Ballina, Kategoria Superiore, Tirana — 17 Qershor, 2012 13:55

Gilman Lika “zgjedh” Maltën për Evropën: Dy ture i kalojmë pa problem

Na ndan veçse një javë nga shorti i kompeticionit evropian. Për Tiranën ende nuk njihet kundërshtari, ndonëse pritet që shorti ta vendosë përballë me ekipe të shteteve të vogla. Gjithkush mund ta ketë një ide, apo dëshirë në mendje për rivalin, sikundër edhe Gilman Lika. Duke qenë se e njeh pak a shumë futbollin maltez, ai shpreson që në turin e parë të ndeshen pikërisht me një ekip nga Malta. Mesfushori shkodran, pa dyshim një ndër më të mirët për bardheblutë në edicionin e fundit, në një intervistë të dhënë për gazetën, ka komentuar jo vetëm Evropën, por edhe përgatitoren, merkaton e klubit, apo edhe atë në planin personal.
Tirana ka nisur përgatitjet, si i duket Gilmanit atmosfera në këto ditë të para?
Përgjithësisht pozitive. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë, ndonëse po të kishim filluar më herët, më mirë do të ishte. Grupi ende nuk është formatuar, pavarësisht se janë realizuar dy blerje.
Si e parashikoni Tiranën e sezonit të ri?
Janë bërë dy afrime dhe nuk janë pak si fillim, pasi merkatoja ende s’është hapur zyrtarisht. Klubi dhe stafi teknik ka synime të qarta, do të përforcojë grupin ndjeshëm, sidomos stolin. Kemi vuajtur shumë në këtë drejtim dhe, pikërisht për këtë arsye, duhet të blindohet stoli.
Më datë 25 qershor hidhet shorti i Ligës së Evropës. A ka ndonjë preferencë Lika për kundërshtarin?
Emër sigurisht që nuk mund të them, megjithëse një dëshirë për vendin e kam. Do të doja shumë një ekip maltez. Mendoj se kjo do të na i lehtësojë së tepërmi objektivat. Nuk janë tepër të fortë, dhe kësisoj mund t’ia dalim.
Çfarë synimesh janë për Evropën?
Sigurisht, kalimi i dy tureve. Në të parin s’do ta kemi fort të lehtë, për vetë gjendjen e ekipit, që s’ka shumë që ka ardhur nga pushimet. Ndërsa në të dytin, jam i bindur se do ta rimarrim veten.
Tirana ka tri vite pa fituar titullin, mendoni se ka ardhur koha që ky objektiv të realizohet?
Pa dyshim, pasi për Tiranën të rri tri vite pa këtë trofe është dramatike. Këtë sezon pa asnjë dyshim titulli do të jetë yni.
Kontrata juaj skadon në janar të 2013-ës, e mendon rinovimin Lika?
Pse jo, të luash me Tiranën është nder. Vetëm ndonjë ofertë jashtë vendit do të më tundonte (qesh). Megjithatë, të flasim hapur: fillimisht duhet të bisedoj me klubin dhe më pas të shohim.

PËRGATITORJA
Tirana dje ka mbyllur ciklin e parë të përgatitjeve nën drejtimin e Sokol Bulkut. Seanca e fundit u zhvillua sërish nga liqeni, por gjatë paradites. Vrapi ka dominuar gjatë këtyre ditëve, për të rifilluar vetëm të hënën me punën në fushë. Me kthimin e Rubios ekipi do të zhvendoset në kompleksin “Skënder Halili”. Ndonëse mendohet që bardheblutë të shkojnë për disa ditë drejt Pogradecit.

TRATATIVAT
Muçollari është në pritje të një telefonate nga klubi bardheblu. Bisedimet me lojtarin kanë mbetur pezull, si pasojë e mungesës së administratorit Tagani. Mirëpo, ai kthehet nesër, kësisoj si me mesfushorin, edhe me Teqjan do të vijojnë tratativat. Klubi ka dalë hapur duke shprehur interesin që ka për këto dy elemente, porse zyrtarizimi mbetet për t’u parë.

SPANJOLLI
Hulian Rubio është kthyer në Shqipëri mbrëmë në orët e vona, këtë herë për të nisur zyrtarisht punën. Ai ka ardhur vetë i dytë, pasi siç dihet është shoqëruar nga një përgatitës atletik, edhe ai spanjoll. Pas së dielës pushim, tekniku nesër do të vendosë në zbatim projektin për përgatitoren evropiane. Mirëpo këto ditë do të jenë intensive edhe për tratativa në merkato.
ADELA MERKO

Te lidhura me artikullin:

1 Koment

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *