Bylis merr 3 pikë të arta, zhgënjen Laçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2015 | 11:39

Bylis merr 3 pikë të arta, zhgënjen Laçi

bylis

BYLIS LAÇI 1-0
GOLI Hyshmeri 43′
BYLIS: Mushica, Haliti, Shoshi, Simiç, Basriu, Hyshmeri, Gava, Adekunle, Mbella (Peposhi 73′), Pepa, Kalheira. Trajner: E. Nexhipi LAÇI: Vujadinoviç, Doku, Sefgjini, Buljan, Çela, Gocaj, Mustafa, Nimani, Meto, Mitraj, Kruja. Trajner: A. Cungu
KARTONË TË VERDHË: Gava 53′, Tafa 67, Shoshi 94′ / Mitraj 35′
VËZHGUES: Fatmir Tare (Durrës)/ DELEGAT: Astrit Maçi (Tiranë)
GJYQTARET A. Beqiri, E. Doda, D. Agaraj (Tiranë)

Bylis ka mundur Laçin me një gol të Renato Hyshmerit në minutën e 43-të, në një ndeshje, e cila, përpos pikëve, kishte edhe një vlerë morale për mallakastriotët. Ka mjaftuar një gol i mesfushorit elbasanas që ballshiotët në këtë mënyrë të kryejnë edhe “hakmarrjen”, të cilën me kaq ngulm e kërkonin, pas problemeve që kanë pasur këto dy skuadra midis tyre. Në një terren të rënduar, që nuk u lejonte skuadrave për të dhënë më të mirën e tyre, vendësit tregohen më të saktë se laçianët, të cilët tani e shohin veten shumë larg Europës dhe për më tepër skuadra e sezoneve të fundit është një kujtim i largët.

Pjesa e parë – Skuadrat do ta nisin qetë takimin, të cilat mundohen më shumë të qarkullojnë topin në mesin e fushës dhe të mbajnë larg kundërshtarin. Mirëpo, shirat e dendur të ditëve të fundit e kanë rënduar sadopak terrenin e “Adush Muça”-s, duke vështirësuar pak veprimet e lojtarëve në fushë. Calheira për vendësit jep shkëndijën e parë, por topi i goditur prej tij me kokë pritet pa shumë vështirësi nga Vujadinoviç. Ritmi fillon rritet dhe miqtë janë ata që rrezikojnë shumë në minutën e 20-të me anë të Mitrajt, teksa pas një kundërsulmi të shpejtë, i vetëm me Mushicën, lojtari nuk e kalon dot topin mbi të.

Laçi shpërdoron një rast të artë për të kaluar në avantazh. Skuadrat preferojnë më shumë të rrezikojnë nga goditjet e ndaluara dhe nga një e tillë janë sërish miqtë që rrezikojnë, por sërish topi nuk përfundon në rrjetë. Nga ana tjetër, edhe vendësit sulmojnë me Hyshmerin që është një rrezik konstant dhe në minutën e 26-të ai godet bukur në zonë, por aty has pengesën e Vujadinoviç, i cili grushton topin. Gjithsesi, atëherë kur mendohej se fraksioni i parë i lojës do të mbyllej pa gola, janë elbasanasit që nxjerrin nga situata Bylisin, me Gavën që kroson një top në zonë që gjen të lirë Hyshmerin. Ky i fundit, pa u menduar, godet fort dhe e dërgon topin në rrjetë, duke e bërë të pavlefshme edhe mundimin e Vujadinoviç për të shmangur rrjetën. 1-0 dhe me të drejtë Bylisi feston, sepse goli erdhi pikërisht atëherë kur duhej. Me këtë episod mbyllet edhe pjesa e parë.

Pjesa e dytë – Trajnerët Nexhipi dhe Cungu e nisin lojën me të njëjtët lojtarë si në pjesën e parë, duke mos bërë ndryshime. Janë miqtë ata që janë hedhur në sulm dhe kanë hyrë në fushë me synimin për të barazuar shifrat, por Doku në atë top gjysmë kros dhe gjysmë në portë e dërgon jashtë. Minutat kalojnë, me Laçin që kërkon të baraspeshojë shifrat, ndërsa Bylisi të shënojë golin e sigurisë. Në të 55-ën është Hyshmeri ai që pretendon për një 11-metërsh, ashtu si edhe Pepa në të 72-ën, por në të dyja rastet për kryesorin Beqiri ka lojë të rregullt. Takimi bëhet interesant dhe shpesh i ashpër në mesin e fushës, kjo edhe për shkak se skuadrat në fushë duan patjetër të fitojnë. Laçi ushtron presion dhe e mban Bylisin në gjysmë fushën e vet, por kjo nuk mjafton për të shënuar, sepse kurbinasit kanë problem në finalizim, duke bërë që në fundin e takimit rezultati i ndeshjes të mos ndryshojë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"