Ballina, Kategoria Superiore, Tirana — 26 Qershor, 2012 14:03

Prapaskenat, Rubio kontratë 40-ditore. Dabulla-Kuka, jashtë Ligës së Europës

U prezantua tri javë më parë nga drejtuesit e klubit si trajneri i Tiranës edhe për dy sezonet e radhës. Gjithçka u mendua e mbyllur, pra që kishte firmosur, mirëpo rreth një javë më vonë u zbulua se ende nuk ishte kryer ai formalitet. Pra spanjolli, ndonëse kishte rënë dakord me krerët më të lartë të klubit duke përfshirë këtu edhe përfitimet e tij financiare, ende nuk kishte nënshkruar. Gjë që u konfirmua edhe nga vetë Rubio pas rikthimit të tij në Shqipëri, në një intervistë të dhënë për mediat. Mirëpo, tekniku këmbënguli që të mos i jepnin kaq shumë rëndësi kësaj pjese, pasi ishte thjesht një vonese procedurale. Por, vetëm dje, mësohet se bashkë me lojtarët pa kontratë edhe Hulian Rubio ka nënshkruar një kontratë. Dhe nuk bëhet fjalë për kontratën e përmendur më sipër, pra atë 2- vjeçaren, por një periodike. Ai ka vendosur firmën vetëm për 40 ditë, pjesë që sigurisht përbën tepër habi. Në një kohë kur mund të kishte firmosur mbi atë që ishte arritur një akord.
Trajneri – Pas hedhjes së shortit, trajneri Hulian Rubio ka reaguar mbi kundërshtarin e parë. U duk qartë se tekniku nuk nënvlerëson askënd, qoftë edhe ekipin modest të Grevenmakerit. Sipas tij, çdo rival meriton respekt pasi, atëherë kur s’e pret, mund të ndëshkohesh. “Nuk ka rivalë të lehtë për ne, ndonëse nuk di asgjë për kundërshtarin që do të luajmë. Megjithëse, nuk duhet nënvlerësuar, ndonëse është një vend i vogël. Termi nënvlerësim s’më pëlqen, pasi surprizat janë shumë të mëdha. Me të mëdhatë e di vështirësinë, me të voglat duhet më shumë vëmendje. Nuk po mendoj për turin e dytë, në një moment kur nuk njoh të parin. Në futboll s’ka nënvlerësim. Objektivi në Ligën e Evropës është i njëjti, të shkojmë sa më larg. Turi i dytë është një tabu për Tiranën, kështu që do të përpiqemi t’ia dalim. Nuk kam marrë asnjë informacion deri më tani, në mbrëmje (dje) do të marr të dhëna më tepër. Nw pamje të parë mund të mos jetë favorite, mirëpo edhe Vilaerali kurrë s’kishte fituar asgjë, por filloi në pesë vitet e fundit të triumfojë. Ne na mungojnë shumë gjëra, por sërish po stërvitemi për të bërë më të mirën. Jemi ekipi më me shumë tituj në vend, por duhet të jemi me këmbë në tokë. Grupi, me aq sa di unë, është i njëjti. Afrime nuk presim, pasi sot (dje) u mbyllën federimet, ndaj nuk e di nëse do të ketë risi. Po të ndodhte, do të ishte surprizë edhe për mua. Unë i kënaqem grupit, ndërsa sa i përket tri blerjeve mendoj se janë lojtarë të njohur, me eksperiencë. Besoj se do të na shërbejnë”, – tha spanjolli për shortin.

Federohet ekipi, Dabulla dhe Kuka mbeten jashtë
Tirana ka federuar ekipin me të cilin do të përfaqësohet për ndeshjet e para të Ligës së Evropës. Drejtuesit e klubit, në orën 15:00, kanë mbyllur gjithçka duke dërguar në federatë një listë prej 20 lojtarësh, nga 25 që kishte mundësi. Grupi ka pasur në fakt disa lëvizje, teksa binte në sy mungesa e Rezart Dabullës dhe portierit Klajdi Kuka. Mësohet se gjatë paradites bashkë me trajnerin edhe lojtarët të cilëve u kishte skaduar kontrata, kanë firmosur për 30 ditë. Sina, Pisha, Kalari do të jenë pjesë e bardhebluve për Evropën dhe vetëm më pas do të ulen sërish me krerët e klubit për të biseduar për ndonjë rinovim të mundshëm. Edhe Dabulla ishte ndër “veteranët” që nuk kishte kontratë, gjithsesi për të klubi nuk ka pasur në plan rinovimin, qoftë edhe për 30 ditë. I kontaktuar nga gazeta, lojtari ndonëse është pyetur për këtë pjesë, nuk ka reaguar. Sakaq, pritet që surpriza e vetme që mund të ndodhë është që 24 orë para ndeshjes, pra më 4 korrik, klubi të federojë një lojtar të ri. Veçse, nëse do ta bëjë një gjë të tillë, është e detyruar të largojë një tjetër nga lista e UEFA-s. Pas turit të parë bardheblutë, sikundër çdo ekip tjetër, do të kenë mundësinë për të ribërë ekipin, duke futur kështu edhe blerje të reja. Siç dihet, klubi vazhdon bisedimet me Bogunoviçin dhe Becirin, madje pritet që të vijnë sot. Por koha e paktë për t’i vënë në provë mund të bëjë që federimi i tyre të ndodhë pas turit të parë. Megjithatë, gjithçka është pezull, kështu që për momentin nuk ka asgjë konkrete.

JA LISTA E FEDERIMEVE
PORTIERË
1. ILION LIKA
32 vjeç, 26 ndeshje, 0 gola
2. XHINO SEJDO
20 vjeç, 0 ndeshje, 0 gola
MBROJTËS
3. JULIAN AHMATAJ
33 vjeç, 20 ndeshje, 0 gola
4. ERJON DUSHKU
27 vjeç, 24 ndeshje, 3 gola
5. ENTONIO PASHAJ
27 vjeç, ndeshje 0, 0 gola
6. ARJAN PISHA
35 vjeç, 18 ndeshje, 1 gola
7. ELVIS SINA
33 vjeç, 20 ndeshje, 0 gola
8. RENALDO KALARI
28 vjeç, 17 ndeshje, 1 gol
MESFUSHORË
9. KLODIAN DURO
34 vjeç, 17 ndeshje, 1 gol
10. ARVIST GJATA
25 vjeç, 4 ndeshje, 0 gola
11. ERANDO KARABECI
25 vjeç, 23 ndeshje, 0 gola
12. NERTIL FERRAJ
24 vjeç, 20 ndeshje, 0 gola
13. GILMAN LIKA
25 vjeç, 22 ndeshje, 4 gola
14. ARDIT PEPOSHI
19 vjeç, 3 ndeshje, 0 gola
15. AFRIM TAKU
22 vjeç, 25 ndeshje, 0 gola
16. GERALD TUSHE
21 vjeç, 15 ndeshje, 0 gola
17. ELTON MUÇOLLARI
31 vjeç, 0 ndeshje, 0 gola
SULMUES
18. BEKIM BALA
21 vjeç, 24 ndeshje, 13 gola
19. MARIO MORINA
19 vjeç, 22 ndeshje, 4 gola
20. MIREL ÇOTA
24 vjeç, 0 ndeshje, 0 gola
Trajner: Hulian Rubio

Synohet gardiani Spaho
Mikel Spaho është në planet e bardhebluve. Portieri, i cili sezonin e fundit e mbylli te Flamurtari, kërkohet nga Tirana për të blinduar treshen e portierëve. I pari sigurisht mbetet Ilion Lika, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Mirëpo, klubi synon që të ketë një element të fortë, në rast të një mungese të Ilionit, e kësisoj Spaho llogaritet si një alternativë e mirë. Me lënien jashtë liste të Klajdi Kukës, është Xhino Sjedo ai që do ta plotësojë treshen.

Tirana “peshkon” në Luksemburg
Për Tiranën shorti i hedhur mesditën e djeshme në Nion të Zvicrës ka qenë tepër i favorshëm. Bardheblutë kanë “peshkuar” modestët e Grevenmakerit të Luksemburgut, një skuadër që gjatë historisë së saj ka fituar vetëm një titull. Por vlen të përmendet se ky ekip rreth 80 përqind të lojtarëve nuk i ka profesionit, duke kanë punë tjetër primare, pra jo futbollin. Sikundër Teuta e Flamurtari edhe kryeqytetasit në orën 13:00 mësuan rivalin e tyre për turin e parë paraeliminator të Ligës së Evropës. Mirëpo, ndryshe nga ekipet e tjera shqiptare, 24 herë kampionët, si fitues të Kupës së Shqipërisë kanë pasur koeficient më të lartë. Një faktor plis ishin edhe ballafaqimet e fundit në Evropë, që kanë qenë më rezultative. Në këtë këndvështrim, Tirana gjendej në vazon e skuadrave të konsideruara elitare të turit të parë, duke anashkaluar kështu përplasjet me skuadrat më të forta në këtë tur, pasi ishte në të njëjtën vazo me këto. Megjithëse, edhe pse gjendej përballë Teutës dhe Flamurtarit, sipas rregullave, nëse gjatë shortit do qëllonte të përplaseshin dy skuadra të të njëjtit vend, atëherë do të hidhej sërish short për atë çift, për të evituar kështu përplasje skuadrash nga i njëjti shtet. Në kampin bardheblu janë pa dyshim të kënaqur me këtë short, nisur edhe nga fakti që kundërshtari nuk është i ndonjë niveli për të pasur frikë. Megjithatë, kryeqytetasit e dinë mjaft mirë se në rast se nënvlerësojnë luksemburgasit, rezultati mund të ishte fatal. Kur kanë edhe 9 ditë nga takimi i parë me Grevenmakerin, ekipi i Rubios duhet t’i futet me “kokë” punës. Grupi është bërë tashmë, kësisoj më 5 korrik do të kemi shansin që në kryeqytet të shohim takimin e parë mes këtij çifti, ndonëse ende nuk dihet njihet stadiumi se ku do të luhet kjo përballje. Megjithatë, edhe kjo pjesë do të zgjidhet shumë shpejt nga ana e klubit dhe ajo që duhet të bëjë ekipi është që të sigurojë që në Tiranë kualifikimin, pra të kalojë në turin e dytë. I cili ndoshta do të kërkojë më shumë përqendrim, pasi edhe shkalla e vështirësisë rritet.

Ja kundërshtari që i pret në turin e dytë
Tirana, ndryshe nga një edicion më parë, këtë herë do ta nisë nga turi i parë kompeticionin evropian. Bardheblutë do të përballen me luksemburgasit e Grevenmakerit më 5 dhe 12 korrik. Në rast se e kalojnë këtë kundërshtar, pra kualifikohen, e kanë mësuar edhe emrin e rivalit të radhës. Pra, atë që do të presin në turin e dytë, ndeshje që përkatësisht do të luhen më 19 dhe 26 korrik. Ekipi që do mund të presin bardheblutë, ose edhe Grevenmaker, do të jetë Alesunds. Norvegjezët kanë ekip relativisht më të mirë se luksemburgasit, megjithatë në pamje të parë për Tiranën gjithçka duket e lehtë, gjithnjë nëse impenjohet seriozisht.

Norvegjezët përgatiten për Tiranën
Menjëherë pasi është hedhur shorti për turin e dytë, ku skuadra norvegjeze e Alesund pret të ndeshet me çiftin Tirana-Grevenmaken, drejtuesit e këtij klubi kanë përzgjedhur bardheblutë si kundërshtarë për ndeshjet që do të luhen më 19 dhe 26 korrik. Krerët e këtij ekipi kanë kontaktuar menjëherë nga agjencitë sportive të vendit tonë, ku kanë marrë informacione për ekipin, forcën e tij, temperaturave në vendin tonë, apo edhe interesin e tifozëve kryeqytetas për të shkuar drejt Norvegjisë. Me gjithë këto të dhëna që kanë kërkuar, kuptohet qartë se luksemburgasit e Grevenmakenit s’i llogarisin, por po përgatiten për 24 herë kampionët.
ADELA MERKO

Te lidhura me artikullin:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *