Ballina, Kategoria Superiore, Vllaznia — 13 Shtator, 2012 14:02

Deliç del garant: Nuk gabojmë dy herë në Shkodër, do marrim dy fitore radhazi

Te Vllaznia janë të bindur se në ndeshjet në vazhdim, duke filluar që këtë javë me Luftëtarin, do të vijë edhe kthesa e madhe në rezultate. Këtë gjë e ka pohuar një ndër lojtarët e ardhur gjatë merkatos së verës te kuqeblutë, Ivan Deliç, i cili në daljen e tij para mediave ditën e djeshme ka theksuar rëndësinë që merr jo vetëm ndeshja e radhës, por edhe kampionati i shkodranëve në vazhdim pas dy javëve të parë, totalisht zhgënjyese. “Dy ndeshje jo të mira mund të pranohen për çdo ekip, pasi në futboll duhet dhe të mësosh nga gabimet. Ne me pak fat edhe mund të kishim pasur të tjera rezultate. E di që është shumë pak vetëm një pikë në dy takime, ndaj duhet që t’i rikuperojmë ato që kemi humbur. Kjo realizohet vetëm nëpërmjet fitoreve. Fatmirësisht kemi dy ndeshje brenda në shtëpi dhe për këtë jam optimist. Me përgatitjet që jemi duke bërë, besoj se Vllaznia do mund të tregojë realisht forcën që në përballjen me Luftëtarin. Jo për ta ekzagjeruar, por Vllaznia do të marrë 6 pikë në dy takime dhe më pas do të flasim me të tjera superlativa për këtë skuadër”, – është shprehur Deliç.
Konkurrenca - Ndonëse cilësohet si një titullar, Deliç, si pasojë e konkurrencës dhe formës së tij jo të mirë, përballë Kukësit është detyruar ta nisë ndeshjen nga stoli. Por kjo lëvizje e teknikut Duro ka bërë që ai të punojë më shumë dhe të konkurrojë me shokët e tjerë të skuadrës për një vend në formacion. “Në qoftë se në një ekip nuk ka konkurrencë për të gjitha pozicionet e fushës, mendoj se është e kotë të pretendohet. Më vjen mirë që te Vllaznia ekziston konkurrenca. Ne jemi të gjithë lojtarë profesionistë dhe luftojmë për një vend në formacion. Për skuadrën kjo rrit automatikisht konkurrencën, çka bën që Vllaznia të rikthehet në nivelet e saj ku e gjithë Shkodra e pret. Të gjithë do të shohim një tjetër skuadër që këtë javë, ndërsa ne do të nisim një tjetër kapitull”, – ka vazhduar lojtari.
Forma - Mesfushori malazez, ndonëse ka zhgënjyer në një farë mënyre në dy javët e para të sezonit, e pranon që nuk ka qenë në lartësinë e duhur, duke kuptuar dhe rëndësinë e performancës së tij. “Jam i vetëdijshëm që nuk kam qenë në nivelin tim më të mirë. Këtë e kam kuptuar nga loja ime dhe sigurisht nga ajo që unë pretendoj nga vetja. Jam më se i qartë për gabimet që kam bërë apo dhe performancën time jo shumë cilësore. Kjo më bën që unë të punoj edhe më shumë për t’u përmirësuar sa më shpejt të jetë e mundur. Mund të them se këtë ndërprerje të kampionatit unë e kam shfrytëzuar maksimalisht për të arritur një formë më të mirë. E di që trajneri, shokët e skuadrës dhe drejtuesit kanë besim tek unë, pasi e shoh që për vetë pozicionin që kam, është më se e rëndësishme të jem në një formë të mirë. Mendoj që nga ndeshja e ardhshme do të jem në një tjetër formë”, – ka thënë ai. Sakaq, trajneri Shpëtim Duro e ka shprehur haptazi se vetëm nga këmbët e Deliç mund të ketë një skuadër të fortë. Sipas tij, malazezi është një ndër shtyllat kryesore të skuadrës shkodrane për sa i përket mesfushës dhe organizimit të lojës. Por, performanca e Deliç deri tani nuk ka qenë ajo e pritshmja.

Vllaznia, dy seanca në ditë për Luftëtarin
Trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro, dy ditë më parë ka realizuar dy seanca stërvitore në ditë. Vetëm dita e djeshme ka pasur një seancë, për shkak se trajneri ka kërkuar që lojtarët të rifitojnë formën fizike pas dy ditësh pushim. Ndërkohë që nga sot Vllaznia do t’i rikthehet stërvitjes normale, duke qenë se të dielën do të luajë ndaj Luftëtarit. Për sa i përket gjendjes së lojtarëve ajo shfaqet e mirë, duke mos përbërë asnjë problem për stafin teknik për të përcaktuar formacionin më të mirë në fushën e lojës. Gjithsesi, deri të shtunën (një ditë përpara ndeshjes), tekniku pritet të zbardhë ndryshimet në formacion.
ADMIR URUÇI

 

Te lidhura me artikullin:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *