Ballina, Kategoria Superiore, Skenderbeu — 18 Gusht, 2012 14:30

Quajeni edhe “Skënderbeu bardheblu”, kampionët janë si një “fole” tiranasish

Quajeni Skënderbeu versioni bardheblu. Arsyeja, e thjeshtë: më shumë se 3/4 e skuadrës aktuale kanë veshur në të shkuarën të paktën për pak muaj fanellën e Tiranës. Madje edhe vetë timonieri i bardhekuqve është një “tiranas safi”, i dalë nga shkolla bardheblu, me të cilën ka fituar shumë si futbollist dhe ka qenë goxha i suksesshëm edhe si trajner po në drejtim të kësaj skuadre. Në këtë kontekst, duket se teorikisht Skënderbeu niset disi favorit përkundrejt Tiranës, kjo edhe për faktin se lojtarët e drejtuar nga Josa kanë një motiv më shumë përveç dëshirës për të fituar Superkupën: të mundin ish-skuadrën e tyre. Historitë për secilin nga këta protagonistë janë nga më të ndryshmet; ca plot inate e përplasje, disa të tjera ku vazhdojnë të ruhen ende “shkëndija dashurie”. Ndërkaq, te Tirana aktuale nuk gjen dot asnjë lojtar që jo vetëm të ketë luajtur me Skënderbeun, por as që të ketë ndonjë lidhje me Korçën si qytet. Tekniku aktual i Skënderbeut (e ka drejtuar këtë skuadër edhe më përpara, në sezonin 2009-2010) ka dalë nga shkolla e Tiranës, ku nga 1982 deri në 1991 arriti të fitojë shumë me këtë skuadër (më së paku 4 tituj kampionë: 1982, 1985, 1988, 1989). Ndërsa në 2003-2004 ai u kthye te bardheblutë edhe si trajner, duke fituar madje menjëherë titullin kampion. Në këtë kontekst, nëse ka një person që e njeh mirë ambientin te Tirana nga KF Skënderbeu aktual ai është pikërisht Mirel Josa. Po nga akademia kanë dalë Erbim Fagu dhe Dorian Kërçiku. I pari u kërkua edhe në merkaton e kësaj vere, por në fund vetë ai vendosi të qëndrojë në Korçë. Ndërsa Kërçiku është një zbulim i teknikut aktual, Hulian Rubio, por pas vetëm tri ndeshjesh verën e shkuar ai kaloi te Skënderbeu. Nga Tirana, po jo nga akademia, por nga Shkëndija, ka dalë edhe Sabjen Lilaj, korçar në origjinë, që luan për herë të parë me fanellën e ekipit të vendlindjes. Ndërkohë te ky Skënderbe luajnë edhe dyshja serbokroate: Gvozdenoviç-Pejiç. Që të dy këta lojtarë kanë qenë shtyllat e skuadrës bardheblu në sezonin 2010/2011. I pari ishte një digë në mbrojtje dhe i dyti shënoi plot 14 gola në atë sezon. Por edhe ata u larguan nga kryeqyteti, madje me mjaft polemika, pasi ende pretendojnë se nuk janë likuiduar krejt me rrogat nga KF Tirana. Çështja ka shkuar deri në FIFA dhe nuk është çudi që klubi bardheblu të marrë edhe ndonjë ndëshkim me zbritje pikësh në fillim të këtij sezoni sikundër i ndodhi vjet Dinamos pas denoncimit nga një ish-lojtar kroat, Dario Bodrusiç. Në këtë këndvështrim, si Pejiç dhe Gvozdenoviç kanë edhe një “inat” më shumë për të fituar nesër ndaj Tiranës. Përveç protagonistëve të mësipërm, janë edhe tre futbollistë të tjerë që aktualisht luajnë për Skënderbeun, por më parë kanë veshur fanellën e Tiranës: Endri Vrapi, Ditmar Bicaj dhe Sebino Plaku.

IVAN GVOZDENOVIÇ
Ka luajtur te Tirana në sezonin 2010/2011 me një bilanc prej: 2382 minutash lojë, 1 gol, 5 kartonë të verdhë dhe 1 të kuq.

ENDRI VRAPI
Ka luajtur te Tirana në sezonin 2007/2008 me një bilanc prej: 2311 minutash lojë, 0 gola, 6 kartonë të verdhë, 0 të kuq.

ERBIM FAGU
Ka luajtur te Tirana në sezonet 2004/2008 me një bilanc prej: 1887 minutash lojë, 1 gol, 7 kartonë të verdhë, 0 të kuq.

DITMAR BICAJ
Ka luajtur te Tirana në sezonin 2009/2010 me një bilanc prej: 896 minutash lojë, 0 gola, 7 kartonë të verdhë, 1 të kuq.

DORIAN KËRÇIKU
Ka luajtur te Tirana në verën e 2011-ës me një bilanc prej: 205 minutash lojë, 0 gola, 2 kartonë të verdhë, 0 të kuq.

SABJEN LILAJ
Ka luajtur te Tirana në sezonet 2008/2011 me një bilanc prej: 2972 minutash lojë, 1 gol, 12 kartonë të verdhë, 1 i kuq.

SEBINO PLAKU
Ka luajtur te Tirana nga janari 2010 deri në janarin 2011 me një bilanc prej: 2414 minutash lojë, 7 gola, 0 kartonë të verdhë e të kuq.

PERO PEJIÇ
Ka luajtur te Tirana në sezonin 2010/2011 me një bilanc prej: 2260 minutash lojë, 14 gola, 4 kartonë të verdhë, 0 të kuq.

MIREL JOSA
Te Tirana si lojtar në 1982- 1991; si trajner: 2003-2004, 2005-2006, 2006-2007: 36 fitore, 11 barazime, 5 humbje Trofe: 1 kampionat, një Kupë të Shqipërisë dhe një Superkupë.

Te lidhura me artikullin:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *