Ballina, Kategoria Superiore, Tomori, Vllaznia — 17 Qershor, 2012 13:51

Vllaznia e Luftëtari duan Klod Arbrin, sulmuesi: Tomorin, pastaj të tjerët

Klodian Arbri është vënë në shënjestrën e Vllaznisë dhe Luftëtarit. Kapiteni i Tomorit, pasi mbylli një sezon fantastik te beratasit, duke pasur një meritë të veçantë në mbijetesën e skuadrës në Superiore, ka marrë së fundmi oferta nga disa klube. Më parë janë përmendur emrat e Bylisit dhe Besës, të cilat janë interesuar për sulmuesin, mirëpo duket se së fundmi më insistuese për shërbimet e tij janë Vllaznia dhe Luftëtari. Klubi gjirokastrit e ka shprehur hapur dëshirën për të pasur në skuadër sulmuesin beratas, teksa sinjali u dha fillimisht nga Arlind Nora. Lojtari i Luftëtarit deklaroi në emër të klubit se do të bëjë ndërmjetësin për të sjellë Arbrin në Gjirokastër. Nga sa mësohet, pak ditë më parë futbollistit beratas i është ofruar një takim në qytetin e gurtë. Synimi ka qenë ulja në bisedime konkrete, mirëpo kjo nuk ka ndodhur, pasi ai ka qenë me pushime në Greqi. Në të njëjtën kohë, në skenë është futur edhe Vllaznia. Burime të sigurta pranë lojtarit, tregojnë se njeriu që është interesuar personalisht për Arbrin ka qenë trajneri Shpëtim Duro. Ky i fundit preferon sulmuesin, por gjithsesi për momentin duket se pistat nuk janë konkrete. Kapiteni i Tomorit është i predispozuar për të folur së pari me drejtuesit e klubit beratas.
Reagimi - I sapokthyer nga pushimet në Greqi, sulmuesi “veteran” i Tomorit foli për “Panorama Sport” rreth së ardhmes së tij. Ai pranoi kontaktet me disa skuadra të Superiores. “Pas disa ditë pushimesh në Greqi, po shikoj se ende gjërat nuk paskan lëvizur në klubin beratas. Gjatë kësaj periudhe nuk mundem t’i mohoj disa kontakte që kam pasur me klube të Superiores. Unë e shoh këtë si një shenjë vlerësimi për punën e bërë me Tomorin, duke ndihmuar në sigurimin e Superligës për skuadrën time të zemrës. Për sa i përket ofertave dua të mos shprehem akoma, edhe pse emrat e klubeve tashmë janë publikuar në shtyp. Nuk mund të kem një përgjigje konkrete për këto oferta, deri në momentin që të ketë diçka zyrtare. Mendoj se merkatoja është akoma në hapat fillestarë, ndaj dua të shpreh dëshirën time për të qëndruar dhe drejtuar sërish skuadrën beratase drejt objektivave të saj për sezonin e ardhshëm. Do të më duhet të ripërsëris atë çfarë kam thënë edhe më parë. Pra, fillimisht jam i predispozuar të dëgjoj ofertën që do të vijë nga Tomori. Vetëm në momentin kur të shoh se gjërat në Berat do të lëvizin, atëherë edhe unë do të nis të zyrtarizoj takimet me skuadra të tjera të interesuara. Kam dëshirën maksimale që të vazhdoj të qëndroj sërish në Berat dhe të luaj nën mbështetjen e tifozerisë sonë të mrekullueshme”, – ka thënë kapiteni i Tomorit.

Tomori, ende në ajër
Në Berat pritet që java e ardhshme të jetë edhe pikënisja e punës për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm. Drejtuesit e klubit gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë në pritje të afrimit të donatorëve të mundshëm. Megjithatë, nga sa mësohet, ende nuk ka ndonjë zyrtarizim për afrimin apo jo të ndonjë sponsori. Kjo duket se mban peng edhe nisjen e punës. Ndërkohë, kryebashkiaku Fadil Nasufi ka premtuar një skuadër ndryshe.
ELTON ÇELA

Te lidhura me artikullin:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *