Buxheti, sporti pa zë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2015 | 14:04

Buxheti, sporti pa zë

ylli-agaNga YLLI AGA

Mjafton të ndjekësh një edicion lajmesh, apo të shfletosh faqet e shtypit të përditshëm dhe mund të kuptosh lehtësisht se projekt-buxheti për vitin 2016 është në qendër të vëmendjes dhe diskutimeve nga të gjithë faktorët. Secili grup interesi përpiqet të argumentojë, kërkojë, propozojë për të marrë një mbështetje më të lartë. Për momentin, ata që mungojnë në apel janë përfaqësuesit e sportit. Duket, puna e nisur për stadiumin “Loro Boriçi” dhe në ish-kompleksin “Dinamo” ua ka mbyllur gojën për të kërkuar financimin për të tjera projekte. Por, nëse projekt-buxheti i Qeverisë qendrore në çdo rast do të dalë me një bilanc pozitiv, krahasuar me të gjitha vitet e kaluara, në këtë moment vëmendja dhe kërkesat e komunitetit të sportit do të duhet të zhvendosen te projektet e reja të 61 njësive të reja administrative. Kjo pasi për herë të parë në historinë e pasviteve ’90 ata drejtues, të cilët e kanë konsideruar sportin “bishtin e kavallit”, këtë radhë do të ndiejnë shumë më tepër përgjegjësi për mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave. Në mënyrë të padiskutueshme, investimet në sport do të duhet të jenë më të mëdha dhe veçanërisht të dedikuara për krijimin e kushteve për një pjesë- marrje shumë më të madhe të njerëzve në sport. Me ndarjen e re administrative, ekzistojnë të gjitha mundësitë për të zëvendësuar të gjitha ambientet sportive të shkatërruara dhe të tjetërsuara gjatë viteve të tranzicionit në ish-bashkitë e vjetra. Territoret e bashkuara në njësitë e reja krijojnë mundësitë për të ndërtuar terrene dhe një infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e sportit dhe më shumë se kaq nevojitet përcjellja e një mesazhi të qartë se nga viti i ardhshëm do të nisë një epokë e re për sportin. Për ta realizuar një objektiv të tillë, komuniteti i sportit do të duhet të bëhet një zë, do të duhet të paraqesë projekte, do të duhet të kërkojë pjesën që i takon nga buxheti i bashkive të reja. Një rol të veçantë do të duhet të luajnë drejtuesit e të gjitha klubeve, të futbollit dhe të shumësportëshit, që më shumë se të presin mëshirën e kryetarëve apo këshilltarëve bashkiakë, duhet që në këto ditë, ku diskutohet dhe vendoset për buxhetin, të ngrihen në lartësinë e detyrës për të qenë dinjitozë në kërkesat e tyre. Për vite me radhë, sporti është parë si “i njerkës” dhe si rrjedhojë terrenet e tij janë gjithnjë e më të paktë, stadiumet janë kthyer në ambientet më të shëmtuara publike dhe pallatet e sportit në rrënoja. Jo rastësisht, shumë nga sportet me të cilët jemi krenuar ndër vite tanimë janë në kufijtë e mbijetesës, ekzistojnë vetëm në letra, pasi në disa prej tyre numërohen më shumë drejtues, sesa sportistë. Është e turpshme sesi në disa qytete nuk ekzistojnë më disiplina, apo skuadra historike, si Dinamo e volejbollit meshkuj dhe femra, Dinamo dhe Partizani e basketbollit meshkuj, Partizani në volejboll meshkuj, apo shuarje e një pjese të madhe të sporteve në qytete si: Durrësi, Vlora, Shkodra, Korça, Elbasani, Gjirokastra e në shumë të tjerë. Nëse drejtuesit aktualë të bashkive të reja e kanë në listën e prioriteteve të tyre sportin, tani është momenti për ta treguar me vepra. Koha e fjalëve ka përfunduar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"