Për trajnerin e Vllaznisë, Shpëtim Duro, merkatoja do të mbyllet vetëm kur në “oborrin kuqeblu” do të vijë një sulmues cilësor. Me dhjetë afrimet e bëra gjatë kësaj vere, tekniku e quan disi të forcuar skuadrën, por imediat mbetet vetëm forcimi i repartit ofensiv. Së fundmi te Vllaznia është provuar kosovari Kastriot Rexha, i cili është pëlqyer nga stafi teknik, por jo deri në atë shkallë sa të jepet “urdhri” për firmosjen e një kontrate me drejtuesit. “Mund të them se merkatoja e Vllaznisë do të mbyllet vetëm me afrimin e një sulmuesi. Ekipi është kompletuar dhe afrimet e fundit pa diskutim që kanë vlerat e tyre. Janë lojtarë që kanë eksperiencë dhe të denjë për të veshur fanellën e Vllaznisë”, – ka pohuar fillimisht Duro.
Rexha - Më tej tekniku është pyetur për Kastriot Rexhën, sulmuesin kosovar të ardhur pak ditë më parë për provë te shkodranët. “Nëse Rexha do të jetë blerja jonë e fundit? Nuk e di ta them këtë, duke qenë se na nevojitet pak më shumë kohë për të vendosur për lojtarin, ku do të mbështetet sulmi i ekipit. Të shohim gjatë kësaj jave dhe më pas do vendosim se cilin do të marrim. Rexha ishte një lojtar me shenja premtuese, por përsëri nuk duhet të ngutemi në vlerësim”, – është shprehur trajneri Duro. Sakaq, lojtari është larguar drejt Kosovës, për të qenë i pranishëm në finalen e Superkupës së Kosovës mes Trepçes dhe Prishtinës. Ndërsa mësohet se menaxherë të ndryshëm po kërkojnë që të sjellin për provë të tjerë sulmues, nga të cilët njëri mund të vijë këto ditë nga Serbia.
Gjendja - Pavarësisht se shumë herë kritikues ndaj ekipit të vet, përsëri tekniku Duro mbetet i palëkundur në optimizmin e tij se Vllaznia do të jetë një nga skuadrat pretendente në këtë sezon për të dy trofetë. “E kam thënë se kjo skuadër do të jetë kompetitive. Nuk më kanë munguar kritikat, por do ta them se do të jem kritik, pasi kërkoj më të mirën prej këtij grupi lojtarësh. Takimet miqësore ndoshta nuk janë treguesi më i mirë, megjithëse ajo çka vërej, është se kemi një rritje nga ndeshja në ndeshje. Impenjimi është maksimal dhe, për më tepër, ekipi ka marrë gjithë ngarkesën e duhur. Mund të them se vërej një rritje të konkurrencës në ekip. Kanë mjaftuar disa plotësime gjatë këtyre ditëve dhe shoh që lojtarët janë shumë më të përqendruar dhe kërkojnë një vend në formacionin kryesor. Ndeshja me Shkumbinin tregoi në një farë mënyre se lojtarët i kanë marrë parasysh vërejtjet e mia, duke qenë se pas ndryshimeve që kam bërë niveli i lojës nuk erdhi në zbritje, por gjithmonë e në rritje. Këtë gjë shpresoj që ta bëj edhe në takimin miqësor që kemi me Besëlidhjen”, – ka pohuar Duro.
Erkoçeviç largohet nga Vllaznia
Lojtarët e rinj te Vllaznia nuk kanë shumë hapësira në formacionin e parë. Një gjë e tillë ka bërë që disa prej tyre, ose të largohen në formë huazimi, ose të gjejnë një skuadër të re duke hequr përfundimisht dorë nga kuqeblutë. Pas largimeve të Sykajt, Hasanit dhe Gocajt, një tjetër emër që do të lëvizë në drejtim të ekipeve të tjera është edhe sulmuesi 19-vjeçar, Bekim Erkoçeviç. Sulmuesi më i mirë i ekipit kampion të 19-vjeçarëve në sezonin 2010-2011, pritet të kalojë në formë huazimi te Laçi. Kjo duket pista primare për këtë lojtar, paçka se mësohet se edhe Partizani, i ngjitur tashmë në Kategorinë e Parë, dëshiron ta ketë në gjirin e vet sulmuesin shkodran. Erkoçeviç mesa duket ka parë mundësinë e huazimit, pasi pranë ekipit ka mbërritur tiranasi Hysa dhe duke parë konkurrencën, ka vendosur më mirë largimin, me qëllim aktivizimin sa më të rregullt për sezonin e ri.
TEST ME LEZHJANËT
Vllaznia sot do të luajë të pestën miqësore në këto përgatitje për sezonin e ri. Ajo do të ketë të dytën përballje brenda pak javësh me ekipin e Besëlidhjes. Takimi i parë i zhvilluar në Shkodër u mbyll në barazim 1- 1, me gola të shënuar për Vllazninë nga Sekuliç dhe për lezhjanët nga qendërmbrojtësi Kepi. Megjithatë, takimi i parë ka qenë i ashpër dhe nuk kanë munguar as ndërhyrjet e rënda, sidomos nga ana e lojtarëve lezhjanë. Ndoshta kësaj i ruhet tekniku Duro, i cili shpreson që ky takim miqësor të ketë më pak përplasje të ashpra, sesa ai i para pak ditëve, pasi një dëmtim mund të ketë ndikimin negativ në përgatitjet e fundit për përballjen e parë të sezonit.
Drejtuesit, në Pejë për sulmuesin Rexha
Drejtuesit kryesorë shkodranë do të jenë sot të pranishëm në Pejë për të ndjekur nga afër përballjen e Superkupës së Kosovës, mes Prishtinës dhe Trepçes. Ajo që duket se i ka shtyrë drejtuesit e klubit kuqeblu për ta ndërmarrë këtë udhëtim, ka qenë pikërisht të shikojnë nga afër sulmuesin që kanë pasur për provë dhe kanë ndër mend ta bëjnë të tyrin, kosovarin Kastriot Rexha. Lojtari do të luajë në këtë takim, ndaj është kërkuar me insistim nga ana e drejtuesve të klubit të Trepçës që të jenë pjesë e kësaj përballjeje. Ndoshta drejtuesit e klubit mund të krijojnë edhe një bindje më të plotë për Rexhën, megjithëse edhe mund të diskutojnë më nga afër për çështjen e kontratës së tij.
ADMIR URUÇI


Bilanci që nuk na pëlqen