Ballina, Flamurtari, Kategoria Superiore — 11 Dhjetor, 2012 14:05

Flamurtari shkarkon Rubion. “Furtunë” në Vlorë, projektohen edhe 4 largime lojtarësh

Hulian Rubio nuk është më trajner i Flamurtarit. Spanjolli i ardhur me bujë në pankinën vlonjate është shkarkuar dje nga detyra, teksa drejtuesit e klubit vendosën të prishin kontratën, për shkak të rezultateve të dobëta të ekipit në këtë periudhë. Në mëngjesin e djeshëm trajnerit iu kërkua një takim urgjent. Në mungesë të kryebashkiakut Shpëtim Gjika, lajmi për vendimin që kishte marrë klubi Rubios iu komunikua nga kryetari i bordit drejtues, Ilir Banushi. Ky i fundit është njëherësh edhe nënkryetar i Bashkisë së Vlorës. Në fakt parashikimet e Rubios ishin për një mbledhje në formë analize, mirëpo drejtuesit kishin marrë vendimin për shkarkimin e tij thuajse që pas ndeshjes me Bylisin. Humbja me ballshiotët vulosi “divorcin”.
Konfirmimi
Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura në ambientet e klubit, kreu i bordit, Ilir Banushi, ishte i shoqëruar nga administratori Geri Çipi dhe drejtori teknik, Ardi Behari. Për mediat Banushi ka konfirmuar edhe motivacionin e shkarkimit të trajnerit spanjoll. “Ne sapo morëm vendimin për ndërprerjen e kontratës me trajnerin Hulian Rubio, duke e shkarkuar atë nga detyra. Ishte një vendim, i cili erdhi për shkak se Flamurtari doli jashtë çdo objektivi të parashikuar në këtë fillimsezoni. E mbyllëm dobët fazën e parë, por gjithashtu humbëm edhe në ndeshjen e kupës ndaj Bylisit. Kështu nuk mund të vazhdohej më, pasi Rubio nuk pati sukses në krye të Flamurtarit. E falënderojmë trajnerin për bashkëpunimin, i urojmë suksese”, – deklaroi kreu i bordit drejtues. Ndërkohë, i pyetur në lidhje me mënyrën se do të zgjidhej kontrata, duke qenë se ajo është prishur në mënyrë të njëanshme nga klubi, Banushi sqaroi: “E kemi prekur shumë pak këtë çështje në takimin me trajnerin. Për problemet financiare ai do të bisedojë me administratorin e klubit, Geri Çipi. Ju konfirmoj se nuk patëm ndonjë kundërshtim nga ana e trajnerit. Mendoj se çdo gjë do të zgjidhet me mirëkuptim. Ne si klub i njohim detyrimet karshi trajnerit”.
Reagimi
Pasi i është komunikuar shkarkimi, trajneri është prerë në fytyrë, edhe sikur e parandiente një vendim të tillë pas debateve me kryebashkiakun Gjika. “Nëse ju e keni vendosur që unë duhet të largohem, atëherë OK. Megjithatë, ky nuk ishte ekipi që unë krijova. U përpoqa të sillja idetë e mia, por edhe ambienti ishte i vështirë. Nëse jam unë e keqja, atëherë po largohem duke respektuar vendimin”, – mësohet se ka thënë Rubio në mbledhje.

Kontrata e spanjollit
Mësohet se trajneri spanjoll, Hulian Rubio, ka firmosur dy kontrata me ish-presidentin e Flamurtarit, Shpëtim Gjika. Një kontratë është depozituar në FSHF, ndërsa tjera është private mes trajnerit dhe kreut të Bashkisë së Vlorës. Tashmë klubi duhet të gjejë një konsensus me spanjollin, pasi ky i fundit mund ta padisë Flamurtarin për prishje të njëanshme të kontratës. Rubio ka nënshkruar për një vit, teksa përfitonte 10 mijë euro në muaj.

Biseda me lojtarët
“Jeni dy ditë pushim, takohemi të mërkurën”. Ky ka qenë kontakti i fundit i trajnerit Hulian Rubio me lojtarët. Mirëpo, shkarkimi i djeshëm i trajnerit natyrisht që i ka habitur futbollistët. Disa prej këtyre të fundit ndoshta kanë qenë në dijeni të asaj që do të ndodhte, por megjithatë dje është vënë re tek lojtarët një shqetësim. “Faji është tërësisht i yni, por në këto raste barra bie mbi trajnerin”, – janë shprehur disa nga lojtarët për gazetën.

Post-largimi, trajneri “zhduket” nga… Vlora
Për të kontaktuar dje me trajnerin Hulian Rubio ka qenë thuajse e pamundur. Madje, edhe përkthyesi i tij ishte i padisponueshëm. Gazeta ka tentuar të kontaktonte direkt me spanjollin, por ky i fundit për momentin nuk ka dashur të japë një reagim të plotë në lidhje me largimin nga Flamurtari. Nga sa mësohet, Rubio është larguar që dje nga qyteti i Vlorës. As automjeti i tij nuk është parë të jetë i parkuar poshtë pallatit ku banonte në qytetin bregdetar. Madje, nga ato që raportojnë edhe banorët e apartamentit ku ka jetuar këtë periudhë Rubio, dyert dhe dritaret dje kanë qëndruar të mbyllura. Për të qenë i qetë, spanjolli duket se është larguar menjëherë drejt kryeqytetit së bashku me përkthyesin e tij. Ndoshta sot ai do të jetë në Vlorë për të bërë edhe një bisedë të fundit me drejtuesit e klubit.

Polemikat me kryebashkiakun, trajneri mbrojti futbollistët
Shpërthimi i kryebashkiakut Shpëtim Gjika në dhomat e zhveshjes këtë herë ka kulmuar me një debat me tone të larta mes tij dhe trajnerit Hulian Rubio. “Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Për sa vite kemi te Flamurtari, asnjëherë Gjika nuk ka debatuar me trajnerin në sy të lojtarëve”, – tregojnë për “Panorama Sport” burime të sigurta pranë skuadrës kuqezi. Pasi është futur në dhomat e zhveshjes, i shoqëruar nga administratori i klubit, Geri Çipi, Gjika menjëherë ka shfryrë kundër lojtarëve dhe trajnerit. Mirëpo, kur priste të dëgjonte argumente nga spanjolli për humbjen ndaj Bylisit, kryebashkiaku hasi në një rezistencë të trajnerit. Ky i fundit u doli në mbrojtje futbollistëve, duke i shfajësuar për dështimin. “Nuk ke çfarë t’u thuash lojtarëve, ata bënë maksimumin sot. Bylisi erdhi një herë në portë dhe na shënoi. Duhet të dish se në çfarë kushtet po luajmë, fusha është në një gjendje shumë të vështirë”, – mësohet t’i ketë thënë Rubio ish-presidentit Gjika, ndërkohë që më parë ky kishte kërkuar llogari për dështimin. “Çfarë ishte kjo lojë? Po ky formacion? A mban përgjegjësi për këtë ndeshje”, – tha Gjika ndër të tjera.
Një pjesë e debatit mes Gjikës dhe Rubios
Kryebashkiaku Shpëtim Gjika futet i irrituar në dhomat e zhveshjes, i shoqëruar nga administratori i klubit, Geri Çipi. Fillimisht iu drejtua skuadrës dhe më pas pati një debat me trajnerin Hulian Rubio për humbjen ndaj Bylisit.
Gjika i drejtohet ekipit: “Çfarë ishte kjo lojë e turpshme?”.
I pari reagon Rubio: “President, djemve nuk ke çfarë t’u thuash asgjë, pasi sot ata nuk kishin faj. Bënë maksimumin e tyre. Bylisi na erdhi një herë në portë dhe na shënoi”.
Gjika replikon direkt: “Po ju zotëri a mbani përgjegjësi që e ndërtoni në këtë mënyrë formacionin dhe nuk merrni dot asnjë pikë?”
Rubio përgjigjet: “OK, ky është mendimi juaj, por duhet të dish në çfarë kushtesh po luajmë. Në këtë fushë mos kërkoni më shumë”.
Gjika: “Jo, jo nuk është arsye kjo. Kam shumë ditë që po e dëgjoj. Ju dhe lojtarët nuk po justifikoni asgjë”.
Rubio mundohet ta qetësojë Gjikën: “Po bëjmë gjithçka për t’u bindur. Sot lojtarët nuk ke çfarë t’u thuash”.

Kronologjia e trajnerit në Shqipëri
1. Në muajin korrik të vitit 2011, trajneri spanjoll Hulian Rubio prezantohet tek Tirana, teksa firmos një kontratë 1- vjeçare me presidentin Refik Halili. Ai përfitonte 6 mijë euro në muaj.
2. Debuton në pankinën bardheblu ndaj Spartak Tërnavës, ndeshje e vlefshme për Ligën e Europës. Takimi i parë përfundoi 0-0, ndërsa ai i kthimit në Sllovaki 3-1 për vendësit. Tirana u eliminua.
3. Më 19 gusht Rubio fiton trofeun e parë si trajner i Tiranës, teksa në Superkupën e Shqipërisë kundër Skënderbeut bardheblutë fituan 1-0 në Korçë, në një ndeshje të tensionuar.
4. Në vitin e tij të parë si trajner i Tiranës skuadra bardheblu e mbyll kampionatin në vend të tretë me 53 pikë. Me spanjollin në drejtim, Tirana mori 16 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje.
5. Më 17 maj të këtij viti, Rubio fitoi Kupën e Shqipërisë si trajner i Tiranës, teksa në finale mposhti 1-0 Skënderbeun. Më pas, ai fiton Superkupën e Shqipërisë, duke mposhtur 2-1 Skënderbeun, pikërisht më 20 gusht të këtij viti.
6. Në ndeshjen hapëse të sezonit 2012-2013, Rubio e drejton Tiranën nga tribuna, teksa fiton në Berat 1-0. Trajneri nuk arrin një marrëveshje me drejtuesit e klubit bardheblu për kontratën dhe largohet nga detyra në fundin e muajit gusht.
7. Më 30 gusht të këtij viti merr drejtimin e Flamurtarit, duke firmosur një kontratë 1-vjeçare për 100 mijë euro. Një ditë më pas ai debuton zyrtarisht në pankinë, teksa vlonjatët humbasin në fushën e vet ndaj Laçit, me rezultatin minimal 0-1.
8. Pas 17 ndeshjesh nën drejtimin e Flamurtarit (këtu përfshihet kampionati dhe kupa), Rubio shkarkohet nga klubi vlonjat. Takimi i fundit që spanjolli drejtoi skuadrën kuqezi ishte ai ndaj Bylisit, i vlefshëm për Kupën e Shqipërisë, ku humbi 0-1.

“Çmenduria” e klubit, 135 mijë euro vetëm për dy trajnerë
Një vit, tre trajnerë të larguar dhe 135 mijë euro kosto. Klubi i Flamurtarit ka shpenzuar shuma marramendëse gjatë vitit të fundit. Gjithçka nisi në fund të vitit 2011, kur u shkarkua nga detyra trajneri Edmond Lutaj. Ky i fundit, për prishje të njëanshme të kontratës, deklaroi se do ta kalonte çështjen në FIFA. Më pas, klubi vlonjat emëroi në pankinë Shkëlqim Muçën, i cili mbylli sezonin 2011-2012, në të cilin Flamurtari realizoi objektivin minimal: pjesëmarrje në Ligën e Europës. Pasi e startoi me Muçën në pankinë këtë sezon, ish-presidenti Shpëtim Gjika vendosi ta shkarkonte pas barazimit 1-1 me Bylisin. Në javën e dytë të kampionatit, si trajner te Flamurtari u emërua spanjolli Hulian Rubio. Mirëpo, nuk kaluan as 13 javë në drejtimin e tij dhe klubi kuqezi vendosi ta shkarkojë. Në këto kushte, kostoja financiare për shkarkimin e trajnerëve duket vërtet e frikshme. Për momentin ish-trajneri kuqezi, Muça, ka një padi të hapur ndaj klubit vlonjat në FSHF, pasi kërkon detyrimet pas prishjes së kontratës. Tashmë nuk dihet sesi do të zgjidhet marrëveshja me Rubion, i cili sipas të gjitha gjasave do të kërkojë të paguhet deri në fund të kontratës. Megjithatë, nga ana e klubit është thënë se do të gjendet një konsensus me trajnerin për kontratën.

Ardi Behari favorit, por mund të rikthehet Magani
Ardi Behari, aktualisht drejtor teknik i ekipit, dhe Gugash Magani, që momentalisht është pa skuadër, janë dy kandidaturat e përfolura për të marrë drejtimin e Flamurtarit. Nga burime të rezervuara në klubin vlonjat mësohet se në “pole-position” është emri i Beharit. Ky i fundit gëzon besimin absolut të kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Ish-presidenti kuqezi pritet që këtë herë të bëjë një zgjedhje brenda familjes. Megjithatë, nisur edhe nga e kaluara e mirë e peqinasit Magani në Vlorë, nuk është çudi që të ketë një rikthim. Mësohet se për Maganin interesohet edhe klubi i Teutës, madje flitet se është arritur edhe një akord mes palëve, por zyrtarisht nuk është konfirmuar asgjë. Sot pritet të ketë diçka konkrete për çështjen e trajnerit të ri kuqezi. Të tjerët – Edhe emrat e Agim Canajt dhe Shpëtim Duros kanë qarkulluar jo pak dje në Vlorë. Zëra pranë klubit tregojnë për gazetën se vlonjati Canaj është një alternativë, gjithnjë nëse bien poshtë pistat për Beharin dhe Maganin. Po dje ndërkaq është folur jo pak për Duron, i cili në fakt u rikonfirmua në stolin e Vllaznisë. Kujtojmë që Duro është një dëshirë e vjetër e kryebashkiakut Gjika, por tashmë çështja duket e komplikuar për shkak se trajneri tiranas nuk e ka prishur kontratën me Vllazninë. Opinioni sportiv në Vlorë kërkon një trajner që ka pasur sukses në të kaluarën me Flamurtarin, ndërkohë që drejtuesit janë disi të lëkundur për t’ia besuar stolin një vendësi.

“Furtunë” në Vlorë, projektohen 4 largime
‘Furtunë” në Vlorë. Klubi i Flamurtarit pritet të largojë të paktën 4 futbollistë. Shkarkimi i trajnerit Hulian Rubio ishte vetëm vendimi i parë i një sërë ndryshimesh që do të ketë në skuadër gjatë merkatos së janarit. Kur mbeten për t’u luajtur edhe dy ndeshje të Kupës së Shqipërisë për këtë vit kalendarik, drejtuesit janë gati të marrin masat edhe për lojtarët. Një fakt i tillë paralajmërohet edhe nga kryetari i bordit drejtues të klubit, Ilir Banushi. Pritet që sot drejtuesit të zhvillojnë një takim me futbollistët, për të diskutuar rreth rezultateve negative, por edhe për të ardhmen e ekipit. Duke qenë se skuadra është ende në aktivitet, në klub ngurrojnë të japin zyrtarisht emra lojtarësh, që rrezikojnë të largohen. Megjithatë, “Panorama Sport” ka zbuluar se katër prej tyre janë më të rrezikuarit. Bëhet fjalë për portierin Enea Koliçi, si dhe mesfushorët e huaj: Toni Pezo, Petar Vukçeviç dhe Rafael Soza. Në dy ndeshjet e fundit ka rënë në sy mosaktivizimi si titullar i Koliçit. Kjo ka qenë vetëm shenja e parë, ndërkohë që për Pezon, Vukçeviçin dhe Sozën, u bë kohë që përflitet se mund të largohen. Mesfushori kroat ka vuajtur shpesh dëmtimet, ashtu si edhe malazezi. Ky i fundit u pëlqye në prezantimet e para me fanellën kuqezi, por më pas drejtuesit kanë mbetur të pakënaqur nga Vukçeviç. Nga ana tjetër, duket fakt i kryer largimi i argjentinasit Soza. Problemet e shpeshta shëndetësore, por edhe forma e dobët që ai ka shfaqur sa herë është aktivizuar si titullar, ka bërë që të humbasë durimi në klubin kuqezi. Për më tepër, lojtarët e sipërpërmendur kanë kontrata të majme dhe drejtuesit po mendojnë që t’i minimizojnë shpenzimet me largimet e tyre, në mënyrë që në janar të bëjnë blerje cilësore. Gjithsesi, një çështje më vete do të jetë zgjidhja e marrëveshjeve, por mendohet se do të ketë konsensus.
ERMAL SIKA

Te lidhura me artikullin:

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Sport Online. Moderatori

4 Komente

  • Ky Gjika eshte i pajekur dhe i paedukuar

    Nuk kritikohet trajneri ne sy te lojtareve, dhe duhet thene se ne kete ndeshje lozen mire , pavaresisht rezultatit

    Por edhe nqs ke ndermend ta pushosh tjetrin , eshte mire ta marresh vecmas e te bisedosh me te ne emnyre te qete dhe te civilizuar -

    —–Dmth edhe nqs nuk te pelqen puna e tjetrit duhet qe ta kritikosh me ton te qete dhe me kulture dhe duke e marre vec pa pranine e te tjereve
    , se jetojme ne nje kohe moderne dhe ne nje kontinent modern

    Eshte e turpeshme te humbesh arsyen kur ti pushon dike nga puna__

    Turp ti vije Shpetim Gjikes , edhe nqs e drejta eshte ne anen e tij ,
    sjellja e tij eshte tamam si harbut _

    Aty ka presidente klubesh qe harxhojne miliona dollare dhe humbasin ndeshjet, e megjtihate kur i komunikojne trajnerit pushimin nga puna
    kane sjellje xhentile , dhe komunikojne ne menyre civile, jo te komunikojne
    si halabak sic ben Shpetim Gjika

  • Keto puce Gjikes ja bejne Vlonjatet per te marre drejtimin e skuadres. Ne qofte se ai eshte i zoti te zgjedhe lojtar nuk eshte i zoti te zgjedhe staf drejtus. Prandaj e kemi te keqen brenda jo te federata dhe arbitrat.

  • –skishin asnje fakt edhe kete here kunder skenderbeut dhe federates-pasi ata ishin larg -madje shume larg nga vlora–madje spaten asnje mundesi ta nxirnin te paregullt golin-fantastik te bylisit -dhe -me ne fund gjika e kompani e vendosen–shkerdhene -rubjon dhe -vehten–…–nje fund i tille i priste–pas deshtimit shperfytyrues te fundit-……

  • Nuk jam dakort me spartanin: sepse fajin e pare e ka FSHF qe lejoi te binte shume shi ne vlore dhe fajin e dyte e ka Skenderbeu qe i tha lojtareve te Bylisit te fitonin si zakonisht ne Vlore. Ai arbitri ishte i njeanshen dhe te shpallet i “padeshirushem” ne vlore, sepse kemi thene c’do gol kunder Flamurtarit eshte ofsajt. Me kete te fundit eshte dakort edhe Rajmondi besoj

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *