Barça magjike, spektakël Romës, Bajerni bën ‘poker’

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2015 | 22:46

Barça magjike, spektakël Romës, Bajerni bën ‘poker’

mesi

Barcelona s’ka mëshirë, “tenis” kundër Romës

Roma ka një lajm të mirë dhe një të keq. I miri është se mund të kualifikohet për në raundin tjetër të Championsit, nëse fiton me BATE-n në ndeshjen e fundit, duke qenë se Leverkuseni luan ndaj Barçës. I keqi është se pikërisht kundër katalanasve është mundur në mënyrë spektakolare. As goli i vetëm që shënuan në sekondat e fundit nuk ka pasur vlerën e “nderit”. Pasi kishin mundur Realin e Madridit në “Santiago Bernabeu” 4-0, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe dhe djemtë e Luis Enrikes e ndëshkuan Romën 6-1.

Pjesa e parë

Pas gati dy muajsh, Lionel Mesi u rikthye në formacion për ekipin e tij. Iu deshën disa minuta që të ambientohej me ritmin dhe të rigjente nuhatjen për gol. Shpërdoroi dy mundësi të arta, para se Roma të jepte shkëndijën e parë. Në të 13- n, Xheko nuk arriti të finalizojë saktë një goditje me kokë brenda zonës, duke i dhënë mundësinë Suarezit që të zhbllokojë rezultatin vetëm 120 sekonda më pas. Në të 18-n, erdhi edhe firma e “mbretit”. Pas një aksioni me shumë pasime, ylli argjentinas gjeti rrugën e rrjetës dhe dyfishoi rezultatin. Kaq mjaftoi që verdhekuqtë të dorëzohen dhe të tregojnë qartazi se nuk kishin më shpresa për rezultat pozitiv. Për t’ua përforcuar këtë ide, mendoi sërish Suarez që, para se ekipet të shkonin në dhomat e zhveshjes, e çoi rezultatin në 3-0. Uruguaiani tregoi se është një “shkollë futbolli” më vete, duke shkundur me potencë dhe saktësi rrjetën e Sheznit.

Pjesa e dytë

Garsia nxori nga fusha Naingolanin për ta ruajtur nga pezullimi për BATE-n, ndërsa Luis Enrike aktivizoi Samperin (asnjë ndeshje në kampionat dhe 1 prezencë në Champions, një vit më parë). Një tregues që ekipet do të numëronin me përtesë minutat e mbetura, për ta mbyllur edhe këtë “detyrë”. Gjithsesi, golat nuk munguan për katalanasit. Pike shënoi të parin sezonal, Mesi të dytin, pas rikthimit nga dëmtimi, dhe Adriano në fund, që përfitoi nga penalltia e gabuar e Nejmarit. Kur po numëroheshin edhe pak sekonda nga fundi, Xheko vuri “vulën” e tij, për të treguar që ishte në fushë. Boshnjaku shënoi golin e vetëm për Romën, i cili zbuti në minimum shijen e një humbjeje shkatërruese. Te Barcelona festivali i golave duket se nuk ka për të përfunduar shpejt, ndërsa te Roma duhet të luajnë me llogari në sfidën e fundit…

Leverkuseni zhgënjen në Bjellorusi

Leverkuseni nuk ka mundur të marrë më shumë se një pikë në transfertën ndaj Bate Borisovit. Ishin bjellorusët që kaluan të parët në avantazh, kur Gordeç- juk gjeti rrugën e rrjetës vetëm dy minuta pasi filloi ndeshja. Gjermanët e rritën ndjeshëm presingun dhe kërkuan me ngulm që të përmbysnin rezultatin, por e patën të pamundur. Futbollisti me origjinë shqiptare, Admir Mehmedi, shpëtoi “aspirinat” nga humbja në minutën e 68-të. Ai ndëshkoi Baten, pasi e goditi topin në formë parabël brenda zonës. Një barazim, që lë gjithçka të hapur për vendin e dytë. Leverkuseni ka po aq pikë sa Roma, por në sfidën e fundit pret Barcelonën, ndërkohë që italianët luajnë në shtëpi kundër bjellorusëve të vendit të fundit.

Çelsi bën “poker”, Dinamo trondit Porton dhe Kasijasin

Çelsi ka bërë detyrën ndaj Makabit të Telavivit. Blutë e Londrës kanë shënuar katër gola dhe kanë marrë kreun e klasifikimit në grupin G me pikë të barabarta me Porton. Djemtë e Murinjos e patën gjithçka të lehtë ndaj një rivali që është dorëzuar dhe luante vetëm për statistikë. Për të zhbllokuar ndeshjen mendoi Geri Kehil, i cili përfiton nga një rrëmujë në zonë dhe e ndal topin në rrjetë. Pjesa e parë përfundon me këtë rezultat, ndërsa vendësit ndëshkohen me karton të kuq duke bërë gjithçka më të lehtë për skuadrën e Çelsit. Në të dytën, djemtë e Murinjos e gjejnë kuadratin edhe tri herë të tjera me Uillian, i cili shënon një supergol nga goditja e dënimit, Oskar dhe Zouma. Goli i këtij të fundit erdhi në momentin kur pritej vërshëllimi i gjyqtarit kryesor. Me fitoren e tri pikëve, Çelsi parakalon Porton dhe merr vendin e parë të klasifikimit. Megjithatë, për t’u kualifikuar duhet pritur deri në ndeshjen tjetër.

Turpërohet Porto

Dinamo e Kievit ka bërë surprizën në Portugali duke i shënuar dy gola Portos dhe duke e mbajtur të hapur luftën për kualifikimin. Skuadra ukrainase shtangu dy herë portierin Iker Kasijas. Goli i parë bëri xhiron e internetit, pasi Dinamo e Kievit ekzekutoi një gol vërtet të bukur, por edhe të veçantë. Tre futbollistë qëndruan përpara topit dhe në momentin e ekzekutimit u nisën duke shpërqendruar portierin Kasijas, Jarmolenko shënon golin e parë, ndërsa kur të gjithë prisnin reagimin e vendësve, Gonzales shënon të dytin duke mbajtur gjithçka të hapur në këtë grup. Ëndërron Genti – Zeniti nuk di të ndalet. Rusët fitojnë ndaj Valencias, edhe pse e kishin siguruar kualifikimin për në raundin tjetër të Champions-it një ndeshje më parë. Ky rezultat i ka shkuar për shtat Gentit që arrin të fitojë në fushën e Lionit duke mbajtur ende shpresat për një kualifikim të mundshëm. Kulibali shënoi gol në minutën e 95-të, pasi deri në ato momente ndeshja ishte mbërthyer në rezultatin 1-1.

Bajerni “poker” grekëve, kualifikohet në 1/8-at

Shtëpia e golave të Champions-it është zhvendosur në “Allianz-Arena”. 30 gola në 6 ndeshje brenda fushe ka shënuar Bajerni i Mynihut për vitin 2015 në Ligën e Kampioneve. Këtë sezon rekordmenët gjermanë kanë shkatërruar çdo rival, Zagrebin 5-0, Arsenalin 5- 1, Olimpiakosin 4-0 duke prerë kështu biletën për në finalet e 1/8-ave si “kokë” e Grupit F. “Pokerin” e golave ndaj grekëve e hapi Kosta (8′) duke vijuar me Levandovskin (16′), Mylerin (20′) dhe Koman (69′) vulosi.

Rrotacioni

Dy formacione të njëjtë është tabu për Guardiolën. Në ndryshim me fitoren e fundit ndaj Shalkes, Pep bën 4 ndryshime: Rafinja, Boateng, Badshtuber dhe Koman zëvendësuan Benatia, Martinez, Alonson dhe Alabën, i cili ndodhej në tribunë. Për qendërmbrojtësin Badshtuber ishte hera e parë në formacion pas fitores 6-1 ndaj Portos më 21 prill.

Shou golash

Edhe pse barazimi i kualifikonte si Bajernin dhe Olimpiakosin, mes gjermanëve dhe grekëve nuk ka pakt. Bajerni starton me efikasitet, vrullshëm nga krahët me Robenin dhe Kostën. Olimpiakosi i tronditur edhe nga terrori në derbin e Athinës duroi vetëm 8 minuta në Mynih para 70 mijë spektatorëve. Në zonën e rreptësisë së grekëve, bavarezët luajnë “pingpong” me pasime ku në fund shënon Doglas Kosta dhe vallëzimi “samba” i pasohet Levandovskit, i cili në minutën e 16-të merr një pasim pa dashje nga Koman dhe dyfishon rezultatin duke shthurur totalisht grekët. Me një elegancë të lartë, Roben komandon nga krahu i djathtë dhe pas një luftimi në ajër pason me kokë te Myler, i cili vulos në 3-0 pjesën e parë. Bajerni është shndërruar në përbindësh goli, pasi ndaj Zabrebit i nevojitën 25 minuta për të shënuar 3 gola, kundër Arsenalit 44 minuta, ndërsa përballë grekëve vetëm 20 minuta.

Badshtuber “skuqet”, Koman vulos 4-0

Edhe pse Bajerni jepte komandot në fushë dhe ishte i qetë me rezultatin, Holger Badshtuber u rikthehet gabimeve tipike të tij. Në minutën e 53-të shkakton faull si lojtar i fundit dhe gjyqtari suedez e nxjerr me karton të kuq në debutimin e tij këtë sezon në Champions. Pavarësisht diferencës numerike, Bajerni nuk ndalet. Në minutën e 70-të Koman ia nxjerr inatin e shokut të skuadrës duke vulosur në 4-0. Për çudi, Olimpiakosi nuk godet asnjëherë në kuadrat dhe kualifikimin e ka vetë në dorë në Pire ndaj Arsenalit ku i duhet vetëm të mos humbasë.

Sançez “djeg” kroatët, bileta vuloset në Pire

Falë një performance të shkëlqyer të Sançezit dhe ambicies për t’u bërë pjesë e 16 skuadrave më të mira, Arsenali ka gjunjëzuar Dinamon e Zagrebit në “Emirates”. Dopieta e bomberit Sançez dhe goli me kokë i Ozilit vulosën fitoren 3-0 para 60 mijë spektatorëve në Londër. Trajneri Arsen Venger zgjedh të luajë me skemë sulmuese edhe pse kishte 8 mungesa në formacion. Arsenali startoi me presing dhe lojë të shpejtë që në minutat e para ku Kazorla pati shansin të shënonte që në minutën e 6-të. Presioni ndaj portierit të grekëve, Eduardo, u rrit aq shumë sa Ozil e ndëshkon me kokë (29′) pas një krosimi në zonë të Sançezit. 4 minuta më pas sulmuesi kilian Aleksis Sançez arrin të dyfishojë rezultatin duke ngritur në këmbë 55 mijë spektatorët londinezë. Në pjesën e dytë, “topçinjtë” dominojnë nga krahët me lojën vertikale dhe pasime të shkurtra. Në minutën e 70-të, Sançez vulos në 3-0 duke marrë hak ndaj kroatëve. Për t’u kualifikuar, Arsenalit i duhet fitore me dy gola diferencë ndaj Olimpiakosit në ndeshjen e fundit në Pire ose të fitojë duke shënuar më shumë se 3 gola.

Ja të gjitha takimet e luajtura sot.

Zenit-Valencia 1-1
BATE-B.Leverkusen 2-0
Barcelona-Roma 6-1
Arsenal-D. Zagreb 3-0
B. Mynih-Olimpiakos 4-0
Porto-Dinamo Kiev 0-2
M.Tel Aviv-Çelsi 0-4
Lion-Gent 1-2

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"