Ka qenë një mbledhje, e cila ka zgjatur dy orë. Konkluzioni ka qenë i thjeshtë, synohen tri blerje dhe të “bllokohen” largimet. Hulian Rubio e Salih Tagani janë takuar dy net më parë dhe kanë diskutuar gjerë e gjatë mbi problematikën e skuadrës. Menjëherë pasi mbaroi seancën stërvitore të së premtes, Rubio u është drejtuar ambienteve të klubit, ku e prisnin drejtuesit. Është futur në zyrë dhe prej aty ka dalë pas rreth 120 minutave. Tematikat kanë qenë të larmishme, ndonëse më së shumti biseda është përqendruar te shit-blerja e lojtarëve. Rubio ka kërkuar që të niset menjëherë me tratativat në merkato, teksa ka ripërsëritur edhe një herë preferencat e tij dhe rolet në të cilat ka nevojë për ndërhyrje. Bashkangjitur me to kanë qenë edhe emrat që, për momentin, ka qenë e pamundur të zbardhen. Strategjia e klubit është e thjeshtë, nuk duan t’i bëjnë publike, pasi i druhen faktit që lojtarëve të kontaktuar t’u shtohet artificialisht vlera. Një mbrojtës të djathtë, një organizator dhe një qendërsulmues i fuqishëm, këto janë pozicionet që trajneri spanjoll kërkon me ngulm që të përforcohen.
Fondi – Pak ditë më parë, bashkia lëvroi një fond prej 300 mijë eurosh, i cili do shërbejë vetëm për merkaton. Me këtë shumë të akorduar pritet që Tirana të bëjë superblerje, ndonëse deri më tani më së shumti kemi parë lojtarë në provë dhe vetëm kaq. Janë realizuar pesë blerje, katër para Evropës dhe një pas këtij kompeticioni. Megjithëse këto nuk mjaftojnë, pasi bardheblutë kanë ende mungesa në organikë, duke filluar që nga stoli i boshatisur.
Largimet – Me afrimet situata ka qenë paksa e vakët, mirëpo nga krahu tjetër ende nuk janë rinovuar të gjitha kontratat, por edhe përflitet që do të ketë huazime. Një situatë jo shumë bindëse kjo. Nisur nga ky fakt, trajneri ka kërkuar që të mos ketë më largime, ose më saktë deri në momentin që të jenë bërë blerjet e nevojshme. Siç dihet, Pisha dhe Dabulla ende janë pa kontratë, e për të kaluar te Tushe, i cili mund të huazohet. Mirëpo prej ditësh përflitet edhe Muçollari, lojtar që erdhi vetëm në korrik. Mesfushori ka marrë një ofertë joshëse nga Kukësi, e cila e ka dyzuar për të ardhmen e tij. Nisur nga kjo panoramë, janë “bllokuar” firot.
Klubi premton tri rrogat e prapambetura
Te Tirana futbollistët kanë tre muaj që nuk paguhen. Flasim këtu për shtatorin, tetorin dhe qershorin. Në fakt, muajin shtator vetëm një pjesë nuk e kanë marrë, pasi të tjerët janë likuiduar prej kohësh. Ndërsa, për dy muajt e tjerë janë që të gjithë të pashlyer. Duke qenë se vonesa ka kaluar çdo lloj limiti, klubi u ka premtuar lojtarëve që brenda javës së ardhshme do të mbyllin çdo gjë. Me fjalë të tjera, drejtuesit duan që të mos kenë hesape të hapura para finales së madhe të Superkupës. Kujtojmë që kryeqytetasit kanë vuajtur një periudhë prej financave, mirëpo ngërçi u zgjidh dhe kjo temë nuk ishte diskutuar prej kohësh.
Limani, trajneri vendos të hënën
Mensur Limani dje ka zhvilluar ditën e tretë të provës te bardheblutë. Pritej që të përcaktohej diçka për të, por trajneri ende nuk ka qenë gati për të dhënë përgjigjen përfundimtare, nëse e ka kaluar, apo jo “klasën”. Spanjollit i duket e pamjaftueshme koha për të dhënë verdiktin, ndaj ka menduar që të vendosë në fillimjavë, pra të hënën, ose më e shumta të martën. Zyrtarisht për kosovarin prova ka përfunduar, mirëpo OK-in, në rast se përgjigja do të jetë pozitive, do ta marrë në ditët e para të javës që vjen.
Bie pista Afroto, pritet Kamberoviç
Pista e Mostafa Afrotos, sulmuesit egjiptian, po zbehet dita-ditës te Tirana. Drejtuesit e klubit, ndonëse janë në pritje të tij dhe janë munduar që të kontaktojnë, e kanë pasur të pamundur që të lidhen. Kjo tashmë u ka krijuar idenë se ai ka ndonjë ofertë tjetër, ndaj nuk po eviton tratativat me bardheblutë. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Radenko Kamberoviç. Serbi, i cili luan në krahun e djathtë të mbrojtjes, pritet të mbërrijë në Shqipëri të hënën dhe më pas të nisë testimet. Ish-futbollisti i Partizanit të Beogradit dhe Buduçnostit do të vijë në Shqipëri dhe do të qëndrojë jo më shumë se dy ditë në provë.
Grubjeshiç, një opsion për sulmin
Nikola Grubjeshiç është emri më i fundit që ka dalë në skenë në kampin bardheblu. Lojtari në fjalë është me kombësi serbomalazeze dhe luan në qendër të sulmit. Futbollisti 28-vjeçar, i gjatë 1.82 cm, përveçse në vendin e tij (te Partizani i Beogradit) ka luajtur edhe në shtete të tjera, si në Greqi (me Larisën). Grubjeshiç është sponsorizuar te drejtuesit dhe ka të ngjarë që ai të vijë dhe të provohet disa ditë te Tirana. Dihet tashmë që trajneri kërkon një sulmues të fuqishëm, i cili e njeh mirë portën, por nga krahu tjetër ai është skeptik kundrejt të huajve, duke qenë se nuk i njeh. Koha është e pamjaftueshme për t’i studiuar, duke qenë se edhe starti i kampionatit po afron, megjithëse në ditët e ardhshme do të vendoset diçka rreth tij.
ADELA MERKO


Berisha, legjenda e Partizanit që punon si shofer ambulance