Trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, është i bindur se vlonjatët mund të fitojë ndaj hungarezëve të Honvedit. Tekniku pohon se i ka studiuar nga afër në një miqësore para disa ditësh dhe beson se Flamurtari është më i fortë se Honvedi. “Shanset janë të barabarta. Jemi në një nivel të njëjtë me kundërshtarin, ndaj shpresojmë në kualifikim. Unë e kam parë nga afër ekipin e Honvedit në ndeshjen miqësore që zhvilloi para pak ditësh dhe më ka lënë një përshtypje se nuk kemi të bëjmë me një skuadër të pakalueshme për Flamurtarin. Gjatë kësaj periudhe kam mbledhur material dhe e kam ndjekur me vëmendje ekipin. Nuk mund të them më tepër pasi lojtarët do të flasin vetë në fushën e lojës me punën e tyre. Mund të them se ekipi është i karikuar për ta përballuar dhe kaluar me sukses këtë ndeshje. Po ashtu ju them se edhe faza përgatitore ndikoi mjaft në forcën e ekipit. Premtojmë më të mirën”, – tha tekniku. Nga ana tjetër trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, u bën thirrje tifozëve të vijnë në stadium dhe ta ndjekin nga afër ekipin në këtë ndeshje të rëndësishme. “Është një takim i rëndësishëm për ne, një ndeshje e shumë pritur, një nga objektivat tona të realizuara. Në këto kushte unë ftoj të gjithë sportdashësit të bëhen pjesë e këtij takimi, të vijnë e të na mbështesin ashtu sikundër kanë bërë gjithmonë, pasi ata janë forca jonë dhe sot më shumë se kurrë kemi nevojë edhe për ata”, – përfundon Muça. Ndërkohë, stafi teknik do të ketë rastin të shikojë nga afër kundërshtarin ditën e sotme, pasi parashikohet që hungarezët të zhvillojnë një seancë stërvitore në ambientet e fushës sportive të Flamurtarit. Por, nuk dihet nëse stërvitja do të jetë e hapur dhe ka gjasa që drejtuesit e Honvedit të mos pranojnë që kjo stërvitje të zhvillohet në sytë e vlonjatëve. Honved mbërrin në Vlorë sot, ndërsa do të akomodohet në një nga hotelet e bregdetit. Drejtuesit e klubit u kanë krijuar të gjitha kushtet homologëve hungarezë për një akomodim sa më perfekt. Po ashtu parashikohet që drejtuesit e klubit dhe ekipit hungarez të kenë një pritje të veçantë nga kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. Mësohet se që në hyrje të qytetit të Vlorës e deri në destinacion, pra në hotelin ku do të akomodohen, autobusi i ekipit do të shoqërohet nga forcat e policisë. Ndërkaq, edhe ekipi i Flamurtarit është grumbulluar një ditë më parë në një hotel përgjatë bregdetit, aty ku akomodohen gjithmonë para takimeve.
Soza-Memelli-Pejiç, me tredhëmbësh ndaj Honvedit
Flamurtari do të jetë një ekip i plotë në ndeshjen e parë të Ligës së Evropës. Drejtuesit e tij shprehen të kënaqur për faktin që nuk do të ketë mungesa dhe se të gjithë lojtarët janë në dispozicion. “Ekipi ka ardhur nga faza përgatitore e zhvilluar në Ohër të Maqedonisë pa asnjë traumë”. Kështu është shprehur mjeku i ekipit, Ardian Lluka. Sipas tij, gjendja fizike e lojtarëve është mjaft e mirë dhe nuk ka pasur asnjë problematikë për t’u shqetësuar. “Gjendja fizike e futbollistëve është mjaft e mirë. Nuk ka probleme. Ka pasur disa dëmtime të vogla gjatë fazës përgatitore, por unë jam i gëzuar që ekipi u kthye si rrallëherë nga faza përgatitore pa trauma. Mund të konfirmoj edhe se Kuqi tashmë është drejt rehabilitimit dhe do të jetë i gatshëm për takimin me Honvedin. Ai i është bashkuar ekipit në stërvitje”, – ka bërë të ditur mjeku i Flamurtarit, Ardian Lluka. Deri më tani, kuqezinjtë kanë të konfirmuar që nuk do të luajnë në ndeshjen e parë të Ligës së Evropës kroatin Rajoviç për shkak pezullimi. Ndërkaq, me shumë gjasa do luajnë nga minuta e parë si Soza dhe Pejiç me Memellin. Kështu, formacioni i mundshëm mund të jetë me Koliqin në portë; Sakajn (Arbrin), Pezon, Veliun, Micin në mbrojtje; Telushin, Prognin, Lenen në mesfushë dhe Sozn, Memellin e Pejiçin në sulm.
LENA: E KALOJMË TURIN E PARË
“Jemi të motivuar për të arritur një rezultat pozitiv. Kemi mundësi ta kalojmë me sukses këtë provë. Na duhet fitore. Kundërshtari mund të jetë i vështirë, por unë them me plot bindje se do të arrijmë të fitojmë. Ekipi është mobilizuar plotësisht. Secili ka detyrën e tij. Do ta kalojmë me sukses këtë provë”, – ka pohuar mesfushori i Flamurtarit, Nijas Lena.
Sakaj: Sakaj: Të mos pësojmë gol
“Ndeshja është e vështirë. Do të luajmë me kujdes. E rëndësishme është që të mos pësojmë gol, pra të jemi në avantazh. Kundërshtari është ekip i fortë, por jo i pamundur për t’u kaluar. Secili nga lojtarët i di detyrat e tij. Është e sigurt tashmë që do të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm. Ekipi është i karikuar. Na ka ndihmuar së tepërmi faza përgatitore në Ohër. Si kapiten i skuadrës ftoj tifozët të na mbështesin. Fitorja në këtë takim patjetër që u dedikohet atyre”, – tha Sakaj. Sakaj: Të mos pësojmë gol.
ERMAL SIKA


Duka, si afrikani që kërkon t’u shesë akull eskimezëve