VASLUI-SKËNDERBEU 1-0
Formacioni i pjesës së parë
NË PORTË: Shehi;
NË MBROJTJE: Radas, Bici, Vrapi, Arapi;
NË MESFUSHË: Plaku, Biskup, Vucaj, Allmuça;
NË SULM: Kuli, Xhafaj;
SKEMA: 4-4-1-1
Formacioni i pjesës së dytë
NË PORTË: Shehi;
NË MBROJTJE: Fagu, Radas, Bici, Vrapi;
NË MESFUSHË: Kërçiku, Bratiç, Vucaj, Dimo;
NË SULM: Tahirllari, Topalli;
SKEMA: 4-4-2
Skënderbeu ka humbur 1-0 në miqësoren e dytë, të zhvilluar dje në Austri. Korçarët kishin përballë një ndër skuadrat elitare rumune, FC Vasliu. Në fakt, sipas informacioneve që vijnë nga kampi korçar, është luajtur pak futboll. Kjo, për faktin se gjatë gjithë 90 minutëshit ka rënë një shi i dendur, që shpesh e ka bërë të pamundur qarkullimin normal të topit. Në 45 minutat e para gjithçka ka qenë e ekuilibruar. Goli i rumunëve ka ardhur në limitin e pjesës së parë. Në ndryshim nga miqësorja e zhvilluar ndaj gjeorgjianëve të Torpedos, dje trajneri Levi kishte hedhur në fushë një tjetër formacion. Binte në sy aktivizimi nga minuta e parë i të dy lojtarëve të afruar së fundmi: Vucajt dhe Kulit. Ndërkohë, në mungesë të Muzakës (ende nuk e ka marrë veten nga dëmtimi që pësoi në fundin e kampionatit) luajti Plaku. Ky i fundit ishte në rolin e një sulmuesi të maskuar, duke vepruar më shumë nga krahu i djathtë. Në majë të sulmit ishte i zakonshmi Xhafaj që, këtë herë, mbështetej nga Kuli. Nga ana tjetër, rolin e fantazistit e bëri shkodrani Vucaj. Në pjesën e dytë Levi kreu disa zëvendësime, por rezultati mbeti i pandryshuar. Ndërkohë, miqësorja e radhës e Skënderbeut do të luhet më 23 qershor ndaj skuadrës sllovake, Kosice. Më pas është programuar që kampionët e Shqipërisë të luajnë edhe ndaj Legias së Varshavës dhe Riedit. Pra, bardhekuqtë do të zhvillojnë 5 miqësore në tokën austriake.
Skënderbeu, blerjet varen nga shorti
Merkatoja e Skënderbeut varet nga shorti i Ligës së Kampioneve. Drejtuesit e klubit korçar, pasi të mësojnë emrin e kundërshtarit për ndeshjet e turit të dytë paraeliminator, më pas do të vendosin për blerjet që do të bëjnë. “Synimi madhor është kalimi i turit të dytë. Megjithatë, për ta bërë këtë realitet, së pari duhet fat në short. Nëse përballë do të kemi një skuadër që është deridiku e kalueshme, atëherë do të hidhemi në sulm për të bërë së paku tri goditje të mëdha në merkato. Bëhet fjalë për lojtarë, të cilët janë shumë më të mirë se ata që ka aktualisht skuadra. Sigurisht kjo ka një kosto të madhe për ne por, nga ana tjetër, na jep garanci për kalimin e turit. Blerjet nuk do të jenë vetëm për Evropën, por për gjithë sezonin”, – tregon për “Panorama Sport” një burim i sigurt pranë kreut të klubit korçar. Tashmë drejtuesit e Skënderbeut presin datën 25 qershor, kur dhe UEFA do të hedhë shortin. Nëse Skënderbeu do të ketë përballë ekipe të nivelit të lartë, korçarët pritet të “dorëzohen”. Kjo do të thotë se nuk do të ketë blerje “big”. Drejtuesit mësohet se janë të bindur që duke ruajtur grupin e lojtarëve, Skënderbeu i tyre do të jetë sërish pretendenti numër një për titullin kampion. Liga e Kampioneve është ajo që intrigon krerët e klubit për bërë sakrifica ekonomike, me synimin e kalimit të një turi. Trajneri – Stanislav Levi është i qartë në kërkesat e tij për Skënderbeun e sezonit të ardhshëm. “Për të qenë të kompletuar na duhet një mbrojtës qendre, një mesfushor qendre, si dhe një sulmues tipik golashënues. Me këto tri afrime jemi OK për vazhdimësinë”, – mësohet se është shprehur Levi gjatë takimit që ka pasur pak javë më parë me presidentin Agim Zeqo. Skënderbeu synon tri blerje shumë të rëndësishme, jo thjesht për të plotësuar skuadrën. “Na duhen tre lojtarë cilësorë, që të janë edhe më të mirë se këta që kemi. Nuk kemi nevojë për lojtarë të një niveli. Dua futbollistë që bëjnë diferencën”, – ka thënë ndër të tjera trajneri i korçarëve gjatë bisedës me kreun e klubit.
PREMTIMI
Përpara se të mbyllej kampionati, presidenti Agim Zeqo u premtoi lojtarëve se do të ruajë 90% të grupit edhe për sezonin e ardhshëm. Deri më tani nga Skënderbeu janë larguar vetëm dy lojtarë. Bëhet fjalë për brazilianët Da Silva dhe Ribeiro, të cilët kishin pak hapësira në skuadër. Nuk përjashtohet mundësia që pas Ligës së Kampioneve të ketë të tjera largime nga ekipi.
JORGIS MEMO


Kur arbitrat shqiptarë sillen si pasha
KF Skëndërbeu duhet të kenë një përfocim më të mirë të ekipës për fillimin e ndeshjeve kualifikuese të Ligës së Kampionëve, të cilat ndeshje nuk janë shumë largë për të fullu, mendoj që gjithashtu duhet të ngriten më tepër ulëse në tribinat e stadionit të KF Skënderbeut për ndeshjet e Ligës së Kampionëve gjat sezonës 2012-2013, kështu që tribinat e stadionit mund të pranojnë më tepër shikues për të përcjell ndeshjet e futbollit të ekipës vendase, KF Skënderbeut.