Besëlidhja – Vllaznia 0-0
BESËLIDHJA: Xhika, Danaj, Kepi, Shytani, K.Dibra, Pepaj, Ziri, Gruda, Beqiri, Çutra, A.Dibra (u aktivizuan: Shyti, Noka, Malasi, Gega); Trajner: S.Meta
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Smajli, Osmani, Kraja, Semina, Beqaj, Nallbani, Belisha, Bardulla, Guri, Hajdari (u aktivizuan: Tafili, Dragoi, Shtubina, Hysa); Trajner: Sh.Duro
Gjyqtarë: R.Pjetrushi, G.Koka, P.Simoni (Lezhë);
Karton i verdhë: Dragoi 60’
Karton i kuq: Osmani 65’
Është mbyllur 15 minuta përpara kohe ndeshja miqësore midis Besëlidhjes dhe Vllaznisë. Ka qënë një vendim i numrit një të pankinës shkodrane, Shpëtim Duro, i cili ka tërhequr të tijtë nga fusha e lojës. Loja e rëndë e lezhjanëve, por edhe gjykimi i njëanshëm, mësohet se kanë qenë arsyet që e kanë shtyrë teknikun ta ndërpresë sfidën. Kuqeblutë kanë pretenduar edhe për dy 11- metërsha.
Ndeshja – Ndeshja nis e ekuilibruar për të dyja skuadrat. Në minutën e 3-të, Hajdari depërton në zonën lezhjane, por pret portieri Xhika. Pas këtij momenti, vendësit zgjohen, duke kundërsulmuar, por nuk arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës. Më pas, loja më shumë zhvillohet në mesfushë, nga ku ndërmerret dhe ndonjë sulm sporadik nga të dyja kampet, por pa rendiment. Në minutën e 30-të, Bardulla e dërgon topin në zonën lezhjane, por Guri shpërdoron. Në të 39’, sërish shkodranët provojnë të sulmojnë nga e majta me anë të Bardullës, nga ku ky i fundit jep një kros brenda zonës së portës lezhjane, por pa sukses. Pavarësisht rasteve, skuadrat respektive do të shkonin në dhomat e zhveshjes me rrjeta të paprekura. Ndërkaq, fraksioni i dytë foli më shumë në favor të vendësve, por që gjithsesi shpërdoruan përpara portës shkodrane. Në minutën e 53-të, A.Dibra ndërmerr një sulm nga qendra, pason te Çutra, por ky i fundit shpërdoron. Në të 60’, Dragoi për Vllazninë ndëshkohet me karton të verdhë, ndërsa pesë minuta më vonë, Osmani del nga fusha me karton të kuq. Këtu do të fillojë edhe nervozizmi i kuqebluve. Pas minutës së 65- të, futbollistët e Besëlidhjes e kontrollojnë lojën, por finalizimi mbeti i dobët. Në minutën e 75-të shkodranët zgjohen me anë të Dragoit, i cili ka një rast ideal për të shënuar, por shpërdoron përballë Xhikës. Ndërkohë Hysa dhe Duro pengohen në mënyrë të dukshme, por për gjyqtarin s’ka 11-metërsh. Kjo solli nervozizëm te trajneri Shpëtim Duro, i cili nuk priti të përfundonte ndeshjen, por në të 75’- n do tërhiqte të tijtë nga fusha e lojës. Pavarësisht kësaj, trajneri i Besëlidhjes, Sokol Meta, u shpreh shumë i kënaqur me lojën e ekipit që drejton. “Jam shumë i kënaqur me ekipin, pasi e justifikoi plotësisht veten, pavarësisht se nuk shënoi. Pjesa e dytë ishte po ashtu si e para, pavarësisht se në formacion aktivizova pothuajse rezervat”.
Duro: Ky s’është futboll, Besëlidhja e teproi!
Trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro, pas ndeshjes miqësore me Besëlidhjen u shpreh i revoltuar se ky nuk është futboll. “Ju e patë dukshëm atë çfarë ngjau me gjykimin në miqësoren e sotme (dje) ndaj Besëlidhjes dhe nuk e kuptoj se pse duhet të ndodhte kështu, në një kohë që rezultati nuk i vlen asnjë skuadre. Ishte e pajustifikueshme që në një takim miqësor të kishte kaq shumë tension. E kisha një parandjenjë se kundërshtari do të luante rëndë dhe prandaj nuk aktivizova të gjithë titullarët nga fillimi i ndeshjes. Mirëpo, në pjesën e dytë vendësit e tepruan. Dhe gjyqtari i ndeshjes në vend që ta ndalonte atë lojë, u bë pjesë e saj. Sigurisht që një miqësore e tillë, kur luhet në këto kushte nuk vlen, ndaj edhe e tërhoqa ekipin nga fusha. Unë jam i kënaqur me mënyrën sesi luajti ekipi im deri në momentin kur u ndërpre sfida, dhe është e qartë se miqësore të tilla duhet t’u shërbejnë trajnerëve për të parë formën e lojtarëve, mënyrën e të luajturit etj. Në këto takime nuk ka asnjë interes barazimi apo çdo rezultat tjetër”.
Noka: Vllaznia kapitulloi, prandaj e la ndeshjen
Numri një i presidencës lezhjane, Gjok Noka, pas përfundimit të ndeshjes miqësore u shpreh se Vllaznia kapitulloi përballë Besëlidhjes. E sipas tij, për t’u justifikuar stimuloi tërheqjen nga fusha e lojës 15 minuta përpara përfundimit të takimit. “Vllaznia kapitulloi përballë Besëlidhjes dhe për t’u justifikuar stimuloi tërheqjen 15 minuta përpara përfundimit. Kjo erdhi ndoshta dhe nga dështimi që pësoi edhe në Shkodër përballë Besëlidhjes, ku nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1. Më vjen keq se pse ndodhi kështu, pasi në pjesën e dytë Vllaznia hodhi në fushë katër futbollistë që janë pjesë e kombëtares, ndërsa ne luajtëm pothuajse me rezervat. Mirëpo, gjithsesi kjo ishte zgjidhja e Vllaznisë. I uroj suksese Shpëtim Duros dhe Vllaznisë në përmbushjen me sukses të objektivave që i kanë vënë vetes”.
Vllaznia, vjen një gjeorgjian
Gjorgjio Maisuradze, një sulmues nga Gjeorgjia, ka mbërritur mbrëmë vonë te shkodranët, për të kaluar një periudhë prove te kjo skuadër. 20- vjeçari është i gjatë 1.70 cm dhe mësohet se ka luajtur me ekipin e Marinos, skuadër kjo që militon në Serinë D në Itali. Sulmuesi do të vihet të hënën nën urdhrat e trajnerit Shpëtim Duro, pasi sot skuadra do të jetë pushim.
Cungu, me laps në dorë
Drejtuesit e Kukësit, trajneri Armando Cungu dhe një nga zëvendësit e tij, pikërisht Avenir Dani, së bashku me ish- drejtorin sportiv të klubit të futbollit Vllaznia, Ardian Zaganjori, kanë ndjekur nga afër takimin mes Besëlidhjes dhe Vllaznisë. Cungu përgjatë gjithë ndeshjes ka qenë me laps në dorë, duke vërejtur me imtësi lojën e Vllaznisë që do ta kenë kundërshtarë në javën e dytë të kampionatit.
PRENG GJIKOLA
ADMIR URUÇI


Kur arbitrat shqiptarë sillen si pasha