"Euro 2012", Bundesliga — 16 Qershor, 2012 14:48

Rezervat kundër Lëvit: Duam të luajmë

Dy ndeshje, dy fitore! Bilanci i deritanishëm i Gjermanisë është më i miri në këtë Evropian. Në të ashtuquajturin grupin “e ferrit” nënkampionët e Evropës kanë likuiduar si Portugalinë dhe Holandën, ku vetëm një barazim u duhet për të prerë biletën në çerekfinale. Futbolli gjerman pas 16 vitesh pritet të “pushtojë” Evropën për të katërtën herë, ku trajneri Joakim Lëv është në pritje të trofeut të parë në periudhën e tij 6- vjeçare në krye të “pancerave”. Duke mësuar shumë nga “Euro 2008″ dhe Botërori 2010, trajneri gjerman në Evropianin e 11-të pjesëmarrës të Gjermanisë i ka besuar boshtit bavarez, Lahm & Co. Por, strategjia e Lëvit është kritikuar nga mediat gjermane dhe vetë lojtarët e stolit. Deri tani ai ka luajtur me të njëjtin formacion duke përhapur panik në stol.
Kritikat - Nga tetë lojtarët e Bajernit, Lëv aktivizoi shtatë titullarë, ku vetëm Kros u ul në stol, ndërsa nga pesë të Dortmundit, vetëm Humels u bë pjesë e formacionit. Duke qenë se trajneri Lëv i është kundërpërgjigjur me rezultat dhe me të drejtë u ka besuar bavarezëve, mediat gjermane kanë polemizuar faktin që Lëv ka mbajtur statik formacionin, duke lënë në stol yje të futbollit gjerman, si Shyrrle, Rojs, Gëce, Hëvendes dhe Kros. “Mos ndoshta Lëv po gabon dhe po harron luksin, duke përdorur ata vetëm në rast rreziku?”, – shkruan “Bild”.
Kros - Sinjalet e parë mbërrijnë nga Toni Kros, i cili shprehet i pakënaqur. “Ne kemi fituar dy herë dhe nuk më duket se po zhvillojmë ndonjë futboll të jashtëzakonshëm. Mendoj se ka ende vend për ndryshim. Jam i pakënaqur me planet e trajnerit, pasi ndaj Holandës kishim mundësi të luanim edhe më mirë”, – kritikoi Kros. Por, në prag të ndeshjes kundër Danimarkës, Joakim Lëv ndryshe nga ndeshja ndaj Holandës, kur premtoi ndryshime, pohon me bindje të plotë që do t’i japë ngjyrime të tjera skuadrës. Përveç rotacionin në mbrojtje, ku prioritet i jepet Benderit si mbrojtës i djathtë, në stol pritet të ulet Podolski, Shvajni dhe Myler, të cilët do zëvendësohen përkatësisht nga Shyrrle, Kros dhe Rojs.
Premtimi - “Nuk e vë në dyshim që ndryshimet do të jenë të nevojshme. Unë jam besnik i surprizave. Në mbrojtje kemi tri alternativa, por duhet parë kundërshtari pasi luajnë fortë në mbrojtje. Në këtë mënyrë do të kemi mundësi të forcojmë më shumë ofensivën. Për ne ndeshja e tretë është shumë e rëndësishme, jo vetëm për të siguruar çerekfinalen, por edhe për të kapur rekordin evropian, pasi as në 1980 dhe 1996 nuk i kemi fituar të tria ndeshjet në grup”, – deklaroi Lëv duke përforcuar planet e tij: “Zgjodha eksperiencën dhe forcën psikologjike të bavarezëve. Të gjithë janë të domosdoshëm dhe do të kenë minutat e tyre në këtë Evropian. Duhet të jemi të duruar dhe të saktë para rivalëve dhe kamerave”, – këshilloi Lëv.

Podolski autokritikë: Pres më shumë nga vetja
Lukas Podolski ndodhet një ndeshje larg 100 prezencave me kombëtaren. Gjatë konferencës për shtyp, ai i bën autokritikë vetes pas paraqitjes jo të mirë në dy ndeshjet. “Nuk e di nëse do startoj ndaj Danimarkës ditën e diel, por jam optimist që me kalimin e ditëve paraqitja ime do të perfeksionohet. Ne kemi një skuadër të fortë, ku secilin e ndjek një hije nga pas. Kjo është shumë pozitive për të dalë fitues në një finale. Por, pres më shumë nga vetja. Jam munduar të jem më mbrojtës por, në fakt, kam rënë keq në sy. E kam veshur këtë fanellë nga viti 2004 dhe do të bëj të pamundurën t’ia shpërblej. Shpresoj që këtë herë t’ia dalim. Polonia? Mendoj se mjaftohen me çerekfinale”, – tha Podolski.

Flik: Olsen, mjeshtër i skemës sonë
Asistenti i Joakim Lëvit, Hansi Flik, ka përgëzuar lojtarët që kanë bërë diferencën në këtë fillim Evropiani. Në prag të ndeshjes, zëvendëstrajneri gjerman, Flik, analizon anët e forta të kombëtares, si dhe mban një qëndrim serioz ndaj taktikave të trajnerit të Danimarkës, Morten Olsen. “Përqendrimi në lojën mbrojtëse na ka dhënë shumë pikë. Edhe pse kemi fituar, e dimë mirë që kemi kualitet më shumë në ofensivë, – nënvizoi Flik, duke shtuar. – Kjo ecuri na bën që roli i të qenit favorit të mos ndryshojë. Por bashkë me ne janë si Spanja dhe Italia, pa harruar këtu edhe Rusinë. Për sa i përket Danimarkës, kam respekt për trajnerin Morten Olsen. Ai është një mjeshtër i skemës 4-2-3-1 dhe e ka perfeksionuar në ekip këtë sistem”, – përfundoi Flik.

Ozil pushim, Shvajnshtaiger në stol?
Mesut Ozil vazhdon të jetë “fantazia” dhe kyçi i filozofisë së trajnerit Joakim Lëv. Mesfushori i Realit të Madridit, edhe pse formë optimale, ka bërë diferencën në fushë, duke dalë fitues në të dyja sfidat. Duke qenë se fantazisti me origjinë turke është ndier i mbingarkuar nga ana fizike dhe psikologjike, trajneri Joakim Lëv e ka lënë pushim ditën e djeshme. Por, mediat gjermane spekulojnë se ky ka qenë një veprim taktik i trajnerit, i cili me shumë gjasa mund ta lërë në stol atë së bashku me Bastian Shvajnshtaigerin, për t’u dhënë më tepër hapësira lojtarëve të tjerë ndaj Danimarkës. Në vend të Shvajnit pritet të aktivizohet Kros, ndërsa në vend të Ozilit talenti i Dortmundit, Rojs.

Gomez: Gjithçka për trofeun
Mario Gomez është shndërruar në hero. Emri i tij është më i lakmuari në mediat botërore. Gjatë konferencës për shtyp, ai deklaron se objektivat në këtë Evropian nuk janë individualë, por kolektivë, pra bëhet fjalë vetëm për trofeun. “Besimi është armë e fortë për mua. Nuk dorëzohem kurrë, prandaj në këtë Evropian kam ardhur të fitoj trofeun, jo për rezultate vetjake”, – tha Gomez.
Përgatiti: ENIAR IBRO

Te lidhura me artikullin:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *