PAS JANINA – BYLISI 0-1
GOLI: Gërxho 29′
PAS JANINA: Babaniotis, Kolovecios, Ikonomu, Nacios, Korovesi, Pacacoglu, De Viçeni, Ioanu, Xiani, Nikliciotis, Giakos. (U aktivizuan: Vila, Lila, Pantos, Georgiu dhe Topuzis). Trajner: Janis Hristopulos
BYLISI: Frashëri, Kelmendi, Shoshi, Da Silva, Teqja, Sefa, Gërxho, Gega, Idrizi, Meto, Arbri. (U aktivizuan: Ymeraliaj, Rrapaj, Xhon Huan, Xhafa). Trajner: Agim Canaj
Pas humbjes që pësoi në ndeshje e parë miqësore me Panionosin, skuadra e Bylisit ka arritur të marrë një fitore në testin e djeshëm, që ka zhvilluar ndaj Pas Janinës. Të besuarit e trajnerit Agim Canaj i janë falur një eurogoli të shënuar nga ish-kapiteni i Apolonisë, Julian Gërxho, që tashmë është në radhët e ballshiotëve. Sipas mediave greke, gjuajtja e Gërxhos nga jashtë zone ishte një predhë e vërtetë dhe portieri vendës nuk kishte asnjë mundësi reagimi. Ndërkohë, në pjesën e dytë të ndeshjes, trajneri Janis Hristopulos ka aktivizuar edhe dy futbollistë shqiptarë që luajnë në këtë skuadër, Vilën dhe Lilën, të cilët nuk kanë arritur të bëjnë asgjë për të ndryshuar rezultatin e takimit përballë patriotëve të tyre. Mediat greke bëjnë me dije gjithashtu se trajneri i Pas Janinës ka shpërthyer në kritika në drejtim të futbollistëve të tij, sidomos në përfundim të pjesës së parë të takimit. Skuadra e tij nuk po bënte një paraqitje të mirë dhe tekniku ka kërkuar shumë impenjim nga futbollistët, të cilët nuk arritën të barazonin shifrat.
Ndeshja Minutat e para të takimit kanë qenë më të mira për skuadrën greke, e cila ka ushtruar presion të vazhdueshëm në portën e Frashërit. Megjithatë, lojtarët e Bylisit kanë arritur të fitojnë terren dhe të mbyllin kundërshtarin në portë, duke mos e lënë të kalojë gjysmëfushën e tij. lojtarët e Pas Janinës janë mbyllur në mbrojtje dhe sulmi ballshiot e ka pasur të pamundur të gjejë hapësira të lira. Edhe goli ka ardhur nga një distancë e largët, ku Gërxho ka bërë specialitetin e tij. Lojtari, sezonin e shkuar ka shënuar disa gola nga jashtë zone me gjuajtje të forta. Në pjesën e dytë, trajneri Canaj ka bërë edhe zëvendësimet e rastit, duke u dhënë mundësi futbollistëve të rinj. Grekët e Pas Janinës kanë pasur një shans të artë për të shënuar në minutën e 82-të, por ka qenë portieri Frashëri, ai që ka bërë një ndërhyrje vendimtare, duke shpëtuar skuadrën nga një gol i sigurt.


Bilanci që nuk na pëlqen