Për trajnerin e Apolonisë, Ernest Gjoka, edhe pse skuadra ka një pamje ndryshe, përsëri nuk është i kënaqur. Sipas tij, barometri për të matur forcën e ekipit do të jenë ndeshjet e kampionatit. “Nuk duhet të flasim përpara kohe dhe të bëjmë premtime të shumta kur jemi të ndërgjegjshëm dhe e dimë mirë se nuk mund t’i realizojmë ato pavarësisht dëshirës apo ambicies që kemi”, u shpreh tekniku. Duke folur për skuadrën që drejton, Gjoka do të shprehej: “Tashmë e kemi krijuar grupin dhe po punojmë pa fjalë, por me intensitet maksimal e me ngarkesa në rritje për t’u përgatitur sa më mirë për sezonin e ri. Ndoshta ndryshe nga ekipet e tjera, ne në merkaton e kësaj periudhe nuk u munduam të afronim lojtarë me emër. Kjo pasi filozofia jonë është se grupin nuk e bëjnë lojtarët me emër. Edhe pse mund të kesh 11 yje në skuadër, nuk mund të kesh grup. Ndërkohë që me kujdes jemi munduar dhe po punojmë që të krijojmë një grup të harmonizuar, ku të gjithë të kontribuojnë dhe ku individët të gjejnë vetveten dhe të shfaqin si duhet vlerat e tyre. Pa dyshim ne nuk e mohojmë rolin e individit, por kur ata bëhen njësh me grupin, atëherë dhe skuadra do të jetë më e suksesshme. Kjo ka bërë që në merkaton e tanishme ne të afrojmë edhe lojtarë me moshë të re por të talentuar, si Jakupi, Vukler etj., por edhe futbollistë si Çela apo Çaushaj, që do të dinë të mbajnë një peshë jo të vogël në ekip”. Kur pyet për objektivat që do të ketë Apolonia në sezonin e ri, trajneri Gjoka nuk rrëshqet lehtë por përpiqet me diplomaci dhe me vendosmëri që me pak fjalë të shpjegojë gjithçka. “Unë dhe klubi kemi një projekt afatgjatë të cilin unë e lashë përgjysmë para dy vitesh, kur drejtoja këtë skuadër. Në këtë sezon synimi ynë është që të bëjmë një paraqitje dinjitoze dhe të mos përfshihemi në luftën e mbijetesës duke u renditur në mesin e artë. E rëndësishme është që në këtë sezon të ri ju do të shikoni një Apoloni tjetër nga ajo që është parë deri më sot, me më shumë ego dhe më shumë karakter. Megjithatë, të mos flasim më shumë sesa na takon dhe përpara kohe. Më mirë t’ia lëmë gjërat kohës dhe të flasim hap pas hapi për të mos i mërzitur tifozët tanë”, ka përfunduar tekniku.
Tekniku, i kënaqur nga të afruarit
Duke iu referuar stërvitjes së skuadrës së tij gjatë ditëve të qëndrimit në Pogradec, tekniku shprehet i kënaqur nga të besuarit e tij. “Po punojnë si profesionistë të vërtetë me disiplinë, seriozitet dhe impenjim maksimal. Të gjithë lojtarët kanë rritje dhe kjo duket nga testet e ndryshme që ne kemi zhvilluar. Megjithatë, keni ende shumë punë për të bërë me kohën që kemi në dispozicion, në mënyrë që të përmirësohemi sa më shumë si grup. E rëndësishme është që futbollistët tanë janë të ndërgjegjshëm dhe po punojnë me vullnet. Gjithashtu po kërkojmë harmoni sa më të mirë të grupit dhe injektimin e një mentaliteti fitues”.
Mikel Mbriçaj


Berisha, legjenda e Partizanit që punon si shofer ambulance