Ballina, Kategoria Superiore, Tirana — 4 Korrik, 2012 14:06

Bekim Bala: Tirana të mos e pësojë si Kombëtarja, do iki jashtë pas Europës

Bekim Bala nuk e sheh krejt të lehtë përballjen me SC Grevenmaker të Luksemburgut. Sipas tij, edhe pse në letër duket një ndeshje e lehtë, Tirana nuk duhet të nënvlerësojë në fushë pasi, në të kundërt, mund të surprizohet sikundër Kombëtarja vitin e kaluar kur u mund 2- 1 në Luksemburg. Më tej sulmuesi flet edhe për konkurrencën në sulm me Çotën, si dhe të ardhmen e tij, ku mes rinovimit me Tiranën dhe ndonjë oferte nga jashtë, është i prirur të pranojë këtë të dytën.
Të enjten (nesër) ndeshja e parë përballë Grevenmakerit, një skuadër që teorikisht duket e kalueshme…
Teorikisht po, por praktikisht këtë gjë do ta tregojë fusha. Në fakt, është një ekip që e njohim pak, por pikërisht kjo gjë na bën të jemi edhe më të kujdesshëm. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin e nënvlerësimit të kundërshtarit, thjesht se është i panjohur për ne, ose thjesht se mediatikisht shihet si më i dobët në letër.
Kombëtarja humbi ndaj Luksemburgut, ju e mendoni se Grevenmakeri mund t’ju surprizojë?
Flasim për dy ndeshje të ndryshme. Gjithsesi, nëse e marrin për krahasim kombëtaren, atëherë ne si Tiranë duhet të jemi edhe më seriozë ndaj kësaj skuadre dhe të bëjmë më të mirën tonë në fushën e lojës. Synimi ynë është kalimi i turit dhe kjo vjen vetëm nëse luajmë shumë mirë në fushën tonë dhe bëjmë të njëjtën gjë edhe në kthim.
Trajneri Rubio duket se do t’i varë shpresat te ju për sa u përket golave?
Në fakt ajo është detyra ime: të shënoj sa më shumë gola. Hera ia arrij dhe herë jo, kjo varet si nga kundërshtari, por edhe nga forma ime.
Dhe… si ndiheni tani?
Jam mirë. Jam stërvitur rregullisht dhe shpresoj që të shënoj, por besoj se do të jetë e vështirë duke qenë se luksmeburgasit, për mendimin tim, do mundohen që të paktën të mos pësojnë në ndeshjen e parë në Tiranë dhe do mbyllen në mbrojtje, ndaj do të jetë e vështirë që t’ju shënojmë. Kam përshtypjen se pesha më e madhe e kësaj ndeshjeje do të bie te sulmi, pikërisht për arsyet që thashë më lart, por unë personalisht jam i përgatitur si fizikisht dhe psikologjikisht.
Te Tirana është afruar një tjetër sulmues, Mirel Çota, si e shikoni këtë dualizëm?
Pikë së pari mendoj se ardhja e tij ka rritur cilësinë në repartin e sulmit, ndërsa personalisht nuk e ndjej aspak veten të rrezikuar. Për mua nuk ka rëndësi se cili është lojtari që kam përballë, Çota apo dikush tjetër pasi, nëse unë nuk jam në gjendje të mirë fizike, e sigurt që trajneri nuk më aktivizon dhe anasjelltas.
Ju jeni dy lojtarë pak a shumë njëlloj, mendoni se mund të luani në të njëjtën kohë bashkë?
Nuk e di këtë gjë, pasi varet sesi e shikon trajneri. Ai vendos sesi do të luajë skuadra dhe detyrat për gjithsecilin. Unë them se ne mund të luajmë bashkë dhe, madje, në ndeshje të tilla si ndaj Grevenmakerit, në të cilat mendohet se mbrojtja do të jetë shumë e ngjeshur, duhet me patjetër një sulmues më shumë për ta çarë. Por, ua thashë, nuk jam unë trajneri.
Drejtuesit e Vllaznisë kanë bërë një ofertë ndaj jush duke i ofruar Tiranës edhe dy lojtarë shkodranë vetëm për t’ju kthyer te kuqeblutë, si e shikoni këtë lëvizje?
E para, ndaj meje nuk ka ardhur asnjë ofertë zyrtare. E dyta, nëse në media është thënë një gjë e tillë, mund të them veçse ndihem i vlerësuar për interesimin, por vetëm kaq ama, pasi unë jam një lojtar i Tiranës dhe kam një kontratë me këtë klub. Kështu që kam mendimin se më së pari drejtuesit duhet të flasin me njëri-tjetrin.
Kontrata juaj përfundon në fund të këtij viti, do të rinovoni?
Të jem i sinqertë, nuk e di. Duhet më parë të shikoj se çfarë ofertë do të më japë Tirana dhe më pas do vendos por, për këtë, do flas më mirë pas Kupave të Evropës.
Te Tirana është folur se drejtuesit kanë ndër mend t’i ulin disi rrogat, cili është mendimi juaj?
Unë kam kontratën time dhe atë më së paku do ta ndjek deri në fund por, nëse do të kem ndonjë ofertë të mirë nga jashtë, do shikoj që edhe të largohem nga Shqipëria. Faktikisht janë dy-tre klube që janë interesuar, por tratativat me këto ende janë në embrion dhe ndoshta do të vijojnë pas ndeshjeve të Kupave të Evropës. Gjithsesi, nuk e parashikoj dot se çfarë do të ndodhë. Unë do shikoj interesimin tim, për një karrierë gjithnjë e në ngritje.

Rubio qahet për dëmtimet: E gjeni kollaj formacionin
Pa informacion për rivalët dhe me shumë mungesa, kjo është Tirana e drejtuar nga Hulian Rubio në prag të ndeshjes së parë në Kupat e Evropës. “Do bëjmë maksimumin për t’ia dalë mbanë dhe kaluar turin, por nuk dua që të mendohet se është e lehtë. Skuadra nga Luksemburgu ka bërë një kampionat të mirë, ka në përbërje lojtarë të huaj dhe futbolli në këtë vend është rritur shumë. Është për të ardhur keq që në ditët e sotme luan në një nivel kaq të lartë dhe nuk ke njohuri për kundërshtarin. Ndërkohë që jam i sigurt se kundërshtari e ka të gjithë informacionin e duhur për ne”, – tha fillimisht për mediat Rubio. Sikur të mos mjaftojnë këto probleme, tekniku ankohet edhe për mungesat e shumta në formacion. Sina dhe Dushku janë të dëmtuar, Pisha dhe portieri Ilion lika janë në dyshim, Karabeci është i pezulluar, ndërsa Dabulla nuk është në listën e Evropës. “Nuk jam mësuar ta them formacionin, por kësaj radhe edhe ju e keni të lehtë ta imagjinoni 11-en titullare. Për shembull, në mbrojtje kam vetëm 4 lojtarë, dhe kjo është një e dhënë që më pas zbulon të gjithë formacionin. Shpresojmë të mos kemi probleme të tjera dhe që të rikuperojmë portierin Ilion lika, pasi ka pasur probleme. Shpresojmë të marrim një rezultat të mirë në Tiranë, por në të njëjtën kohë të njoh edhe kundërshtarin, pasi nuk kemi asnjë informacion për të, në mënyrë që të përgatitemi më mirë për ndeshjen e kthimit”, – përfundoi Rubio.

Grumbullimi
Tirana ka zhvilluar vetëm një seancë stërvitore ditën e djeshme, paradite teksa ka anuluar atë të pasdites, duke u grumbulluar në një nga hotelet në zonën e Saukut. Sakaq edhe sot trajneri Rubio ka programuar një seancë stërvitore pasdite, nga ku do të marrë edhe përgjigjet e duhura nga disa lojtarë që janë ën dyshim të fortë për ndeshjen e nesërme si Pisha dhe portieri, Ilion Lika. Ndeshja me Grevenmaker ëhstë programuar të luhet në “Qemal Stafa” në orën 19:00.

Grevenmaker i “falet” bomberit 150 golësh
Quhet Daniel Hus. Luan te Grevenmaker që prej vitit 1998, pasi u rrit si futbollist te skuadra belge e Standart Liezhit dhe pasi pati një karrierë të shkurtër te Kaizerslauterni në Gjermani. Ai është edhe lideri i luksemburgasve të Grevenmakerit, kundërshtar ky i Tiranës në Ligën e Evropës. 32-vjeçari shihet si pika më e fortë e kësaj skuadre, edhe për faktin se është një njohës shumë i mirë i portës. Në 251 ndeshje të zhvilluara deri tani me këtë fanellë ka arritur të shënojë plot 151 gola, duke u shpallur disa herë radhazi golashënuesi më i mirë i kësaj skuadre. Vetëm sezonin e fundit ai shënoi 20 gola. Ndërkaq ka luajtur edhe me përfaqësueses e Luksemburgut, me të cilën ka zhvilluar 46 ndeshje nga periudha 2000-2007, duke shënuar edhe dy gola. Nesër në “Qemal Stafa” gjithë shpresat e Grevenmakerit do jenë te kapiteni i tyre, Daniel Hus.

“Çmenden” bastet, 1.13 për Tiranën
Nuk kishte ndodhur më parë që një skuadër shqiptare të kishte koeficient kaq të ulët. Sipas bastexhinjëve, Tirana fiton dhe kualifikohet ndaj luksemburgasve të Grevenmaker, ndërsa Teuta dhe Flamurtari janë të destinuara që të humbin ndaj kundërshtarëve të tyre. Kështu, parashikohen tri përballjet e ekipeve shqiptare nga kompanitë e basteve në Evropës. Koeficienti i fitores për skuadrën e Tiranës është shumë i vogël (vetëm 1.13), çka të lë të kuptosh se bardheblutë shihen si favoritë, përderisa fitorja e Grevenmakerit është kuotuar me 15.00 dhe barazimi me 6.75. Tjetër gjë për Flamurtarin, një fitore e të cilit është kuotuar me 3.20, përkundrejt 2.05 të hungarezëve të Honvedit. Ndërsa barazimi është kuotuar me 3.30. Kjo tregon se vlonjatët kanë shumë pak shanse, të paktën sipas bastexhinjëve, që të fitojnë nesër. Në të njëjtat kushte koeficientesh pak a shumë është edhe Teuta: 3.30 fitorja, 3.20 barazimi dhe 2.05 fitorja e Metalurg Rustavi.
LEONARD KARAJ

Te lidhura me artikullin:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *