Ballina, Kategoria Superiore, Skenderbeu — 10 Nëntor, 2012 13:33

Fileto pule e peshk, ja se si ushqehen kampionët. Josa konfirmon titullarët

Nga filetoja e pulës dhe peshku, e deri te makaronat apo supat me perime. Këto janë shijet e ushqimeve kryesore që përdorin kampionët e Skënderbeut. Ndoshta në një ditë të zakonshme stërvitjeje apo edhe në prag të ndeshjeve më të rëndësishme, sheh një disiplinë të pashoq tek ushqimi dhe orari i drekës apo i darkës te futbollistët e Skënderbeut. Drekojnë të gjithë së bashku, si të ishin një familje e madhe, gjithnjë kur në restorant “Skënderbeu” shkojnë në të njëjtin orar. Ushqimi është gjëja kryesore për një stërvitje me rendiment më të lartë dhe këtu nuk bëhet fjalë për preference apo shije të gjithsecilit. Menyja është e caktuar nga vetë mjeku i ekipit, i cili dikton gjithçka për lojtarët e Skënderbeut. Ushqimet janë kryesisht produkte të zgarës, të pasura me sa më shumë karbohidrate dhe pa yndyrë të tepërt. Ushqimi i futbollistëve alternohet sipas ditëve të caktuara. Dreka serviret kryesisht me mish viçi të zgarës, fileto pule apo peshk, patate, si dhe pilaf apo makarona të alternuara, sipas ditëve të veçanta dhe të shoqëruara gjithmonë me sallata të ndryshme. Ndërsa darka është e njëjtë, teksa zakonisht serviret supë me perime për lojtarët. Ushqimet tradicionale të zonës, megjithëse janë të preferuara nga futbollistët, janë të rralla në tryezën e tyre. Lakrori në saç, një specialitet ky i zonës së Korçës nuk shijohet shpesh nga lojtarët, pasi është i rëndë për tretjen nga stomaku dhe krijon ngarkesë tek ata.
Kuzhinieri - Kuzhinieri i restorant “Skënderbeu” tregon edhe detaje të ushqimeve që u serviren vazhdimisht lojtarëve: “Menyja e ditës është mjaft e rëndësishme për futbollistët dhe ne përpiqemi që të ofrojmë produktet më të mira dhe më të freskëta me sa më shumë kalori dhe karbohidrate, por që të mos jenë të ngarkuara me yndyrna të tepërta. Dieta ditore e futbollistëve caktohet nga mjeku i ekipit dhe ne i respektojmë me përpikëri ato. Kryesisht të gjitha gatimet janë të zgarës, kështu që mënjanohet edhe teprica e yndyrnave. Të vjen mirë, teksa shikon që futbollistët i pëlqejnë këto gatime dhe për ne është një kënaqësi e veçantë që këta djem janë kampionë në fuqi. Të tillë e ndjejmë veten edhe ne, pasi mund të quhemi pjesë e stafit tashmë”, – tregon kuzhinieri i restorantit, ku bujtin lojtarët përditë. Ai ndihet krenar që asnjë prej tyre nuk është ankuar deri më tani për gatimin. Ndërkohë, gjithnjë në tavolinat e lojtarëve nuk mungon lëngu i frutave apo edhe në përgjithësi frutat e ndryshme në fund të çdo vakti.
Preferencat - Zakonisht më të preferuara nga futbollistët janë peshku apo filetot e pulës, të cilat janë gjithashtu dy asortimentet thuajse të përditshme në kuzhinën e këtij restoranti. Por, nuk mbeten pas edhe gatimet tradicionale. E kush nga lojtarët do ta refuzonte lakrorin në saç, por që për fat të keq nuk kanë mundësi ta shijojnë çdo ditë. Të preferuara nga futbollistët janë edhe perimet kryesisht të ziera dhe mishi i zgarës, të cilit askush nuk i “reziston” pa e shijuar. Shpeshherë edhe picat janë një ushqim që serviret gjatë drekës për futbollistët, po ashtu sikundër lakrori, në raste të rralla.

Koha e lirë e bardhekuqve
Lojtarët e Skënderbeut e shfrytëzojnë në maksimum kohën e lirë, veçanërisht në ditët pas ndeshjeve, kur dhe u koincidon që të kenë pushim. Shpesh grupe futbollistësh preferojnë të drekojnë në ndonjë nga lokalet në pikat turistike afër Korçës. Boboshtica, Dardha apo Voskopoja janë tri pikat e preferuara të futbollistëve. Lakrori në saç, i cili është një gatim tradicional i zonës së Korçës, mbetet pa dyshim më i preferuari.

Test brenda familjes, Josa konfirmon titullarët
Skënderbeu ka zhvilluar dje një test brenda familjes, pasi trajneri Mirel Josa ka vëzhguar 11 lojtarët që pritet ta nisin si titullarë ndaj Flamurtarit. Duke pasur parasysh që mbrojtësi Bici po stërvitet veçmas grupit, rikuperimi i tij për këtë ndeshje bëhet gjithnjë e më i vështirë. Këtë gjë e di mjaft mirë trajneri Josa, i cili në provën e përgjithshme nuk e ka përfshirë lezhjanin në formacion. Nga ajo që u pa dje, në pjesën më të madhe do të ruhet grupi që fitoi në ndeshjen kundër Besës. Në portë si gjithmonë do të jetë Orges Shehi. Gardiani durrsak i ka lënë pas problemet e dëmtimit në syrin e majtë dhe duket se është në 100% të formës së tij. Më pas mbrojtja është reparti i vetëm që do të pësojë ndryshime. I takon Vrapit të zhvendoset nga krahu i djathtë në qendër, për të formuar dyshen së bashku me Gvozdenoviçin. Në krahun e djathtë do të luajë Ademir Soza, kurse në të majtin Arapi, i cili do të ndihmojë ekipin edhe në fazën sulmuese, duke qenë se Orelesit do t’i kërkohet të jetë më në qendër të mesfushës së bashku me Lilajn. Mesfushori korçar, që ishte i padisponueshëm në ndeshjen kundër Besës, tashmë është gati për t’u rikthyer. Josa e ka provuar formën e tij në ndeshjen e kupës kundër Kamzës. Në krahun e djathtë do të luajë kroati Tomiç, ndërsa dyshja e sulmit do të jetë me të zakonshmit Plaku-Pejiç, që në këtë sfidë do të luajnë si “ish” kundër Flamurtarit.

“Vlonjatëve u bëjmë një pritje super”
Tashmë mund të quhet zyrtare kërkesa e klubit të Flamurtarit për biletat që kërkon të vihen në dispozicion për tifozët që do të vijnë nga Vlora. Këtë e konfirmon edhe vetë drejtori i klubit korçar, Ilirjan Përmeti. Sipas tij, drejtuesit vlonjatë kanë kërkuar rreth 150 bileta. Rivaliteti i madh i këtyre dy viteve të fundit duket se ka vënë në “alarm” klubin e Skënderbeut, pavarësisht se tifozët korçarë kanë deklaruar se do t’i presin si miq vlonjatët, duke harruar kështu mëritë e vjetra. Në një bisedë për “Panorama Sport”, Përmeti ka thënë ndër të tjera se miqve do t’u rezervohet një pritje për t’u mbajtur mend. “Nga ana e klubit të Flamurtarit kemi marrë një kërkesë për rreth 150 bileta në dispozicion. Ne si klub do t’i marrim të gjitha masat e nevojshme për të shmangur qoftë edhe incidentet më të vogla, duke mikpritur tifozët miq si asnjë vend tjetër. Duam që me këtë gjest të tregojmë mikpritjen korçare dhe kulturën e qytetit tonë. I mirëpresim tifozët e Flamurtarit dhe u urojmë atyre shikim të këndshëm të takimit. Le të fitojë më i miri dhe mbi të gjitha futbolli”, – deklaroi dje për gazetën drejtori i klubit bardhekuq.

Bici, ende jashtë grupit
Skënderbeut pritet t’i mungojë në takimin e radhës mbrojtësi lezhjan Ditmar Bici. Ky i fundit ishte duke kaluar një formë të mirë, por u dëmtua në ndeshjen kundër Besës. Edhe dje ai është stërvitur veçmas grupit, duke e bërë më të pamundur rikthimin e tij në fushë për sfidën me vlonjatët. Bici pritet të rikthehet të punojë me grupin ditën e hënë dhe me shumë mundësi do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Kastriotit në transfertë.
LLAZI SARO

Te lidhura me artikullin:

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Sport Online. Moderatori

7 Komente

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *