Ballina, Kategoria Superiore, Tirana — 5 Korrik, 2012 14:12

Rubio në alarm: S’bëhemi as 18 lojtarë. Bekim Bala arrin akord me Ael Limasol

Në prag të ndeshjes së parë eliminatore ndaj luksemburgasve të Grevenmakerit, trajneri i Tiranës, Hulian Rubio, duket mjaft i shqetësuar për gjendjen e skuadrës së tij. Spanjolli nuk do të ketë në dispozicion tre prej titullarëve, ndërkohë që në dyshim mbetet edhe portieri Ilion Lika, i cili ka pësuar një helmim. Rubio gjithashtu vlerëson edhe gjendjen e kundërshtarëve, duke mos i konsideruar ata thjesht si një ekip modest. Megjithatë tekniku i kryeqytetasve është i bindur se Tirana do e kalojë këtë tur eliminator, edhe pse kërkon nga lojtarët e tij më shumë qetësi. Në një konferencë për shtyp të dhënë për mediat përpara këtij takimi, Rubio ka deklaruar se edhe Tirana është një skuadër modeste për sa i përket përfaqësimeve në Evropë.
Si kanë shkuar deri në këto momente përgatitjet e Tiranës për ndeshjen e nesërme (sotme) ndaj Grevenmakerit?
Unë nuk mendoj se përgatitjet që kemi bërë deri tani kanë qenë specifike për këtë ndeshje, pasi ato kanë pasur një karakter të përgjithshëm. Problemi i vetëm ka qenë ai i kohës, sepse në një moment të caktuar i kemi ndërprerë përgatitjet dhe më pas i kemi rifilluar për një ndeshje mjaft të rëndësishme siç është ajo ndaj Grevenmakerit. Por, pavarësisht se si kanë shkuar përgatitjet, skuadra ime do mundohet ta luajë këtë ndeshje në mënyrën më të mirë.
Të flasim për kualifikimin. A do tentojë Tirana ta sigurojë atë që në ndeshjen e parë, apo duhet të presim takimin e kthimit?
Nuk mund të them asgjë të qartë në lidhje me këtë. Janë 180 minuta minimumi për t’u luajtur dhe ne do ta bëjmë këtë, duke menduar më parë për këtë afat kohor. Kështu që kualifikimi mund të arrihet brenda këtyre minutave dhe nuk mund ta përcaktoj se kur do ndodhë në të vërtetë. Në radhë të parë do të luajmë, më pas do flasim për kualifikim. Po, por shpeshherë ndeshjet e para janë vendimtare për të ardhmen.
A favorizohet ekipi juaj meqenëse luan në shtëpi?
Ky është një mendim personal i çdo sportdashësi, por për mua nuk është i vlefshëm. Për mendimin tim, futbolli është i barabartë dhe skuadrat mund të bëjnë një paraqitje të mirë si në ndeshjet brenda fushe, ashtu edhe në ato në transfertë. Unë nuk e përgatis skuadrën në të tillë mënyrë. Por, po të shohim Tiranën, që unë drejtoj në këto momente, mund të them se është një skuadër që ka arritur të fitojë më shumë në ndeshjet jashtë fushe sesa ato brenda fushe. Kështu që nuk mendoj se jemi të favorizuar ngaqë ndeshjen e parë e luajmë në stadiumin tonë.
Supozohet se luksemburgasit janë një ekip modest. Do të ketë probleme Tirana përballë tyre?
E thatë mirë, supozohet se janë një ekip modest. Por edhe ne po të shohim historinë jemi një ekip modest me përfaqësimet në Evropë. Dua që t’ju kujtoj se këtu në futbollin shqiptar ka shumë emra skuadrash të mëdha, por që në arenën ndërkombëtare mungojnë, dhe një gjë të tillë mund ta shohim shumë lehtë në bazë të statistikave.
Cilat janë objektivat e skuadrës suaj në këtë kompeticion?
Objektivi ynë primar është që të kalojmë turin e parë dhe më pas të dytin, dhe nëse kemi mundësi edhe të tretin. Por, duhet ta theksoj se të gjithë hapat duhen bërë me radhë. Megjithatë duhet ta dini se jemi ende në aspektin e fjalëve dhe nuk kemi asgjë konkrete. Kështu mund ta aludojmë sa të duam, por pa nisur ndeshja nuk mund të bëjmë asnjë llogari paraprake.
Sa ndikim do të ketë emri i Tiranës në përfaqësimin e saj në Evropë?
Tirana ka shanse të mëdha për ta kaluar këtë tur dhe për të bërë paraqitje të mëdha në turnetë ndërkombëtarë. Unë një gjë të tillë e kam konfirmuar edhe vitin që kaloi, por nuk mund t’i lëmë asgjë në dorë rastësisë dhe të shpresojmë vetëm tek emri. Asnjëherë nuk veprohet në mënyrë të tillë. Për të arritur objektivat, duhet që gjithmonë të bësh përgatitje të forta. Ne deri në këto momente i kemi bërë këto përgatitje. Nuk duhet të harrojmë se Tirana është një skuadër, e cila garon për vendin e parë në kampionat. Megjithatë për këtë temë nuk mund të flas ende, pasi ajo është në të ardhmen dhe unë dua të flas vetëm në të tashmen.
Jeni një spanjoll që drejtoni Tiranën, ndërkohë që Spanja juaj fitoi Evropianin. Sa larg do ta çojë një spanjoll këtë skuadër?
Nuk mendoj se ka një lidhje konkrete në rastin e Tiranës. E kam theksuar edhe më sipër se gjithçka i takon një procesi të gjatë formimi, që nis që nga formacioni me të cilin skuadrat zbresin në fushën e lojës. Spanja në gjashtë vitet e fundit ka arritur të fitojë pothuajse gjithçka. Unë jam munduar që sezonin e shkuar të fus te Tirana mentalitetin e futbollit evropian. Mendoj se deri në një farë pike ia kam arritur, por megjithatë ka ende shumë gjëra për të bërë. Nuk pretendoj që Tirana të konkurrojë fort në nivelin më të lartë evropian, por të paktën të jetë e aftë të përballojë në nivel normal rivalet e saj. Për ta arritur një gjë të tillë duhet që më parë të ndryshojnë shumë gjëra.
Krahasuar me një vit më parë kur Tirana luajti në Ligën e Evropës, cili është niveli i saj sot përpara ndeshjes së radhës në këtë kompeticion?
Këtë vit mund të them se jemi më mirë se sezonin e shkuar, pasi jemi një ekip në të cilin futbollistët njohin lojën e njëritjetrit. Në ndeshjen e nesërme (sotme) ndaj Grevenmakerit ndoshta nuk mund të hedh në fushë skuadrën më të mirë që do të doja, për shkak të dëmtimeve që kanë pasuar lojtarë të ndryshëm, por mund të them se vjet ishte një skuadër më pak e mirë, pasi askush nuk e njihte lojën e shokut. Ishte një ekip ende i pakompletuar dhe duheshin improvizuar shumë gjëra në fushë.
Mendoni se është gati kjo skuadër për të nisur sezonin e ri futbollistik?
Akoma nuk është gati, pasi nuk mund të jetë gati një skuadër futbolli vetëm në pak ditë punë dhe ne ende nuk kemi bërë shumë punë. Si fillim, duhet që lojtarët të arrijnë formën e tyre fizike para kampionatit, pasi të gjithë kemi bërë pushime dhe është e rëndësishme që të gjithë të rikthehen më gjendjen e tyre optimale. Megjithatë, e thashë edhe më parë, që ka shumë gjëra të tjera pozitive, që nuk dua t’i përsëris edhe njëherë.
Deri në këto momente janë afruar tre lojtarë të rinj. A është Rubio i kënaqur me këto blerje?
Jam shumë i kënaqur dhe besoj se janë tri afrime që na përforcojnë edhe më shumë. Por, koha do të tregojë edhe paraqitjen e tyre në momentin kur ata do të luajmë. Normalisht që pres edhe afrime të tjera deri në fillimin e kampionatit, pasi ekipi ka nevojë të plotësohet edhe më shumë. Një shembull është ndeshja e nesërme (sotme), ku do të kem të gatshëm vetëm 17 futbollistë për të aktivizuar dhe nuk e di a do të bëjmë dot 18 futbollistë. Në total janë 21 futbollistë, së bashku me tre portierët dhe dëmtimet që na kanë penalizuar gjatë kësaj kohe, vënë në rrezik edhe numrin e lojtarëve që do të kem në dispozicion. Në këtë aspekt, e shoh të nevojshme që të ketë ende afrime të tjera me lojtarë cilësorë, që do të jenë të gatshëm për të përballuar një kampionat të gjatë dhe të vështirë.

Lika: Kombëtarja humbi me Luksemburgun, duhet kujdes
Me një pamje të zbehtë dhe mjaft i lodhur si pasojë e helmimit të ndodhur dy ditë më parë, Ilion Lika është shfaqur dje në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Hulian Rubio. Lika, që do të mbajë edhe shiritin e kapitenit në takimin e sotëm, shpreson që gjendja e tij nuk do të përkeqësohet në ditët në vijim. “Unë dua që Lika të jetë në fushë, pasi ai po sakrifikon duke qenë në stërvitje, por gjithçka do të varet nga gjendja e tij”, është shprehur Rubio. Ndërsa vetë portieri ka deklaruar: “Është e vërtetë që kam dy ditë i helmuar, por tani jam më mirë dhe shpresoj që të mos kem më komplikacione me shëndetin dhe të jem në fushën e lojës. Për sa i përket ndeshjes, duhet që në asnjë moment të mos e nënvlerësojmë kundërshtarin. Është e vërtetë që Tirana ka një eksperiencë më të madhe në Kupat e Evropës, por nuk duhet harruar që Luksemburgu është një shtet që ka filluar të mendojë për të rritur nivelin e futbollit dhe një gjë të tillë e pamë te eksperienca e hidhur që ekipi jonë pati me Kombëtaren e Luksemburgut, ku në përballjen me ta doli i humbur. Futbolli ka një specifikë të tijën, që asnjëherë nuk fiton ekipi më i mirë dhe ne na mbetet për detyrë që të bëjmë më të mirën. Grevenmakeri është një ekip për të cilin ka shumë pak informacione, për këtë arsye të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm dhe të mos bëjmë gabime”, ka thënë Lika.

Tirana s’ka premio për kualifikimin e turit të parë
Deri në këto momente drejtuesit e Tiranës ende nuk kishin folur për asnjë premio në rast se skuadra e tyre arrinte të kualifikohej për në turin tjetër të Ligës së Evropës. Një gjë të tillë ata e kanë konfirmuar edhe ditën e djeshme, duke u shprehur se nuk është parashikuar asnjë shpërblim për lojtarët në rast kualifikimi. Duke qenë se Grevenmakeri është cilësuar një ekip relativisht i lehtë për bardheblutë, kalimi në turin tjetër do të jetë një detyrë për skuadrën e drejtuar nga Hulian Rubio. Ekipi luksemburgas është cilësuar si modest dhe duket se premiot për kryeqytetasit janë lënë për t’i motivuar ata në takimet e tjera të këtij kompeticioni. Tirana është një nga skuadrat e vetme shqiptare që konsiderohet si e kualifikuar në turin tjetër të Ligës së Evropës, pasi Grevenmakeri nuk shihet si një rival shumë i fortë.

Bala arrin akordin me Ael Limasol
Sulmuesi shkodran i Tiranës, Bekim Bala, sezonin e ardhshëm pritet të mos jetë më pjesë e bardhebluve. Burime të sigurta pranë tij kanë bërë me dije se ai ka arritur akordin me skuadrën e Superligës qipriote, Ael Limasol, dhe ndërmjetës për këtë transferim është bërë ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, i cili ka luajtur edhe më parë me këtë skuadër. Divorci mes Balës dhe bardhebluve ka ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve për kushtet financiare. Tirana mësohet t’i ketë kërkuar futbollistit të rinovojë kontratën dhe të ulë pagën e tij vjetore. Një gjë e tillë nuk është pranuar nga sulmuesi, i cili është vënë në kërkim të një tjetër klubi, këtë herë jashtë vendit. Akordi është arritur me qipritotët e Ael Limasolit, të cilët kanë plotësuar kushtet financiare të lojtarit. Tirana do t’i ketë shërbimet e Balës edhe për Ligën e Evropës, më pas ai do të firmosë kontratën me ekipin e tij të ri. Ofertat në drejtim të lojtarit nuk kanë munguar edhe nga skuadra të Kategorisë Superiore në vendin tonë, një ndër të cilat, Vllaznia, e cila ishte shumë pranë arritjes së një akordi. Megjithatë, vetë Bala ka preferuar të luajë jashtë vendit.

Tom: Tirana ka 75% shanse kualifikimi
“Nuk kemi shumë informacion mbi Tiranën, ndaj jemi munduar të mësojmë diçka për mënyrën e tyre të lojës nëpërmjet filmimeve”. Kështu është shprehur trajneri i skuadrës së Grevenmakerit, Mark Tom, gjatë seancës së parë stërvitore që ka zhvilluar dje pasdite në ambientet stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. 48-vjeçari gjatë stërvitjes kërkon më shumë impenjim nga futbollistët e tij dhe zhvillon shumë pak ushtrime taktike. Megjithatë, kur pyetet për takimin ndaj bardhebluve, ai e sheh skuadrën e tij inferiore. “Kam mësuar se Tirana është një ekip i mirë dhe me traditë në Shqipëri. Ne do të bëjmë maksimumin në fushë, por ata për mendimin tim kanë 75% të shanseve që të kualifikohen, ndërsa pjesën tjetër e ka ekipi im”, – thotë shkurt trajneri, i cili gjithashtu pohon se fakti që ndeshja e kthimit do të luhet në Luksemburg nuk do të ketë asnjë ndikim në rezultatin final, apo do të përcaktojë se cili ekip do të vazhdojë më tej rrugën në Ligën e Evropës.
Stërvitja Skuadra e Grevenmakerit ka mbërritur në aeroportin e Rinasit dje rreth orës 11:00 dhe më pas është akomoduar në hotel “Sheraton”. Kjo ka qenë një zgjedhje e miqve për të qenë sa më afër stadiumit ku dhe do të luhet ndeshja. Pasi kanë pushuar, luksemburgasit kanë zbritur në terrenin e “Qemal Stafa”-s për të bërë një seancë stërvitore e për t’u njohur ne stadiumin rreth orës 18:00. Ajo që binte në sy lehtësisht në përbërjen e luksemburgasve ishte mosha relativisht e re e futbollistëve. Megjithatë duhet thënë se dukej që ishte një ekip i përgatitur mirë fizikisht. Vetë trajneri Tom gjithë stërvitjen e djeshme e kishte përgatitur në bazë të ushtrimeve fizike dhe zhvilloi një lojë vetëm 10 minuta. Sot Grevenmakeri pritet të bëjë edhe një seancë stërvitore në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”.
ARMAND HALILI

Te lidhura me artikullin:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *