Bogdani, këshilla Hysajt: Do provosh edhe humbje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2016 | 10:22

Bogdani, këshilla Hysajt: Do provosh edhe humbje

Një njeri që ka luajtur një jetë në Serinë A, është i duhuri për t’u dëgjuar, sidomos kur kalon një moment të keq në kampionat. hysajPas humbjes me Udinezen, Elseid Hysaj ka marrë një telefonatë shumë të rëndësishme nga Erjon Bogdani. Ish-bomberi i Kombëtares, që aktualisht është në rolin e ndihmësit të Xhani De Biazit, ka këshilluar mbrojtësin kuqezi.

“Kam folur me Hysajn pas asaj ndeshjeje. E kam telefonuar dhe e kam inkurajuar që të mos dorëzohet. I kam bërë të qartë që në karrierë do të ketë edhe të tilla momente, por ai duhet të mësohet që t’i shndërrojë në forcë. Ai është një futbollist me shumë të ardhme dhe në vazhdimësi do të prekë edhe suksese të mëdha, ashtu si edhe humbje, si ajo ndaj Udinezes që zbehu shanset e Napolit në garën për titull”, ka deklaruar Erjon Bogdani, i intervistuar nga një prej mediave pranë napolitanëve.

Në atë takim, jo vetëm Hysaj, por të gjithë lojtarët e skuadrës së Sarrit nuk kanë qenë në një ditë të mirë dhe janë paraqitur dobët. Higuain u tradhtua nga nervat dhe mori një pezullim për shkak të veprimeve kundër arbitrit. Mirëpo, tjetër tablo kishte ndeshja e djeshme e Hysajt dhe e napolitanëve, pasi arritën që të triumfojnë pastër 3-0 përballë Veronës, duke shmangur çdo iluzion të skuadrës së Romës për të marrë vendin e dytë në Serinë A.

E radhës për mbrojtësin e Napolit dhe të Kombëtares është përballja me Interin, që është një ekip i uritur për fitore, në kërkim të një vendi në Ligën e Kampionëve, ndërkohë që pret edhe hapin fals të Romës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"