Ballina, Kategoria Superiore, Teuta — 14 Korrik, 2012 14:00

Altin Hoxha justifikohet: Teuta s’mund të bënte më shumë ndaj Metalurgut

Humbja me shifra të thella e Teutës ndaj Metalurg Rustavit ka bërë që kampi durrsak t’i bëjë një analizë të imtësishme ndeshjes. Pas përfundimit të takimit, lojtarët durrsakë janë kritikuar ashpër jo vetëm nga drejtues të klubit, por edhe nga tifozët, të cilët i kanë quajtur të paaftë për të luajtur në nivele të tilla. Në 180 minuta lojë, ekipi durrsak pësoi plot 9 gola dhe arriti të shënojë vetëm 1. Kjo tregon se ekipi nuk ka funksionuar mirë në të gjitha repartet. Megjithëse nuk pritej ndonjë paraqitje e jashtëzakonshme e “djemve të detit” në Gjeorgji, pak njerëz kishin menduar se ata do të shpërfytyroheshin ashtu. Por, për bregdetarët kaq ishte Evropa dhe tashmë do t’i futen punës për të qenë në të njëjtin nivel që ishin edhe sezonin e shkuar, ku pretenduan deri në javën e fundit për të fituar titullin kampion. Pasditen e sotme Teuta do të zbresë në qendrën e saj stërvitore për të vijuar fazën përgatitore. “Ishim të vetëdijshëm që nuk mund të bënim dot më shumë se kaq. Kundërshtari ishte i një tjetër niveli dhe bëri diferencën në fushë. Sigurisht që nuk jemi të kënaqur, por le ta harrojmë sa më shpejt këtë zhgënjim dhe t’i futemi punës për sezonin e ardhshëm. Shpresoj që edhe këtë sezon Teuta të jetë pretendente për titull kampion”, – deklaroi mesfushori Altin Hoxha. Durrsakët duan ta harrojnë sa më shpejt zhgënjimin në Europa Ligë dhe do të mundohen që ta nisin sa më mirë sezonin e ri. Dhe për këtë pritet që ekipi të ribëhet nga e para. Burime konfidenciale pohojnë se në kampin durrsak do të ketë ndryshime. Gjatë ditëve në vijim pritet që ekipit t’i bashkohen edhe lojtarë të tjerë, por për momentin nuk bëhen publikë emrat. Rikthimi i Tahirit dhe rikuperimi i Yshmerit e plotësojnë disi skuadrën, por flitet që në të do të vijë edhe një goleador. Dy lojtarët e sipërpërmendur mbajtën një peshë të madhe sezonin e shkuar dhe e ndihmuan skuadrën për të qenë pretendente serioze për t’u shpallur kampione.

Durrsakët, gati për përforcime
Pasi i kanë dhënë fund aventurës në Evropë, klubi durrsak ka vendosur të mendojë për sezonin e ri futbollistik. Skuadra do nisë sot përgatitjet për edicionin që do të fillojë, ndërkohë që drejtuesit po mendojnë për të bërë përforcime cilësore. Objektivi i durrsakëve do të jetë që të renditen sërish mes tri vendeve të para, pse jo të pretendojnë me të njëjtin ritëm për titullin kampion. Momentalisht, objektivi kryesor në merkato është ardhja e një sulmuesi, duke qenë se Çota e Pepa, dyshja e edicionit të kaluar, tashmë e ka zyrtarizuar largimin nga klubi.
Leonidha Musaj

Te lidhura me artikullin:

1 Koment

  • ——–PO JU SIKUR KISHIT SHPRESA PER KUALIFIKIMI ZOTRINJ TE NDERUAR DURSAKE–BILE E TEPRUAT EDHE NE INTERVISTET TUAJA–KUR THONIT SE TEUTA JUAJ KA KAPUR GABIMET E NDESHJES SE PARE(0-3)DHE NUK DO TI PERSERISE NE TAKIMIN E ARDHSHEM……SI KESHTU–HENGRET —6—ME FALNI 9—GOLA GJITHSEJ–DHE SJENI NGOPUR AKOMA ME —LLOGJE -KAVAJE–SI THOTE POPULLI??????????MJAFT ME –KUR E DINI SE SA VLENI–TE PAKTEN MOS U PRISHNI PUNE ATYRE SKUADRAVE-QE MUND TE JAPIN ME SHUME.KY ISHTE NJE TURP I JUAJI-NJE DESHTIM KOMPLET –QE DO SHUME VITE TE —HARROHET—-.POR A DO TE HARROHET VERTET KJO DISFATE PER SHUME VJET??????????

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *