Ballina, Kategoria Superiore, Kupa e Shqiperise — 19 Prill, 2012 10:05

Skënderbeu në finale të kupës pas 26 vjetësh, Kastrioti do fitore në tavolinë

KASTRIOTI – SKËNDERBEU  0-0
KASTRIOTI: A.Hoxha, Caca, Ognjanoviç (Sekseni 66′), Malakarne, Vukomanoviç (R.Hoxha 62′), Pashaji, Alikaj, Muçollari, Turdiu, Cetkoviç (Xhihani 73′), Inkango. Trajner: Ramadan Ndreu
SKËNDERBEU: Shehi, Fagu (Dimo 55′), Radas, Bici, Arapi, Bratiç, Orelesi, Muzaka, Allmuça, Plaku (Biskup 89′), Xhafaj. Trajner: Stanislav Levi
KARTONË TË VERDHË: Orelesi 54′, Muzaka 74′
VËZHGUES: Sazan Velçani (Patos)
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET: B.Pashaji (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë), E.Barushi (Tiranë)

MINUTAT
31′ Krosim nga këndi i Alikajt, Muçollari gjuan me kokë brenda zonës dhe Shehi bën mrekullinë, duke e larguar topin që po i drejtohej rrjetës.
69′ Pas një daljeje të Radasit nga e djathta, topi shkon në zonë dhe Xhafaj gjuan me kokë, por Hoxha grushton. Më pas, Plaku afër portës bën më të vështirën, duke goditur keqazi.
82′ Është radha e Seksenit për të treguar vlerat në afërsi të zonës, por mesfushori është i pafat, pasi goditja e tij përplaset në tranversë dhe del jashtë.
92′ Alikaj shënjestron portën nga goditja e dënimit dhe topi përplaset sërish në traversë.

Kastrioti barazon pa gola në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale ndaj Skënderbeut dhe kësisoj në finalen e Kupës së Shqipërisë shkojnë korçarët, të cilët fituan 3-1 në takimin e parë. Megjithatë, pas ndeshjes së djeshme, klubi krutan përpiloi një relacion drejtuar institucionit të futbollit, teksa pretendon se mbrojtësi kroat i Skënderbeut, Marko Radas, ka tre kartonë të verdhë dhe nuk duhej të aktivizohej. Në këto kushte, klubi i Kastrioti kërkon fitoren në tavolinë dhe tashmë i mbetet Komisionit të Disiplinës për të shqyrtuar çështjen. Lajmin e konfirmoi pas ndeshjes edhe zv.trajneri i Kastriotit, Shaban Dallaku, i cili dje drejtoi skuadrën nga pankina. “Pas ndeshjes, ne si klub kemi bërë edhe një relacion të firmosur në drejtim të Federatës Shqiptare të Futbollit. Korçarët, nisur edhe nga njoftimet e shtypit, kishin lojtarin Radas me tre kartonë të verdhë. Normalisht ai nuk duhet të luante sot (dje). Burimi i këtij informacioni nuk është nga ne, por nga klubi i Skënderbeut. U mbetet organeve të federatës për të shqyrtuar këtë çështje”,- ka thënë Dallaku. Ndërkohë, ky problem ishte verifikuar që gjatë ndeshjes, teksa nënkryetari i Bashkisë së Krujës, Reshit Merlika, i kërkoi stafit që ta shënojnë këtë çështje pas përfundimit të takimit. Kastrioti ka një shpresë për të ndryshuar rezultatin, por fjalën e fundit do ta thotë Disiplina, që ndoshta mund të mblidhet që sot.
Ndeshja Pas 26 vitesh pritjeje, Skënderbeu prek finalen e Kupës së Shqipërisë. Barazimi pa gola dje në Krujë ka nderuar korçarët, të cilët fituan 3-1 ndeshjen e parë. Kastrioti bëri gjithçka për të shënuar, por ka qenë i pafat para portës së Shehit. Ky i fundit ishte heroi për Skënderbeun, teksa shpëtoi gola të sigurt. Krutanët e nisën takimin me një skemë tërësisht sulmuese, teksa në vijën e parë ishte Cetkoviç, Inkango dhe Turdiu. Gjatë gjithë ndeshjes skuadra e trajnerit Ndreu ka qenë më kërkuese, por goditjet drejt portës nuk kishin shënjestrën e duhur. Në tri raste, krutanët u penguan nga shtylla. Momenti më i mirë gjatë pjesës së parë ishte në minutën e 31-të, kur Muçollari goditi me kokë dhe Shehi bëri mrekullinë. Pjesa e dytë ishte më e bukur. Skënderbeu i besoi më shumë kundërsulmit, ndërsa Kastrioti merrte gjithnjë iniciativën. Pavarësisht ndryshimeve që u bënë, goli nuk erdhi. Enkel Alikaj, një nga më të mirët në fushë, goditi shtyllën. Këtë bëri edhe mesfushori Sekseni. Sfida u mbyll me një rast të Turdiut, por portieri Shehi i tha “jo” golit.

Levi në delir: Por, na pret një finale në Vlorë
Trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi, nuk e ka fshehur pas ndeshjes gëzimin e tij për arritjen në finalen e kupës. “Qëllimi ynë ishte të shkonim në finale dhe ne atë sot (dje) e realizuam. Edhe pse ekipi nuk u paraqit ashtu siç unë do të dëshiroja, e rëndësishme është që u kualifikuam. Ky është fakti që na gëzon më shumë. Për sa i takon ndeshjes tjetër të radhës në kampionat, mendoj se na pret një tjetër finale në Vlorë. Deri në fund do të luajmë ndeshje shumë të rëndësishme për fatet tona. Ndërkohë, në lidhje me vendin ku do të zhvillohet finalja e kupës, duke qenë se do të luhet ndaj Tiranës, nuk na përket ne të vendosim nëse do të luhet në kryeqytet apo ndonjë qytet tjetër. Kudo që të vendoset për të luajtur, ne do të luajmë për fitore”, deklaroi Levi.

Sqarimi i FSHF-së: Radas ka marrë dy kartonë të verdhë
Pas pretendimit të klubit krutan për aktivizimin e parregullt të mbrojtësit Marko Radas, burime zyrtare në FSHF kanë sqaruar dje për “Panorama Sport” se lojtari i Skënderbeut nuk e kishte plotësuar numrin e kartonëve. “Radas ka marrë vetëm dy kartonë të verdhë. Klubi i Skënderbeut ka kërkuar sqarime para ndeshjes, është informuar për këtë, kështu që lojtari nuk ka pasur tre kartonë, por vetëm dy”,- treguan burime zyrtare të institucionit të futbollit. Ndërkohë, në bazë të verifikimeve që janë bërë, mësohet se gjatë këtij sezoni lojtari kroat është ndëshkuar 9 herë me kartonë të verdhë. Megjithatë, këto ndëshkime janë të ndara: dy herë ka marrë kartonë të verdhë në ndeshjet e kupës dhe shtatë herë në ato të kampionatit. Për sa i përket kupës, Radas është ndëshkuar në ndeshjet Skënderbeu-Vllaznia 1-1 dhe Skënderbeu-Kastrioti 3- 1. Megjithatë, pas ankesës së klubit krutan, pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës, që do të shqyrtojë çështjen.

Gafat e arbitrave, ja rastet për moviolë
Ndeshjen e kthimit gjysmëfinale, Kastrioti-Skënderbeu, e gjykoi ndërkombëtari Bardhyl Pashaji, i ndihmuar nga asistentët Çokaj e Barushi. Ky i fundit, çuditërisht gjykoi për herë të dytë radhazi Skënderbeun, teksa të shtunën ishte në ndeshjen që korçarët luajtën ndaj Tiranës. Gjykimi i djeshëm la për të dëshiruar në disa episode. Në minutën e 31-të, pas një krosimi të Turdiut, Bici pengon topin në hyrje të zonës. Këtu krutanët pretenduan për prekje me dorë, por edhe pamjet filmike nuk ishin të qarta. Nëse këtu gjyqtari Pashaji mund të shfajësohet, ndryshe ndodhi në minutën e 39-të, kur Fagu e preku topin me dorë brenda zone. Pamjet ishin të qarta, por gjyqtari hezitoi të jepte penallti.

PIKANTE NGA NDESHJA
1. Ndeshja u luajt pa praninë e spektatorëve, por gjithsesi, tifozët krutanë kishin gjetur strehë në tarracat e shtëpive dhe lokaleve afër stadiumit. Ata e mbështetën jo pak ekipin gjatë ndeshjes.
2. Ndonëse trajneri Ndreu e kishte përfunduar pezullimin prej dy ndeshjesh, çuditërisht nuk ka qenë i pranishëm në pankinë. Ai për pak minuta ka qenë në tribunën e gazetarëve, për t’u larguar më pas nga stadiumi dhe për të ndjekur ndeshjen në televizor.
3. Trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi, kishte bërë rotacion në formacion, duke lënë jashtë dy titullarë, kapitenin Bledi Shkëmbi dhe mbrojtësin Ivan Gvozdenoviç. Nisur edhe nga ngarkesa e madhe gjatë ndeshjes së fundit, Levi nuk i aktivizoi lojtarët.
4. Forca të shumta policie janë munduar të respektojnë në maksimum faktin që ndeshja të luhej pa spektatorë, por me vetëm minimumin e lejueshëm nga pjesëtarë të të dyja klubeve, të cilët asistuan në tribunën VIP.
5. Krutanët janë të indinjuar nga gjykimi i kryesorit Pashaji. Zv.trajneri Dallaku deklaroi: “Pashaji jo vetëm na mohoi dy penallti në pjesën e parë, por gjatë gjithë lojës ka qenë kundër nesh, duke i dhënë një dorë Skënderbeut për të mos humbur”.

 

Te lidhura me artikullin:

4 Komente

  • Sinqerisht me vjen keq per Kastriotin sepse per mua eshte ekip shume i mire, ku duhej te ishte jo me poshte se vendi i 4, por SKENDERBEU qendron shume me lart se gjithe ekipet e Superiores

  • skenderbleu qendron me siper ketij zogut tim. 2 penallti te padhonme per Krujen. Cfare do ti me teper? Do qe te futet fshf ti beje golat per Korcen qe ta quash se po e favorizon?

  • o ben koqa dhe emrin e skuadres e keni te nje qyteti tjeter do ta hani nga vlora,nuk e harron vlora cfar i keni bere kampionatin e vjecem .ju do merni shtypen ,,,teuta kampione dhe tirona kupen qe luhet ne durres. o teuta ndeshjen e fundit e keni me neqoftese ju duhet golavarazhi jua japim ne deri ne 10-0 teuta kampione,,,,,,,, ne kruje,

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *