Pas ndeshjes së parë stërvitore të Lacios në pikën e grumbullimit të ekipit bardhekaltër në “Auronzo”, përvec fansave të skuadrës kryeqytetase, mes shiut të dendur u shfaq një personazh i papritur, por jo i panjohur për mediat italiane. Ishte trajneri italian i kombëtares shqiptare, Xhiani De Biazi. Kishte ardhur aty me një mission të qartë: për të takuar Lorik Canën. Futbollistin e Lacios, por njëherëzi kapiten dhe lider i kuqezinjve, të cilët trajneri italian i drejton që nga janari i këtij viti.
Pas një ndeshjeje mjaft të mirë të zhvilluar nga “luftëtari” Cana, në fitoren e thellë të Lacios, De Biazi foli për mediat italiane: “Loriku mund të jetë pika referuese e projektit tuaj te Lacio”!
Në fakt, roli që Lorik Cana mund të luajë te kryeqytetasit mbetet ende i panjohur: ish trajneri Reja mund të kishte preferuar një lojtar me karakteristika të ndryshme, një lojtar më të lëvizshëm, i aftë për të rinisur lojën me shpejtësi. Por kapiteni i kombëtares shqiptare ka karakteristika të tjera, lëviz para mbrojtjes dhe bllokon kundërshtarët falë forcës së madhe fizike, gjë që mund t’i pëlqejë mjaft trajnerit të ri të Lacios, Petkoviç. De Biazi jep “recetën” e vet në këtë pikë: “Me mua Loriku luan mbrojtës qendre, por ai është një lojtar me karakter, mund të luajë me siguri të madhe edhe në mesfushë. Vitin e kaluar pati pak vështirësi të ambientohej me Seria A, por kjo është normale për këdo që vjen në Itali nga një kampionat tjetër”.
Shumë parashikojnë se ky mund të jetë sezoni i “shugurimit” të Lorik Canës në Seria A. Sigurisht provat e ambientimit filloi t’i jepte që në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, ndaj sytë e të gjithëve janë drejtuar tek ai. Kjo vlen edhe për De Biazin, që e konsideron lojtarin e Lacios liderin e kombëtares që drejton, rreth të cilit do të ndërtojë edhe projektin e fushatës kualifikuese të Botërorit 2014. “Cana ka karakteristika të ndryshme nga Ledesma, edhe pse mund të zënë të njëjtin pozicion në mesfushë. Për mua nuk ka dualizëm, – gjykon De Biazi. – I shikoj mirë bashkë. Cana është shkatërrues, me fizik të fortë, ndërsa Ledesma truri kreativ i këtij ekipi, ai që mund të bëjë regjinë në mesfushë, ndaj mund të bashkëjetojnë të dy në ekip, duke plotësuar njëri-tjetrin.”
Duke folur edhe për tregun e transferimit të lojtarëve, De Biazi u shpreh: “E di që Lacio po kërkon një lojtar krahu, që t’i japë shpejtësinë që i mungon. Kam dëgjuar që janë të interesuar për mbrojtësin e krahut Balzareti, por ka plot lojtarë të tjerë të mire, që mund ta ndihmojnë Lacion. Një prej tyre e kam vetë në ekipin kombëtar: Odise Roshin. Ai luan te Këlni dhe është shumë i shpejtë. Por këtë vit Këlni ra nga kategoria, ndaj ai mund t’i bëjë mjaft punë Petkoviçit. Nuk kam folur ende me Igli Taren për Roshin, por do ta bëj së shpejti. Sigurisht, Roshi nuk ka rol difensiv, por luan mjaft mirë në krah si mesfushor apo sulmues, – vijoi sponsorizimin e tij De Biazi. – Gjithashtu, fiziku i bëshëm prej 1.87 metra i lejon të fitojë mjaft duele me kundërshtarët. Në Gjermani ka shënuar një gol në gjysëm sezoni që ka luajtur. I ka kaluar tërë ekipet e moshave të kombëtares shqiptare, teksa ka shënuar 7 gola në 11 ndeshje me U-21. Tashmë po integrohet edhe në kombëtaren A. Mendohet se çmimi i Roshit vërtitet në rreth 1 milionë euro, shifër jo shumë e lartë kjo dhe e përballueshme për një ekip si Lacio.”
“Roshi-Bakaj-Sadiku, të denjë për Seria A”
Xhani De Biazi u ka thurur elozhe futbollistëve shqiptarë në median italiane. Gjatë një ndërhyrjeje në platformën “Sky” ku është pyetur për lëvizjet e bujshme në merkato (sidomos te Milani), trajneri i Shqipërisë u është përgjigjur edhe pyetjeve për Shqipërinë dhe për mënyrën se si po funksionojnë gjërat tani që ai drejton ekipin kuqezi.
Cana Trajneri është pyetur se çfarë ka ndër mend të bëjë gjatë ditëve të ardhshme dhe ai ka thënë se do të shkojë të takojë personalisht kapitenin Lorik Cana. “Do shkoj të takoj kapitenin tim, Lorik Canën. Është një lojtar i shkëlqyer dhe një futbollist i rëndësishëm për skuadrën. Dëgjohemi shpesh në telefon, por më pëlqen që të shkoj ta takoj personalisht. Ne aspirojmë që të bëjmë një paraqitje të mirë në fazën e eliminatoreve për Botërorin 2014 dhe, për ta bërë këtë, duhet të kesh edhe grupin dhe atmosferën e duhur”, – ka thënë De Biazi.
Bakaj & CO Pak muaj më parë De Biazi deklaroi se përveç Bogdanit, Canës dhe Ujkanit, vetëm Roshi ishte i denjë për Serinë A, ndërsa dje ka pohuar se edhe Bakaj me Sadikun kanë talentin e duhur për të luajtur në një kampionat shumë të fortë si Seria A. “Po, kam disa lojtarë të mirë në ekipin përfaqësues, të cilët mund të paraqiteshin mirë edhe në Itali. E kam fjalën për Elis Bakajn, Odise Roshin dhe Armando Sadikun. Ata kanë potencial të madh”, – ka deklaruar De Biazi.
Batutat Trajneri nuk ka ngurruar të lëshojë edhe disa batuta sa i përket interesimit të tifozëve shqiptarë karshi futbollit italian. “Po, mund të them se skuadrat e Milanit, Juventusit dhe Interit diskutohen, kanë tifozë të zjarrtë në Shqipëri, madje më duket se ndonjëherë diskutohet me shumë pasion për to”, – është shprehur ai. Një tjetër batutë ka qenë edhe ajo për lëvizjet e fundit të merkatos së Milanit. “Ibra të vetmen herë që nuk fitoi kampionatin në Itali u mërzit dhe iku… OK, lë të bëhemi seriozë. Mendoj se largimi i Ibrahimoviçit dhe i Tiago Silvës janë një goditje e rëndë për Milanin, por edhe për Serinë A. Ne duhet të zgjohemi dhe të shohim përreth. Duhet ta pranojmë se Seria A nuk është më kampionati më i fortë në botë”, – ka thënë De Biazi.
Berisha: Unë, portieri psikolog, që kam fiksim… golat
Ai hyn në kategorinë e futbollistëve të veçantë. Është portier, ka shënuar, por ka shënuar tre gola. Studion për psikologji, e krahasojnë me Van der Sarin, por vepron më shumë si Çilavert. Ky është Etrit Berisha, portieri 23- vjeçar i Kombëtares shqiptare që po shkëlqen me Kalmarin dhe që ditën e enjte shënoi emrin në listën e portierëve që kanë realizuar në Kupat e Evropës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai rrëfen edhe dualizmin me Ujkanin, si dhe disa nga detajet e jetës jashtë futbollit.
Etrit, ky ishte goli i tretë për ju, apo jo?
Po, ishte goli im i tretë. Të tria herët kam shënuar me fanellën e Kalmarit dhe të tria herët me penallti.
Ç’është ky fiksim për golin?
Nuk e di, qysh fëmijë kam pasur dëshirë të gjuaj penallti. Më duket paksa si lojë nervash, por edhe emocionuese.
Gjuani vetëm ato penallti që nuk janë të rëndësishme për ecurinë e ndeshjes, si rasti i së enjtes kur shënuat golin e katërt në fitoren 4-0, apo edhe penallti të rëndësishme?
Jo, jo, kam dëshirë të shënoj çdo penallti. Në kampionat kam shënuar penallti nga të cilat varej fitorja ose jo e skuadrës.
Po trajneri ç’thotë për këtë?
Ai më ka vendosur mua si gjuajtës të parë. Kemi biseduar, sepse më ka parë se si i gjuaj unë penalltitë në stërvitje dhe më ka besuar mua. Kur kam mundësi i gjuaj vetë, por kur shoh se gjuajtësi i dytë, që është sulmuesi ynë kryesor, ka dëshirë të gjuajë, atëherë tërhiqem.
Pse mendoni se jeni i aftë për penalltitë?
Se jam i qetë dhe pa emocione përballë portës. E di gjithashtu edhe se cili është maksimumi që mund të bëjë një portier tek një penallti, dhe përpiqem të bëj gjithnjë atë që ai nuk e arrin dot.
Si është bilanci?
Tre gjuajtje tre gola. Mendoj se jam mirë…
Rivali juaj, Ujkani, nuk shquhet për penallti, kjo do të thotë se ju jeni favoritë ndaj tij për vendin e titullarit?
Jo, jo, kjo nuk ka lidhje fare.
Si ndiheni kur ju vënë shpesh përballë Ujkanit?
Është normale. Unë e vlerësoj atë si portier dhe gjithnjë kam thënë se sa më shumë konkurrencë të ketë, aq më mirë është. Cila është pika juaj më e fortë? Mendoj se janë daljet në goditjet standarde, ose në goditjet e dënimit. Mendoj gjithashtu se janë edhe reflekset. Nuk di të them tjetër.
Keni ndonjë portier që ju frymëzon?
Jo, jo. Unë shoh portierët e mëdhenj në DVD dhe përpiqem të mësoj prej tyre, por nuk kam ndonjë të preferuar special.
Ju kujt i ngjani më shumë?
Nuk mund ta them se kujt i ngjaj më shumë. Shpesh të tjerët më krahasojnë me Van der Sarin ose me Petr Çehun, por nuk e di nëse kanë të drejtë apo jo.
Po me Çilavertin që shënon shumë gola ju krahasojnë?
Jo, jo, ai është shumë lart në këtë aspekt (qesh…). Ai ka shënuar shumë gola edhe me goditje dënimi, kurse unë jam disi dobët në këtë aspekt. Megjithatë, po të ushtrohem edhe mund t’ia dal.
Çfarë bën Berisha në kohën e lirë?
Momentalisht po ndjek një kurs për të perfeksionuar gjuhën suedeze. Ndërkohë, prej më shumë se një viti po studioj edhe për psikologji.
Pra, Kombëtarja ka edhe një psikolog në gjirin e saj tani…
Mua më pëlqen shumë kjo degë dhe mendoj se edhe më ndihmon për profesionin që kanë.
Nga sa vetë përbëhet familja juaj?
Unë jam djali i madh i familjes, kam edhe dy motra më të vogla.
Ku do të jetë e ardhmja juaj?
Mendoj se do të vazhdoj me Kalmarin. Unë kam pasur disa oferta së fundi, por nuk kanë qenë bindëse. Për aq kohë sa nuk më vjen një ofertë më e mirë sesa te skuadra ku jam, nuk kam arsye përse të lëviz. Për më tepër, nëse Kalmari vazhdon rrugën në Kupat e Evropës, unë do të vazhdoj të jem pjesë e kësaj skuadre.
Cana dhe shumë futbollistë nga Kosova preferojnë t’i kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar. Po ju e keni vizituar ndonjëherë rivierën shqiptare?
Po, disa kohë më parë. Mund të them se është shumë e bukur dhe do të rikthehesha me qejf nëse do të kisha mundësi, por tani ne jemi në mes të kampionatit dhe është e pamundur. Megjithatë, në të ardhmen do kem më shumë shanse.
Mavraj: Nuk trembem nga Huntelar e Gomez
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, është i sigurt se skuadra e tij Grojter Furth do të ketë paraqitje të mira në vitin e parë të saj si anëtare e Bundesligës. “Ne jemi aty ku e kemi vendin. Ekipi ynë ka potencial për këtë ligë”, – ka thënë Mavraj për tabloidin gjerman “Bild”. Futbollisti i përfaqësueses kuqezi e njeh mirë elitën e futbollit gjerman, pasi me ish-skuadrën e tij Bohum kishte zhvilluar mbi 52 ndeshje në Bundesligë. “Ne nuk duhet të mashtrohemi nga ndeshjet e mira që kemi luajtur në kupë. Për ne ndeshja e parë do të jetë për mbijetesë. Duhet të konfirmojmë performancën tonë javë pas jave”, – ka theksuar ai. Si mbrojtësi më i mirë në Bundesligë 2, Mavraj është i vetëdijshëm se nuk do ta ketë lehtë në Bundesligë përballë sulmuesve të klasit botëror. “Gomez, Huntelar apo të tjerë, në Bundseligë nuk ka sulmues të dobët. Do të jetë një detyrë e vështirë për t’i ndalur ata, por gjithsesi ne nuk trembemi”, – është shprehur Mavraj. Paraqitjet e mira të Mavrajt në sezonin e kaluar nuk kanë mbetur pa u shpërblyer. Përveç aktivizimit në Bundesligë, mbrojtësi kosovar u ftua edhe në Kombëtaren shqiptare nga trajneri italian De Biazi.


Berisha, legjenda e Partizanit që punon si shofer ambulance
presim shum prej jush