Bushi flet për legjionarët: Gashi bëri lëvizjen e duhur, Manaj dhe Rashica në rritje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2016 | 13:26

Bushi flet për legjionarët: Gashi bëri lëvizjen e duhur, Manaj dhe Rashica në rritje

Ka përfunduar merkatoja e transferimeve dhe disa nga legjionarët kanë gjetur të tjera skuadra për pjesën e dytë të sezonit.

De-Biazi-dhe-Bushi-ne-stolin-kuqezi-1024x766Më i bujshmi dhe më i komentuari ka qenë Shkëlzen Gashi, i cili ka lënë Europën për të nisur një aventurë të re në kampionatin amerikan.

Gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me menaxherin e Kombëtares, Alban Bushi, i cili ka vlerësuar dhe komentuar ndryshimet që kanë pësuar kuqezinjtë gjatë merkatos.

Sipas ish-bomberit kuqezi dhe aktualisht njërit prej personave në stafin e Kombëtares, transferimi i ish-sulmuesit të Bazelit do të shërbejë pozitivisht edhe për Kombëtaren.

Bushi nuk ngurron të japë edhe këshillat e tij për të riun Manaj, ndërkohë që e vlerëson si shumë pozitiv faktin që Migjen Basha do të rikthehet edhe një herë në futbollin italian.

Si e gjykoni lëvizjen e Shkëlzen Gashit?

Niveli i kampionatit amerikan nuk është si ai i kampionateve europiane, por gjithsesi është në një rritje të vazhdueshme. Gashi është një futbollist që është shumë i nevojshëm për ekipin kombëtar dhe mendoj se na bëhet mirë për një lëvizje të tillë. Ai do të luajë atje dhe mendoj se kjo do të bëjë që ai të jetë në formë për Kombëtaren.

Mund të përsëritet rasti “Berisha” që është në Australi, i cili u shpreh në fillim se ishte shumë larg dhe nuk vinte dot?

Këto janë gjëra që vendosen nga vetë futbollisti. Nuk mund të them diçka, pasi varet nga vetë personi se sa komod do të ndihet dhe se sa mundë- si do të ketë për të qenë në gatishmëri për ekipin kombëtar. Gashi ka zgjedhur skuadrën e vendit të fundit në atë kampionat.

A mund të humbasë nga forma e tij, qoftë edhe duke pasur minutazh të plotë në fushën e lojës?

Unë them që një lojtar si Gashi nuk humbet, pasi sido që të jetë ai ka eksperiencë. Jemi të vetëdijshëm që nuk mund të jetë i barabartë me nivelin e kampionatit italian, spanjoll apo gjerman, por mendoj se në krahasim me nivelin e kampionatit zviceran është i krahasueshëm dhe gjykoj që nuk do të humbasë nga forma e tij.

Dy qendërmbrojtësit Ajeti dhe Gjimshiti janë bërë pjesë e Serisë A…

Për mua kanë bërë gjënë e duhur, pavarësisht se kanë shkuar në një kampionat shumë të fortë dhe me shumë konkurrencë për një vend titullari. Janë futbollistë shumë të rinj e me shumë perspektivë dhe do t’u mjaftonin edhe pak minuta në ato ekipe që të mund të ambientohen. Janë e ardhmja e Kombëtares për mbrojtjen dhe mendoj se do të bëjnë mirë edhe në ato skuadra.

Shkolla italiane njihet për përgatitjen në mbrojtje. A mund t’u shërbejë këtyre lojtarëve, qoftë edhe vetëm duke u stërvitur?

Shkolla italiane ka qenë gjithmonë shumë e mirë për shqiptarët. Jo vetëm për këta të dy, por edhe për të tjerë shqiptarë përpara tyre. Kam parasysh Taren apo Bogdanin. Ata ishin lojtarë shumë të mirë dhe me vajtjen në Itali, e rritën shumë nivelin që në atë kohë na habitën të gjithëve. Për këtë arsye e shoh si shumë pozitive faktin që si Ajeti edhe Gjimshiti janë bërë pjesë e tregut italian të futbollit.

Rei Manaj u përfol shumë për të ndryshuar ekip. Sa i shërben fakti që stërvitet me një ekip si Interi?

Ai është i ri dhe Interi është maja e futbollit. Pavarë-sisht se aktualisht nuk është në nivelet e dikurshme të shkëlqyera siç ka qenë dikur, sërish mbetet një klub i organizuar dhe një klub në të cilin punohet shumë dhe ku asnjëherë nuk mund të të mbajnë kot. Për Rein është një bonus shumë i madh për të marrë eksperiencë. Me kalimin e kohës, edhe ai do të marrë minutat e tij, sepse e meriton të luajë. Mbase për tek Interi duhet të presë akoma, por në ndonjë ekip tjetër mund të gjejë minuta të konsiderueshme.

Sipas jush, më mirë në stol tek Interi apo në një skuadër tjetër (meqenëse jemi përpara Europianit)?

Nuk mund të komentoj unë se çfarë do të ndodhë për Europianin.

Në rregull, por pa e paragjykuar zgjedhjen e De Biazit, më mirë në stol tek Interi dhe duke u stërvitur me lojtarë si Ikardi, apo te Frozinone ku mund edhe të kishte minuta?

Sipas meje, tek Interi do të ndihet më mirë, sesa te skuadrat si në rastin e Frozinones që luftojnë për mbijetesë. Ata kërkojnë lojtarë me shumë eksperiencë, pasi edhe përgjegjësia është shumë e madhe. Tek Interi ai do të ndihet i qetë. Të mos harrojmë faktin që është shumë i ri dhe e ka karrierën përpara. Nuk e gjykoj si problem faktin që s’po luan aktualisht, por vlerësoj faktin që ai në stërvitje është me lojtarë të tillë që ju i përmendët dhe për moshën që ka, Rei ka se çfarë të mësojë nga gjithsecili. Vitin tjetër besoj se ai do të gjejë një mënyrë që të marrë minutat e tij.

Mërgim Mavraj kaloi një situatë të vështirë, por u rikthye me një 90-minutësh cilësor. Si e gjykoni faktin që ai qëndroi te Këlni?

Mërgimi është një lojtar për të cilin janë të gjithë të vetëdijshëm se çfarë lojtari është dhe se çfarë niveli ka. Nuk ka nevojë që të diskutohet. Sipas meje, ka bërë mirë që ka qëndruar aty, sepse e njeh ekipin, e njeh ambientin. Jo se nuk do të ambientohej në një skuadër tjetër, pasi ai është lojtar cilësor dhe s’do ta kishte problem diçka të tillë, por gjithsesi është më ndryshe kur je në shtëpinë tënde dhe të njohin të gjithë. Tani që bëri edhe paraqitje mjaft të mirë në fundjavë, mendoj se do të bëjë mjaft mirë deri në fund të sezonit në Bundesligë.

Basha është rikthyer në Itali, por te Komo që lufton për mbijetesë…

Ndryshe nga sa folëm për Rei Manajn, për Bashën nuk mund të them të njëjtën gjë. Ai duhet të jetë në një ekip ku duhet të luajë sa më shumë, për shkak se mosha e tij e kërkon diçka të tillë. Nëse ai rri një ndeshje pa luajtur, një moshë e tillë të lë dy ndeshje mbrapa, nëse mund të shprehem kështu sipas gjuhës së futbollit. Ai është lojtar me shumë eksperiencë dhe, duke e njohur kampionatin italian, i duhet çdo skuadre. Sidomos te një ekip i vogël, siç po konsideroj Komon, mendoj se do t’i japë një kontribut shumë të madh për ta ndihmuar që të shpëtojë dhe të realizojë objektivin për të siguruar mbijetesën në kategorinë e dytë. Për më tepër, që do të na ndihmojë edhe ne në Kombëtare, nëse ai do të ketë minutat e duhura përpara Europianit.

Mediat e ndryshme kanë bërë elozhe për Rashicën. Sipas gjykimit tuaj, ku mendoni se mund të arrijë në të ardhmen?

Për këdo, është shumë e vështirë që të perceptosh se deri ku mund të arrijë Rashica. Megjithatë, ai futbollist ka një perspektivë shumë të madhe përpara. Mos harroni faktin që është vetëm 19 vjeç dhe është në zhvillim e sipër, por varet se në ç’nivele do të ndalet. Megjithatë, për aq sa ka dhënë deri tani, premton shumë. Duhet parë akoma, por besoj se me këto ritme, mund të jetë gati për ekipe të mëdha.

Do të jetë në miqësoren e marsit?

Është diçka që nuk mund të përgjigjem unë. Trajneri vendos se kush do të jetë dhe kush jo.

Përgatiti: OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"