Ballina, Besa, Kategoria Superiore — 24 Qershor, 2012 14:00

Besa synon vlonjatin Daniel Xhafaj, Bizhdili ka një plan B për sulmin kavajas

Në këtë periudhë merkatoje, emrat që lakohen në çdo skuadër janë të shumtë. Këtu nuk bën përjashtim as Besa, drejtuesit e së cilës kërkojnë të afrojnë lojtarët më të mirë në treg. Kështu, nga burime pranë klubit, mësohet se synohet rikthimi i sulmuesit Daniel Xhafaj. Me këtë të fundit pritet të bisedohet pas përfundimit të angazhimit të tij me Skënderbeun në Ligën e Kampioneve. Gjithashtu, po të njëjtat burime kanë bërë të ditur se numri një i presidencës, Nexhat Bizhdili, i ka bërë ofertë edhe sulmuesit meksikan, Endende Elokan. Zëra pranë numrit një të klubit konfirmojnë planin “B” të tij në lidhje me merkaton, ndërsa bëjnë të ditur se “gjuetia” do të jetë te skuadrat që luajnë në Kupat e Evropës si Tirana, Skënderbeu, Teuta dhe Flamurtari. Numri një i presidencës nuk ka zbuluar asnjë emër për vetë kushtet ku lojtarët luajnë me klubet e tyre. Mirëpo, mësohet se 4 apo 5 futbollistë titullarë me përvojë pritet t’i bashkohen grupit verdhezi pas datës 15 korrik.
Afrimet - Te kavajasit, në emrat e afruar deri më tani, por edhe ata që përfliten, bie në sy fakti se shumica e tyre janë të rinj 20-21-vjeçarë. Emrat e përfolur të Ditës, Toçit, Tepshit, apo portierit Hoxha, por edhe të kosovarit Rexha, ka bërë që tifozët verdhezinj të mos kenë optimizmin e duhur. Mirëpo, këta lojtarë pritet t’u shtohen të rinjve të tjerë vendës si Hasa, Duka, Perja, Krasniqi, Rroshi. Ndërkohë që deri më sot, kontingjent i konfirmuar tashmë zyrtarisht i Besës mbeten Bakaj, Mihani, Krasniqi, Hoxha, Duka, Perja, Hasa, Rroshi, si dhe prurjet Aziri, Batha dhe Gjoni. Ndërsa për disa që mbyllën sezonin nuk ka rikonfirmime. Parë këtë kontingjent, logjikisht objektivi i kavajasve, Kupat e Evropës, nuk mund të arrihet sezonin e ardhshëm. Dhe ky është shkaku që Bizhdili ka menduar planin “B”.

Magani, dilema e madhe për pankinën
Roli i trajnerit të konfirmuar tashmë te Besa mbetet disi enigmë. Kështu, nga burime të afërta me presidentin Bizhdili, mësohet se në bisedimet e tij me lojtarët e merkatos deri më sot Magani nuk ka qenë prezent. Nuk dihet ende saktësisht se a ka folur më parë Magani me Bizhdilin për emrat e referuar, apo numri një i presidencës po e kryen vetë merkaton me kokën e tij. Pas futjes së Besës në Superiore, peqinasi Magani është parë shumë rrallë, për të mos thënë fare në Kavajë.
FERIZ FERIZAJ

Te lidhura me artikullin:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *