Ballina, Flamurtari, Kategoria Superiore — 24 Korrik, 2012 14:04

Flamurtari flet me “gjuhën sllave”, Rajoviç dhe Pezo premtojnë trofe

Dy prej të huajve të Flamurtarit, malazezi Bllazho Rajoviç dhe kroati Toni Pezo, shprehin bindjen e tyre se Flamurtari do të arrijë rezultate pozitive në kampionatin e ri. Ishin ndër të parët që nënshkruan një kontratë 1-vjeçare me klubin, duke u rikonfirmuar sërish si titullarë dhe janë po ata që rikonfirmojnë se Flamurtari do të fitojë patjetër trofe në sezonin e ardhshëm me këtë grup lojtarësh që ka në përbërje. Sipas Rajoviçit dhe Pezos, ky kontingjent lojtarësh është siguria e Flamurtarit të së ardhmes. Malazezi Rajoviç, ndërsa shpreh keqardhjen e tij për largimin e Pejiçit, thotë se drejtuesit vlonjatë do të dinë ta mbushin këtë boshllëk. “Flamurtari ka një kontingjent të mirë lojtarësh. Unë shpreh keqardhje për largimin e Pejiçit. Gjithsesi, kjo ishte një zgjedhje e tij. Unë jam optimist se drejtuesit e klubit do të dinë të bëjnë zgjedhjen e tyre, duke marrë lojtarë cilësorë në ekip”. Më tej, Rajoviç shprehet i bindur në arritjen e rezultateve pozitive të Flamurtarit gjatë këtij sezoni të ri. “Flamurtari i ka të gjitha mundësitë që atë që nuk e bëri sezonin e kaluar të mund ta arrijë në këtë sezon. Besoj se ky do të jetë synimi i të gjithëve. Objektivi u arrit me pjesëmarrjen tonë në Ligën e Evropës, por ne nuk duhet që të mjaftohemi me kaq, duhet të kërkojmë më shumë nga vetja. Unë them se ekipit nuk do t’i mungojë mbështetja ime, që së bashku edhe me të gjithë grupin do të mund të arrijmë qëllimin tonë të përbashkët”, përfundon Rajoviç, i cili ka firmosur tashmë një kontratë njëvjeçare për 40 mijë euro me Flamurtarin. Në të njëjtën linjë shprehet edhe një tjetër i huaj i Flamurtarit.
Kroati Toni Pezo shprehet i lumtur që drejtuesit e klubit arritën të ruanin grupin, që sipas tij është fitues i trofeve sezonin e ardhshëm. “Flamurtari ka një grup perfekt që do të mund të arrijë të fitojë trofe sezonin e ardhshëm. Falënderoj drejtuesit e klubit që e ruajtën këtë grup. Unë jam optimist për të ardhmen”. Më tej, kroati Pezo ka thënë: “Kam rënë dakord me të gjitha kushtet e kontratës dhe do të jap maksimumin tim te Flamurtari, pra do të bëj lojën time, nuk do t’i mungojnë ekipit shërbimet e mia. E kam thënë se më pëlqente të rrija të paktën edhe një sezon te Flamurtari”, përfundon Pezo.

Këmbëngulet për Bratiçin
Flamurtari ka vend edhe për një të huaj. Në skenë del sërish emri i Davor Bratiç, që mund të jetë pjesë e Flamurtarit në sezonin e ri. Lojtari aktualisht është pjesë e Skënderbeut. Një fakt të tillë se në ekip ka vend edhe për një të huaj e ka pranuar edhe vetë trajneri Muça. “Tek Flamurtari ka vend edhe për një lojtar të huaj. Nuk është etike që unë të përmend emra, pasi janë nën kontratë me klube të tjera dhe aktualisht luajnë. Klubi dhe unë jemi në unison dhe së shpejti do të shikoni një blerje të goditur, ju premtoj për këtë”, ka përfunduar Muça.

Liçaj, ofertë nga Kastrioti
Ledio Liçaj, lojtari i larguar nga Flamurtari pak ditë më parë, ka tashmë një ofertë konkrete. Liçaj mësohet se ka pasur gjatë këtyre ditëve kontakte nga drejtues të ekipit të Krujës. Diçka të tillë e konfirmon vetë lojtari. “Unë e kam përfunduar kontratën te Flamurtari dhe jam një lojtar i lirë. Kam një ofertë nga Kastrioti i Krujës dhe jam duke e shqyrtuar me kujdes. Po ashtu kam edhe oferta të tjera që jam duke i parë me vëmendje”, thotë Liçaj. Futbollisti e ka lënë të hapur mundësinë që të luajë jashtë Shqipërisë sezonin e ardhshëm.
ERMAL SIKA

Te lidhura me artikullin:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *