minutën e 79-të me Haraguçi, që ishte dhe e vetmja për kryeqytetasit për këtë ndeshje. Ndërsa bavarezët e mbyllin me 9 gjuajtje në portë dhe dy gola. Të shtunën e ardhshme, Bajerni luan ndaj Gladbahut në transfertë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"