Flamurtari udhëton drejt Budapestit për t’u kualifikuar dhe për të arritur një rezultat pozitiv. Të paktën në këtë linjë ecën trajneri Shkëlqim Muça, bindja e të cilit ndahet në dy momente: e para, se kundërshtarin e njeh që nga ndeshja e parë e luajtur në Vlorë dhe e dyta, se ekipi ka pasur një formë të mirë si nga ana taktike, ashtu edhe nga ajo teknike gjatë stërvitjeve të fundit. Mjafton kaq, sipas Muçës, për të besuar se në Budapest do të shihet një skuadër tjetër, e cila ka mësuar nga gabimet që bëri në takimin e parë si në mbrojtje (një gabim, një gol të pësuar), por edhe në sulm (shpërdoroi raste pafund).
Deklarata - “Në ndeshjen e radhës ne do të shkojmë të bëjmë lojën tonë pa pasur atë ide fikse në kokë se jemi të skualifikuar pasi kemi humbur takimin e parë. Jo, ne do futemi në fushë sikur të luanim një finale teke, nga e cila duhet të marrim me patjetër fitoren. Duhet ta sfidojmë kundërshtarin me një lojë të bukur. Asgjë nuk ka mbaruar pasi, ashtu sikundër na surprizuan ata në Vlorë, të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe ne në Budapest. Unë premtoj se do të bëjmë më të mirën dhe them se do të zhvillojmë një lojë të bukur. Ne kemi të veçantat tona si skuadër ashtu sikundër edhe kundërshtari, por nuk jemi aspak inferiorë kundrejt tyre”, – ka pohuar fillimisht trajneri i Flamurtarit.
Humbja – Më tej Shkëlqim Muça thekson se rezultati 1-0 në Vlorë nuk duhet parë si dramatik pasi, të paktën teorikisht, është më se i rikuperueshëm në ndeshjen e kthimit. “Shpresojmë në kualifikim. Shanset janë të barabarta. Nëse ata (Honvedi) ecin me idenë se kanë fituar takimin e parë dhe janë më të favorizuar, kjo nuk na bën ne që të stepemi. Unë personalisht besoj tek ekipi im”, – shprehet Muça. Sakaq, ai ndalet sërish në një analizë të humbjes në takimin e parë dhe thotë se Flamurtari humbi në një moment që nuk e priste. “Krijuam lojë, krijuam raste, kundërshtari shënoi një gol të rastësishëm në një moment që nuk e prisnim. Ky është futbolli, nuk ka asgjë dramatike”, – ka pohuar tekniku.
Problematika – Ndërkohë, nuk duhet lënë pas edhe një fakt i rëndësishëm, ndonëse i konsideruar si pa efekte negative nga tekniku Muça dhe drejtuesit e klubit: dënimet ndaj dy lojtarëve, Gerhard Prognit dhe Gentian Muças. Pas ndeshjes së parë ndaj Honvedit, të dy futbollistët (i pari luajti titullar) u dënuan nga drejtuesit e klubit me pezullim deri pas ndeshjeve të Ligës së Evropës, por që të dy preferuan që të largoheshin përfundimisht nga skuadra e Flamurtarit.
Formacioni kuqezi, ndaj Honvedit me “tredhëmbësh”
Një Flamurtar që nuk ka se çfarë të humbasë, kështu që ndaj Honvedit në ndeshjen e kthimit, nisur edhe nga humbja minimale në Vlorë në takimin e parë, do të luajë i gjithi në sulm. Pikë së pari nuk do të mungojë nga minuta e parë aktivizimi i sulmuesit të ardhur vetëm para më pak se një muaji te vlonjatët, Migen Memelli. Trajneri Muça do t’i besojë një fanellë titullari, edhe pse lojtari nuk është ende në formën e vet më të mirë. Përkrah Memellit do të jetë i përhershmi Pero Pejiç, ndër më të mirët edhe në ndeshjen e parë në Vlorë. Ndërkohë, nga minuta e parë do të luajë edhe argjentinasi Rafael Soza, i cili faktikisht do ketë edhe disa detyra mbrojtëse, pasi do të luajë disa metra pas dy sulmuesve në të majtë të mesfushës së kuqezinjve. Me organizmin e lojës do të merret si gjithnjë Nijas Lena, ndërsa muskuj e frymë pa hesap pritet të japin Telushi e Pezo. Ky i fundit do të ketë detyra strikte mbrojtëse dhe jo pa qëllim është lënë para mbrojtjes. Edhe në repartin defensiv ka risi, pasi është rikthyer Rajoviç (ishte i pezulluar për shkak të një kartoni që kishte marrë dy vite më parë kur luante në Ligën e Evropës me fanellën e Vllaznisë), aktivizimi i të cilit ul në stol Julain Brahjen. Sa i përket qendrës, aty do të luajë edhe Franc Veliu, kurse në të majtë e ka fituar tashmë vendin e titullarit Glendi Mici. Balotazh në krahun e djathtë, ku luftojnë për një vend titullari kapiteni Artan Sakaj dhe Polizoi Arbri, me këtë të fundit disi më i favorizuar për të qenë nga minuta e parë.
Ekipi, seancë stërvitore para nisjes
Stërvitje në orët e para të mëngjesit. Kështu ka bërë një ditë më parë Flamurtari, ndryshe nga herët e tjera. Rreth orës 08:30 futbollistët janë grumbulluar në ambientet e stadiumit, ndërsa stërvitja ka nisur më 09:00 dhe ka zgjatur për rreth 60 minuta. Ajo ka qenë me një ritëm më të ulët se ditët e tjera dhe ka zgjatur më pak. Në orën 11:00 skuadra ka lënë Vlorën dhe është nisur në drejtim të Rinasit. Në orën 14:00, avioni me të cilin kanë udhëtuar futbollistët e Flamurtarit dhe stafi teknik është ngritur në qiell drejt Budapestit. Sot në orën 20:30, që përkon edhe me orarin kur do të luhet ndeshja e nesërme, ekipi do të zhvillojë stërvitjen gjenerale para takimit me Honvedin.
Skuadra në Budapest, tifozë me pikatore
Flamurtari ka udhëtuar dje nga Rinasi drejt Budapestit. Sipas drejtuesve të klubit, nisja u bë një ditë më parë me qëllim që ekipi të ketë kohë të çlodhet. Skuadra është akomoduar në një hotel afër stadiumit në Budapest dhe sot gjatë paradites është parashikuar një shëtitje në qytet, ndërsa në darkë stërvitje në orarin e ndeshjes. Flamurtari shoqërohet nga shumë pak tifozë, të cilët dje dhe sot kanë udhëtuar me automjetet e tyre personale ose me linjën ajrore. Në fakt, për mbështetjen e paktë nga ana e tifozerisë në këtë ndeshje nuk ka ndikuar vetëm financimi i udhëtimit, por edhe humbja në Vlorë, e cila la një shije jo të mirë te këta të fundit. Ekipi shoqërohet edhe nga presidenti Shpëtim Gjika, i cili ka udhëtuar drejt Budapestit mbrëmjen e së hënës, një ditë para nisjes së ekipit.
GJYQTARI
Vusal Alijev nga Azerbajxhani është caktuar si arbitri i ndeshjes Honved-Flamurtari. 41-vjeçari me mjaft përvojë, por jo në arenën ndërkombëtare, do të ndihmohet nga dy asistentët e tij Mubariz Hashimov dhe Jashar Abasov. Alijev ka gjykuar kryesisht ndeshje të nivelit të ulët, ndërsa më të rëndësishmet kanë qenë ato për kualifikimet e Euro 2008, Çeki-San Marino (7-0) dhe Moldavi-Maltë (1-1).
KLIMA
Disa gradë më pak, freski dhe pak më shumë erë sesa klima e Vlorës. Ky është pak a shumë parashikimi i motit në Budapest për ditën e nesërme, kur dhe do të luhet ndeshja. Sipas të dhënave, do bëjë një kohë me diell ku temperatura më e ulët do të jetë 15 gradë celsius, kurse më e larta nuk do t’i kalojë 25 gradë celsius. Edhe era ndërkaq nuk do të jetë e bezdisshme, ndërsa do ketë diku te 54 për qind lagështirë.
ANZHI
Nëse Flamurtari do arrijë të kualifikohet për më tej, në turin e dytë do ta presë skuadra e miliarderit Sulejman Kerimov, Anzhi Makhashkala. Por, sipas UEFAs, kjo skuadër nuk do të luajë asnjë ndeshje në stadiumin e vet në Dagestan, kjo për shkak të gjendjes aspak normale në këtë vend, i përfshirë nga lufta civile. Ndaj UEFA ka urdhëruar që kjo skuadër të gjejë një stadium tjetër.
KOEFICIENTET
Flamurtari është i pashpresë ndaj Honvedit. Të paktën kështu e parashikojnë kompanitë e basteve, të cilat e kanë kuotuar fitoren e skuadrës vlonjate me koeficientin 6. Ndërsa fitorja e Honvedit është vetëm 1.50. Sa i përket barazimit kuotat janë nga 3.50-3.75. Kujtojmë që edhe në ndeshjen e Vlorës hungarezët ishin favoritë dhe bastvënësit nuk gabuan, pasi Honvedi fitoi 0-1.
ERMAL SIKA


Kur arbitrat shqiptarë sillen si pasha