Bufon: Pritja më e mirë, mposhtja e depresionit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2016 | 10:31

Bufon: Pritja më e mirë, mposhtja e depresionit

Për dikë me CV-në e Xhanluixhi Bufonit, momente si ato që po kalon tani Juventusi nuk janë aspak të vështira. Për lojtarët e kalibrit të portierit në fjalë, të tilla situata janë motivuese.

bufonVetë Bufon, gjatë një interviste për mikrofonat e “Premium Sport”, pranoi se dueli me Napolin ka ardhur shumë herët për të qenë deciziv. Mes të tjerash, portieri që i kushtoi “Zonjës” 54 milionë euro në verën e 2001-shit rrëfeu edhe disa aspekte të tjera në lidhje me jetën e tij private.

Sa deciziv është dueli me Napolin?

Nëse fitojmë, nuk ndryshon asgjë. Nëse ndodh e kundërta, atëherë Napoli fiton edhe më shumë vetëbesim. Pra, së pari, duhet të futemi në fushë me objektivin që të mos pësojmë asnjë gol. Alegri do të ketë një dilemë të bukur për të zgjidhur në fund të sezonit. Mendoj se ai ndihet mjaft mirë te Juventusi dhe se tani mendon vetëm për ne dhe projektin.

Sa rëndësi ka eksperienca e Juventusit në një takim si ai me Napolin?

Do të jetë një faktor me peshë, ashtu si nga tjetër spikat faktori eufori. Kemi të bëjmë me një klub që prej muajsh qëndron në vendin e parë dhe po përjeton situata që kishte vite që nuk i shikonte.

A do të jetë një ndeshje decizive?

Nëse do të fitonte Napoli, atëherë ata do të kishin një avantazh të konsiderueshëm për të administruar deri në fund. Nëse do të fitonim ne, atëherë gjërat do të ndryshonin shumë pak, përveç faktit se do të kurorëzonim galopimin që kemi nisur prej 14 javësh.

Kush është më i fortë, Dibala apo Higuaini?

Nuk janë bashkëmoshatarë dhe nuk shkelin në fushë zona të njëjta. Higuaini është më shumë finalizues, ai është një bomber i vërtetë. Ndërsa Dibala është një lojtar me klas të paparë dhe ka ende një marzh të madh përmirësimi. Ai është pika lidhëse mes mesfushës dhe sulmit.

Të dy bashkë do të bënin “xixa”. A e shikoni Alegrin te Çelsi?

Alegri po bën shumë mirë dhe kjo reflektohet nga Juventusi në fushë.

Për cilin ekip do të bëni tifo në takimin Roma-Real Madrid, të vlefshëm për një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve?

Sigurisht për Romën. Është një ekip italian ku luajnë shumë miq të mi. Për futbollin italian do të ishte shumë mirë nëse do të përfaqësohej edhe në raundin pasardhës të Ligës së Kampioneve.

A duhet t’i trembet Juves Bajerni?

Besoj se kundër nesh do të luajnë duke na respektuar. Ata do të luajnë me bindjen se janë më të fortë. Por janë të vetëdijshëm se përballen me njërën prej finalisteve të vitit të kaluar. Ata e dinë mirë se ne kemi një grup solid që është i pasuruar me individë të talentuar.

Le t’i kthehemi kampionatit. Gati gjithmonë titullin kampion e fiton skuadra me mbrojtjen më të mirë.

Po, është e vërtetë. Në Itali ky rregull i pashkruar funksionon gati gjithmonë. Prandaj, themi që edhe këtë sezon të ruajmë këtë traditë! Por edhe Napoli është me meritë në krye. Mendoj se ata janë me meritë në krye dhe se te Higuaini kanë një pikë të fortë referimi.

Sezonin e kaluar keni fituar titullin kampion në Itali për herë të katërt radhazi, keni fituar për herë të dhjetë Kupën e Italisë si dhe shkuat deri në finalen e madhe të Ligës së Kampioneve. A ishte skuadra e vjetshme Juventusi më i mirë për shekullin XXI?

Vështirë të gjendet një sezon ku Juventusi ka bërë më mirë se ne vjet. Mendoj se për organikë them se skuadra e Kapelos (2004-2006) ka qenë më e mira. Ndërsa për spektakël them se ka dhënë me shumicë Juventusi i Lipit (2001-2004). Ndërsa Juventusi i sotëm, ai i Alegrit do të mbahet mend për personalitetin dhe karakterin.

Cili ka qenë momenti më i bukur që kur keni veshur bluzën e Juves?

Titulli i parë kampion pas rikthimit në Serinë A. Përkon me titullin e parë të fituar në erën “Konte” në sezonin 2011- 2012. Ai titull ishte shpërblimi i duhur për besnikërinë që tregova karshi Juves.

Po momenti më i keq?

Finalja e Ligës së Kampioneve që humbëm përballë Milanit në Mançester.

Në autobiografinë tuaj, “Numero 1”, keni rrëfyer se mes viteve 2003-2004 depresioni gati sa nuk ju shtyu që të braktisni futbollin…

Në ata muaj zhvillova betejën më të vështirë, pasi m’u desh që të përballesha me vetveten pa ndihmën e mjekëve dhe të medikamenteve. Nuk isha i lumtur dhe m’u desh që të ndihesha sërish i tillë. Mposhtja e depresionit ishte “pritja” më e rëndësishme e jetës time.

Tenisi gjithashtu ju ka ndihmuar që të kalomi momente të vështira…

Po, më pëlqen shumë të luaj tenis. Jo vetëm si sport, por edhe se më përmirëson reflekset për profesionin që kam. Admiroj dhe jam shumë mik i Federerit. Sa herë flasim, gjithmonë më shtang fuqia e tij mendore. Nga ana psikologjike, tenisi është sporti më i vështirë. Nëse fiton, merita është tërësisht e jotja, por nëse humb, nuk ke asnjë lloj shansi që t’ia faturosh dështimin dikujt tjetër. Ky është koncept ideal i sportit.

Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"