Ballina, Kategoria Superiore, Tirana — 30 Mars, 2012 10:24

Familja e emirit të Katarit interesohet të blejë aksionet e Tiranës së futbollit

KF Tirana shumë shpejt mund të kalojë në administrim 100 për qind të biznesmenëve të huaj, ose më mirë: të sheikëve të Katarit. Sipas informacioneve të marra nga burime të sigurta në Bashkinë e Tiranës, familja e emirit të Katarit mund të blejë aksione të klubit bardheblu dhe më pas të jetë e vetme në menaxhimin e KF Tirana. Sakaq, bashkia e kryeqytetit po punon që fillimisht të rregullojë në mënyrë krejt ligjore të gjithë problematikën që ekziston në klub, kryesisht me ish-donatorët, duke filluar që nga Metush Seferi dhe deri te Refik Halili. Siç dihet, biznesmenët e mësipërm kanë investuar parà në të shkuarën (në shumë të ndryshme), te Tirana dhe bazuar në deklaratën e kryebashkiakut Basha se të gjitha investimet, këtyre të fundit do t’u njihen 100 për qind, po punohet që së pari të zgjidhen/ likuidohen ish-donatorët dhe më pas bashkia të shesë aksionet e klubit Tirana.
Sheikët - Në mesin e shkurtit të këtij viti në Shqipëri ishte për vizitë Emiri i Katarit, Sheikh Hamad Bin Khalifa Al Thani. Ky i fundit, përveç takimeve që pati me presidentin Topi dhe kryeministrin Berisha, u takua edhe me kryebashkiakun Basha, me të cilin nënshkroi disa marrëveshje bashkëpunimi për binjakëzimin e Tiranës me Dohan. Gjatë takimit, Emiri i Katarit u interesua për ecurinë e projekteve të reja strategjike, të Bashkisë së Tiranës dhe mes të tjerave, është hedhur edhe ideja e përfshirjes së tij te KF Tirana. Nisur nga fakti se familja e sheikut ka aksione në klube të mëdha evropiane si Mançester Junajtid dhe Barcelona, është parë me interes që gjeografia e investimeve të shtrihej edhe te klubi bardheblu. Gjithsesi, duhet thënë se përpara se familja e sheikut të Katarit t’i blejë aksionet e Tiranës, duhen zgjidhur të gjitha problemet që lidhen me investimet e bëra në klub gjatë këtyre viteve. Bashkia ka si synim që në momentin kur t’i shesë aksionet, të mos ketë asnjë përplasje ligjore me të tretët (kryesisht ish-donatorët). Kështu, fillimisht do bëhet një raport i detajuar i të gjitha investimeve të bëra në vite, mundësinë e likuidimit dhe më pas do të vendoset edhe vlera reale e një aksioni të KF Tirana sh.a.
Biznesmenët - Por, për Tiranën interes kanë edhe dy kompani të huaja (përveç z.Halili, i cili e ka deklaruar më shumë se një herë dëshirën për të blerë aksione të klubit bardheblu), emri i të cilave për momentin mbahet sekret. Edhe këto të fundit kanë kërkuar që të blejnë aksione të klubit, por gjithnjë pasi aty të mos ketë asnjë konflikt lidhur si me pronësinë, por edhe me borxhe të akumuluara në të shkuarën. Drejtuesit e bashkisë janë vënë në lëvizje për zgjidhjen e të gjithë problematikës dhe me shumë gjasa, në përfundim të këtij sezoni, Tirana mund të ketë pronarë të rinj, përveç Bashkisë së Tiranës, e cila nuk dihet ende nëse do të mbajë përqindje të aksioneve apo do t’i shesë që të gjitha.

Investimet e Emirit të Katarit në futboll
Sheiku Hamad Bin Khalifa Al Thani ka një përqindje të aksioneve edhe të gjigandit anglez, Mançester Junajtid. Fillimisht ai i ofroi një shumë prej 1.6 bilionë sterlina familjes Glejzer, që është edhe pronarja e klubit, por kjo e fundit nuk pranoi që t’i shesë aksionet. Sakaq, sheiku nëpërmjet fondacionit “Qatar Foundation” ka investuar (ka emrin në bluzë) edhe te Barcelona. Ndërkohë, në shkurt të këtij viti, kur klubi skocez i Gllazgou Rejxhers deklaroi falimentimin, sheiku Hamad Bin Khalifa Al Thani kërkoi menjëherë blerjen e këtij klubi, ndër më të titulluarit në histori. Sesa do të realizohet kjo marrëveshje për blerjen e aksioneve të klubit të Tiranës, kjo mbetet për t’u konfirmuar gjatë ditëve të ardhshme.
LEONARD KARAJ

Te lidhura me artikullin:

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Sport Online. Moderatori

2 Komente

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *