Na ndajnë vetëm pak orë nga hedhja e shortit për kompeticionet evropiane. Tirana është e gjitha me sytë nga Zvicra, atje ku pritet që të hidhet ky short. Për bardheblutë drejt Nionit është nisur administratori Salih Tagani, duke qenë kështu i pari që do të mësojë emrin e rivalit. Mirëpo, në kampin kryeqytetas nuk i druhen aspak emrit të kundërshtarit madje, nëse qëllon një skuadër e fortë, më mirë do të ishte. Kjo do t’i karikonte më tepër për t’u përgatitur për turin e dytë. I kësaj linje është edhe kapiteni Elvis Sina, i cili i kontaktuar nga “Panorama Sport” pak orë para hedhjes së goglave, nuk ka nguruar që të komentojë mbi pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. “E presim me mjaft interes orën e hedhjes së shortit, duam të mësojmë sa më shpejt emrin e kundërshtarit. Mirëpo, jo se kemi frikë, pasi për ne çdo rival është i fuqishëm në momentin që i është dhënë e drejta të jetë pjesë e këtij trofeu. Madje, mendoj se po të na qëllojë një skuadër e fortë, e kujtdo vendi qoftë, do të na bënte mirë, do të karikoheshim edhe më shumë për t’i mbyllur llogaritë me kualifikimin. Pretendimet për këtë edicion janë të mëdha, pse jo të shkojmë deri në turin e tertë. Megjithëse, deri atje duhet punë. Deri më tani ekipi është në gjendje të mirë, unë personalisht pas problemit që kam pasur, besoj se do të jem gati”, – tha fillimisht kapiteni, që duket tepër optimist.
E ardhmja Ende nuk ka vendosur se ku do të jetë e ardhmja e tij pas Evropës, mirëpo nuk nguron ta shprehë hapur dëshirën për të qëndruar te kryeqytetasit edhe për këtë sezon. Prej 15 vitesh vesh fanellën bardheblu dhe ka fituar jo pak, por 20 trofe në total. Ka biseduar me drejtuesit, por detajet do t’i përcaktojnë pas ndeshjeve evropiane. “Dëshira për të qëndruar te Tirana është e madhe, pasi kam kaluar jo pak këtu. Mirëpo, për momentin, duhet të qartësojmë disa pika. Megjithatë, është herët për të menduar për qëndrim apo largim, pasi vëmendja jonë është e përqendruar te ndeshja e parë e 5 korrikut. Në fillim të gushtit situata edhe për mua do të qartësohet. Oferta kam pasur, madje edhe konkrete. Por, nuk mund të diskutoj për këtë temë, të paktën për tani”, – tha në përfundim të fjalës mbrojtësi Elvis Sina.
Gjata dhe Sejdo s’janë në planet e Rubios
Burime të sigurta pranë kampit bardheblu bëjnë me dije se trajneri ka krijuar një ide të qartë për grupin që do përbëjë sezonin e ri. Nga ata që kanë qenë pjesë e Tiranës një sezon më parë, pritet që disa të largohen. Madje, vetë trajneri ua ka komunikuar disave prej tyre që të gjejnë tjetër ekip. Bëhet fjalë për Arvist Gjatën dhe Xhino Sejdon, mesfushorin peqinas dhe portierin e tretë të kryeqytetasve. E njëjta gjë vlen edhe për disa nga të rinjtë, që janë stërvitur me ekipin e parë, të cilët trajneri nuk i do. Pritet që vetëm pas Evropës trajneri të komunikojë më saktë listën zyrtare të atyre që do qëndrojë ose largohen, ku pritet të përfshihen titullarë.
Si është situata e Tiranës në prag të ndeshjes së parë
Tirana duket se po kalon një situatë tepër pozitive, teksa ndodhemi veçse 10 ditë larg nga ndeshja e parë e turit të parë. Bardheblutë kanë ecuri mjaft mirë në merkato, teksa janë konkretizuar tri afrime dhe një largim. Pashaj, Muollari dhe Çota janë lojtarët që i kanë përforcuar ndjeshëm kryeqytetasit. Sakaq, Florent Aziri është i larguari i vetëm, shto këtu edhe Sokol Cikalleshin që, në fakt, ishte i huazuar prej Besës. Prej më shumë se dy javësh ekipi i Rubios ka nisur përgatitjet me ritme tepër të larta. Një miqësore është realizuar deri më tani, me një kundërshtar si Dinamo, e cila u fitua me shifrat e thella 5-1. Panorama duket e kënaqshme ndonëse, paraprakisht, vlen që skuadra të shihet se si do të jetë në fushë me një kundërshtar të vërtetë.
Tagani në Nion, merkatoja sërish pezull
Administratori Salih Tagani dje është nisur drejt Nionit të Zvicrës, ku do të hidhet shorti për turin e parë paraeliminator për Ligën e Evropës. Me kthimin e tij, pritet që të marrin zgjidhje një sërë problematikash. Pikësëpari në merkato, ku me sa mësohet klubi është në pritje të Bogunoviçit dhe Becirit për t’i provuar. Një akord paraprak është arritur, por firma sigurisht që jo. Po këtë javë pritet që lojtarët të marrin dy rroga, të paktën kështu u është premtuar. Muaji tetor i prapambetur dhe maji. Nëse shlyen këto paga, lojtarët do të jenë më të qetë dhe më të karikuar për të vazhduar përgatitjet e tyre për takimin e parë të turit të parë në Evropë.
ADELA MERKO


Duka, si afrikani që kërkon t’u shesë akull eskimezëve