Ballina, Kategoria Superiore, Teuta — 4 Korrik, 2012 13:59

Sheta: Metalurgu është i vështirë, por kualifikimin e kemi në dorë vetëm ne…

Kapiteni i Teutës, Arjan Sheta, në një bisedë për “Panorama Sport” shprehet se kundërshtari do të jetë mjaft i vështirë, por jo i pamundur për t’u kaluar me sukses. Ai u ka bërë thirrje shokëve të ekipit që të ruajnë qetësinë dhe të japin maksimumin e tyre në ndeshjen ndaj Metalurgut. Sipas qendërmbrojtësit, ekipi dhe stafi drejtues shpresojnë te kualifikimi, ndërsa shton se një gjë e tillë do të vendoset nga vetë lojtarët. “U kam kërkuar të gjithë kolegëve që të japin maksimumin e tyre dhe të tregojnë se sa vlejnë. Sigurisht, pa ia ulur vlerat kundërshtarit, besoj se fakti që luajmë në fushën tonë na favorizon më shumë që të dalim fitimtarë. Aq më tepër që do të kemi edhe mbështetjen e fansave tanë. Megjithatë, në futboll nuk i dihet asnjëherë, ndaj duhet të bëjmë kujdes. Nuk është se e njohim mirë kundërshtarin por, nëpërmjet disa videove që kemi parë, kemi krijuar idenë se çfarë lloj skuadre është. Gjeorgjianët janë një ekip shumë i fortë në çdo repart, ndërsa arma e tyre është loja në ajër. Por, për këtë nuk është se ndihemi inferiorë ndaj kundërshtarit, pasi edhe ne kemi lojtarë cilësorë dhe të talentuar, të cilët e njohin mirë lojën e ajrit”, – tha ndër të tjera kapiteni.
Synimi Duke vijuar më tej prononcimin e tij, kapiteni i durrsakëve, Sheta, shprehet se kualifikimi do të jetë i vështirë. Megjithatë, sipas tij, nëse do t’i zbatojnë me përpikëri detyrat e dhëna nga stafi teknik asgjë nuk do të jetë e pamundur. “E respektojmë kundërshtarin, pasi është një skuadër me eksperiencë në Kupat e Evropës. Mirëpo, eksperienca dhe forca e këtij ekipi nuk na tremb, përkundrazi na motivon akoma edhe më shumë. Mendoj se shanset për kualifikim i kanë të dyja ekipet, ndërkohë që do të shkojë më tej skuadra që bënë më pak gabime në fushën e lojës. Ne do të bëjmë gjithçka në fushë për të triumfuar, me qëllim që ta kemi më të thjeshtë në ndeshjen e kthimit. Gjatë gjithë kësaj periudhe jemi stërvitur maksimalisht dhe gjendja e skuadrës është në top-formë”, – ka përfunduar kapiteni i “djemve të detit”, Sheta.

Tifozët, mbështetje maksimale
Teuta më shumë se kurrë më 5 korrik në ndeshjen e parë të Ligës së Evropës do të ketë mbështetjen e tifozëve të saj. Ata kanë garantuar se do të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit “Niko Dovana”, ndërsa kanë pohuar se gjatë gjithë 90 minutave do të mbështesin maksimalisht skuadrën e tyre të zemrës. Ata besojnë se Teuta nuk do t’i zhgënjejë në këtë duel Evrope.

PËRGATITJET
Durrsakët e drejtuar nga Hasan Lika kanë vijuar me intensitet përgatitjet, në kuadër të ndeshjes së parë të Ligës së Evropës kundër Metalurg Rustavit. Ndërkaq, lojtarët po marrin ngarkesën maksimale, me qëllim që të mos e diskutojnë rezultatin pozitiv. Në kampin durrsak, fakti që do të luajnë në shtëpi, i bënë edhe më optimistë se do të bëjnë më të mirën për ta kaluar me sukses.
LEONIDHA MUSAJ

Te lidhura me artikullin:

2 Komente

  • …Metalurg Rustavi, kundershtari i durrsakeve, konsiderohet nje ekip i nje niveli me te dobet se ekipet tona te superiores qe nuk shenon shume. Ne kampionatin gjeorgjian me 8 ekipe kane shenuar 39 gola ne 36 ndeshje. Veshtiresia e kualifikimit qendron vetem ne nje aspekt – ne koken e disa lojtareve!

  • Ju uroj djemve te detit suksese dhe seriozitet ne kete ndeshje .Duhet ta fitojne se ikane te gjitha mundesit mos i mbivleresojne…….

    FLAMUR Tartari
    MJEKU I PARE I KOMBETARES SHQIPTARE

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *