GREVENMAKER – TIRANA 0-0
GREVENMAKER: Schab, Brazski, Batalia (Hus 67′), Heinza, Beçtold, Furst, Braun, Almeida (Brando 79), Louadj, Hofman, Schiltz (Gaspar 83′). Trajner: Marko Tom.
TIRANA: Lika, Kalari, Pisha, Pashaj, Ahmataj (Dabulla 90′+4′), Karabeci, Muçollari, Taku, Ferraj (Tushe 15′)(Çota 70′), G.Lika, Bala. Trajner: Hulian Rubio
KARTONË TË VERDHË: Batalia 44′, Braun 68′, Almeida 74′ / Ahmataj 39′
KARTON TË KUQ: Pisha 89′ (2v)
Tirana ka arritur të kalojë në turin e dytë të Ligës së Evropës, pas një barazimi që mori në ndeshjen e djeshme ndaj Grevenmakerit në Luksemburg. Ekipi i Grevenmakerit në fushën e tij ka treguar një lojë krejt të ndryshme nga ajo e ndeshjes së parë në “Qemal Stafa”. Luksemburgasit kanë sulmuar gjatë gjithë kohës dhe i kanë vënë në vështirësi bardheblutë, të cilët ashtu siç ishte parashikuar, i kanë qëndruar besnik rezultatit të takimit të parë, të cilin arritën ta fitonin në shifrat 2-0.
Pjesa e parë Minutat e para të lojës janë më të mira për vendësit, të cilët sulmojnë portën e mbrojtur nga Ilion Lika. Ky i fundit i jep siguri mbrojtjes së skuadrës së tij, e cila është gjithmonë nën presionin e kundërshtarit. Me shumë ndryshime në formacionin e ekipit të tij, trajneri i Grevenmakerit arriti ta bëjë atë të dominonte në fushë. Në minutën e 16-të Loudaj është shumë pranë golit, pasi gjuan saktë me kokë një goditje këndi, por është portieri Lika, ai që bën mrekullinë dhe arrin të presë. Pas këtij momenti miqtë mundohen të reagojnë dhe të dalin në një sulm të shpejtë, i cili ndërpritet nga një ndërhyrje e parregullt e vendësve. Bala merr përsipër të ekzekutojë një goditje dënimi nga jashtë zone, por gjuajtja e tij e fortë nuk është në kuadrat. Minutat kalojnë dhe luksemburgasit janë gjithmonë në superioritet, ndërsa trajnerit Rubio i duhet të bëjë edhe një zëvendësim të detyruar në minutën e 15-të të ndeshjes. Ferraj dëmtohet dhe në vend të tij në fushë është Tushe. Megjithatë, në lojën e bardhebluve nuk ndryshojnë shumë gjëra. Schiltz dhe Hofman janë një rrezik permanent për portierin kryeqytetas, por ky i fundit tregohet në lartësinë e duhur dhe arrin t’i presë gjuajtjet e tyre. Ndërsa Bala, në një kundërsulm të shpejtë të Tiranës, në minutën e 39-të nuk gjuan ashtu siç duhet dhe topi përfundon jashtë.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë i lojës është një fotokopje e së parës, ku vendësit sulmojnë dhe Tirana mbrohet duke u përpjekur të shfrytëzojë kundërsulmin me anë të Balës. Megjithatë, drithërimat e vërteta për bardheblutë do të vijnë në minutën e 52-të. Almeida do të lëshojë një silurë nga jashtë zone dhe topi do të preket me majat e gishtave nga portieri Lika dhe më pas do të përplaset në shtyllë. Luksemburgasit nuk u besojnë syve, ndërsa bardheblutë në këtë takim duken se janë me fat. Tirana mundohet të kundërpërgjigjet me anë të Balës në një kundërsulm të shpejtë, por sulmuesi sërish nuk është i saktë në momentet e fundit dhe goditja e tij përfundon jashtë. Ndërkohë që dy trajnerët bëjnë edhe ndryshimet respektive në fushë, ku bie në sy ai i Tiranës. Tushe i futur në pjesën e parë, duket se nuk ka bindur trajnerin Rubio dhe ka lënë fushën e blertë për Çotën. Por, pavarësisht zëvendësimeve, në lojën e bardhebluve nuk ndryshojnë shumë gjëra. Hus, kapiteni i Grevenmakerit, që e nisi këtë ndeshje nga stoli do të rrezikojë në minutën e 78-të, por është sërish Lika që bën mrekullinë dhe pret një top, që shumëkush e shihte në portë. Në fundin e ndeshjes Pisha merr edhe kartonin e dytë të verdhë dhe del nga fusha e blertë, duke e lënë ekipin me 10 lojtarë, ndërsa Tirana kualifikohet falë fitores në përballjen e parë.
Tom: Nëse Almeida shënonte, do ishim ne në Norvegji
Grevenmakeri është komplimentuar nga të gjitha mediat luksemburgase pas ndeshjes së djeshme që zhvilloi ndaj Tiranës në Luksemburg, ku edhe pse nuk arriti të shënonte, i vuri shpeshherë në vështirësi ata që u cilësuan si profesionistë. Por, pas takimit të djeshëm trajneri i Grevenmakerit, Mark Tom, ka qenë i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij. “Tirana vinte me avantazhin e dy golave, plus që në përbërje të saj ka lojtarë me mjaft eksperiencë. Megjithatë ne u munduam të bënim gjithçka mirë dhe mendoj se ia arritëm deri në njëfarë pike. Them kështu, pasi ata u mbrojtën mirë dhe nuk na lanë hapësira. Për më tepër, portieri i tyre ishte në një ditë të mirë dhe ka pritur shumë gjuajtje të lojtarëve tanë”, – është shprehur Tom. Tekniku gjithashtu nuk ka lënë pa komentuar edhe shtyllën e goditur nga Almeida. “Mendoj se sot ne kemi qenë superiorë në çdo minutë që kalonte. Unë mund të them se nëse gjuajtja e Almeidës do të kishte përfunduar në rrjetë, atëherë do të ishim ne skuadra që do të udhëtonte në turin tjetër drejt Norvegjisë. E kisha thënë edhe më parë se rezultati i takimit të parë do të na penalizonte, dhe një gjë e tillë ndodhi. Megjithatë jemi koshientë që u munduam ta arrinim kualifikimin, por nuk ia dolëm dot. Ishim një skuadër ndryshe nga sfida e parë dhe për këtë jam i kënaqur. Falënderoj të gjithë skuadrën që reagoi në mënyrën e duhur dhe nuk u dorëzua deri në minutën e fundit”, – ka përfunduar Tom.
Pisha mungon në sfidën e radhës
Për ndeshjen e radhës në Ligën e Evropës që Tirana do të luajë me Alesundin trajneri Hulian Rubio nuk do të ketë të gatshëm qendërmbrojtësin Arjan Pisha. Futbollisti u ndëshkua gjatë ndeshjes së djeshme me Grevenmakerin me dy kartonë të verdhë, duke u larguar nga fusha e blertë në minutat e fundit të kohës së rregullt. Mungesa e Pishës do të lërë një hapësirë të madhe në mbrojtjen bardheblu, duke qenë se rivali i radhës për bardheblutë do të jetë edhe më i vështirë. Megjithatë në këtë sfidë, sipas të gjitha gjasave, do të rikthehet Dushku.
Norvegjezët nisin sulmin: Shqiptarët merren me trukime
Tirana do të ketë në turin e dytë të Ligës së Evropës një skuadër norvegjeze, siç është Alesundi, klub që vitet e fundit ka arritur të bëjë shumë në këtë kompeticion, madje të arrijë edhe në zonën e “play off”-it të tij. Megjithatë, menjëherë pas kualifikimit të bardhebluve në përfundim të ndeshjes me Grevenmakerin, mediat norvegjeze kanë publikuar një artikull, ku shkruhej se një portier i një skuadre të Kategorisë së Dytë në vendin e tyre kishte marrë ftesë nga një shtetas shqiptar për të trukuar ndeshjen e ekipit të tij. Bëhet fjalë për Robin Viskojt, portierin e skuadrës Kjelsas, i cili e ka denoncuar këtë ngjarje vetëm pak ditë më parë. Viskojt është shprehur se ka marrë një letër të çuditshme në profilin e tij në “Facebook” nga një shtetas shqiptar, i cili i ka kërkuar që të bashkëpunonte me të për trukimin e sfidës, që ekipi i tij do të luante ndaj Grefsen Traf. “Çkemi Robin, unë jam duke pritur për ndeshjen nesër”, mësohet t’i ketë shkruar shqiptari portierit në fjalë. Ky i fundit mësohet ta ketë denoncuar menjëherë ketë kontakt, pasi i ishin ofruar edhe para. Ndërkohë që faqja sportive në të cilën është publikuar ky lajm, i ka bërë një jehonë këtij denoncimi duke e lidhur atë menjëherë me ndeshjen që skuadra e Alesundit do të luajë në turin e dytë eliminator të Ligës së Evropës.
Qëllimi Duket se mediat norvegjeze e kanë pasur të gatshëm këtë artikull që kanë publikuar, pasi ai është hedhur në faqen online të gazetës në fjalë menjëherë pas mbarimit të takimit mes Grevenmakerit dhe Tiranës. Përveç denoncimit të portierit, i cili gjithsesi nuk e kishte të sigurt, por vetëm dyshonte se ftesa për trukimin e takimit i ishte bërë nga një shqiptar, media ka përmendur edhe dosjet e hetimit që UEFA ka dërguar në Federatën Shqiptare të Futbollit në lidhje me trukimet e kampionatit shqiptar. Nuk duhet të harrojmë se vetëm pak kohë më parë UEFA kërkoi nga organizimi i futbollit në vend që të hetonte mbi disa nga ndeshjet e skuadrave elitare tek ne, në bazë edhe të raporteve që kishin bërë përfaqësuesit e saj. Kështu që artikulli i publikuar ka dashur të hedhë baltë mbi skuadrat shqiptare, duke treguar se njerëz në vendin tonë tashmë e kanë kthyer në një biznes trukimin e ndeshjeve.
Alesund, ekipi që ka arritur të kalojë tri ture
Me rezultatin 2-0 në ndeshjen e parë ndaj Grevenmakerit dhe me barazimin e djeshëm pa gola, skuadra e Tiranës ka siguruar kualifikimin për në turin e dytë të Ligës së Evropës, ku përballë do të ketë Alesundin. Norvegjezët janë një ekip që sezonet e fundit ka bërë një paraqitje të mirë në këtë kompeticion. Vitin e shkuar Alesundi ka arritur të kalojnë tri ture në Ligën e Evropës, duke mposhtur skuadra të tilla si Madhëruelli, Ferencvaroshi, por edhe Elfzborgu. Ndërsa në ndeshjen e “play-off”-it, që ka luajtur në këtë kompeticion, Alesundi nuk ka triumfuar dot ndaj holandezeve të Alkmarit, që kanë një ekip elitar në kampionatin e tyre. Alesundi është themeluar 98 vite më parë dhe aktualisht renditet në vendin e nëntë në kampionatin norvegjez. Mediat e vendit të tij e kanë kritikuar skuadrën për paraqitjet jo të mira që po bën në kampionatin norvegjez, duke u shprehur se në këtë mënyrë vihet në dyshim edhe kualifikimi në sfidën me Tiranën. Norvegjezët janë një hap më përpara me përgatitjet se Tirana, duke qe se kampionati i tyre është në mesin e tij dhe lojtarët janë më të përgatitur fizikisht.
Bala drejt Spartës së Pragës për 250 mijë euro
Sfida me Grevenmakerin mund të jetë e fundit me fanellën e Tiranës për sulmuesin shkodran, Bekim Bala. Ky i fundit ka deklaruar hapur gjatë javëve të fundit se nuk do të jetë më pjesë e Tiranës sezonin e ardhshëm. Ofertat në drejtim të tij nuk kanë munguar si nga skuadra brenda vendit, ashtu edhe nga kampionatet e huaja. Por, sipas të gjitha gjasave, destinacioni i mundshëm për futbollistin do të jetë skuadra çeke e Spartës së Pragës. Këta të fundit mësohet që t’i kenë bërë një ofertë prej 250 mijë eurosh Balës, prej të cilave 50 mijë euro do t’i marrë Tirana për ta lënë të lirë sulmuesin, i cili vazhdon të jetë nën kontratë. Duket se ky kalim do të konkretizohet në ditët në vijim, pasi palët kanë rënë dakord për gjithçka dhe tashmë mungojnë vetëm firmat mbi kontratë. Ndërkohë që, një tjetër destinacion i mundshëm për Balën është edhe kampionati qipriot i futbollit. Ekipi i Superligës në këtë kampionat, AEL Limasol, i ka bërë një tjetër ofertë shkodranit, e cila shkon deri në 120 mijë euro. Bisedimet edhe në këtë drejtim kanë vazhduar, por ato nuk kanë avancuar shumë. Për shërbimet e Balës është interesuar edhe skuadra e Vllaznisë, e cila ka kërkuar ta rikthejë futbollistin në gjirin e saj. Por, vetë lojtari është shprehur se e tërheq më shumë aktivizimi në një kampionat jashtë vendit.
ARMAND HALILI


Berisha, legjenda e Partizanit që punon si shofer ambulance