Besa, gati 6 afrimet finale për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2014 | 9:09

Besa, gati 6 afrimet finale për Superioren

BizhdiliMesnatën e djeshme u mbyll merkato e Superiores, në një kohë që Besa e Kategorisë së Parë duket se priste shumë nga zhvillimet që do të ndodhnin në elitë. Duket se për kavajasit nuk do të ketë shqetësim, pavarësisht se mbrojtësi Ervis Kaja, i cili konsiderohej si një përforcim i rëndësishëm për skuadrën, vendosi të firmosë një kontratë 3-vjeçare me Apoloninë. Në lidhje me këtë situatë, është vetë presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, i cili konfirmon se ka gati gjashtë afrime cilësore. Sipas tij, këta futbollistë presin përgjigjen e Bizhdilit. Në ditët në vazhdim do të vendoset përfundimisht në lidhje me emrat e lojtarëve që do të afrohen te kavajasit.
Bizhdili Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, kreu i klubit kavajas, Nexhat Bizhdili, shprehet: “Të mos shqetësohen tifozët e Besës pasi pavarësisht se merkato e Superiores është mbyllur, unë kam kontaktuar me gjashtë futbollistë dhe ata po presin OK-in tim. Janë më shumë se gjashtë, ndaj po ju them se më duhet të zgjedh mes tyre se kush i nevojitet trajnerit Artan Mërgjyshi lidhur me pozicionet që ai ka nevojë. Kështu, këtë javë Besa do kompletohet. Ju garantoj se do të shihni një skuadër pretendente për rikthimin në Superiore”, përfundon prononcimin e tij, Nexhat Bizhdili. Deri tani, mund të konsiderohet si afrim i Besës Bekim Kuli, në një kohë që ka firmosur edhe Ledion Muça. Por, pavarësisht këtyre, pritet që në ekip të afrohen edhe lojtarë të tjerë me eksperiencë. Bizhdili ishte në pritje të lëvizjeve më të fundit që do të bëheshin në Superiore dhe më pas të vendosë për futbollistët që do të afrohen. Ndërkaq, trajneri Mërgjyshi është duke vazhduar normalisht fazën përgatitore, në një kohë që gjatë kësaj periudhe, ekipi ka zhvilluar edhe miqësore. Stafi teknik ka parashikuar që në ditët në vazhdim të luajë edhe takime të tjera miqësore ku do të shihet forma e çdo lojtari.
FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"