Bylis, Kategoria Superiore — 2 Korrik, 2012 14:11

Stadiumi starton punimet, Bylis ndryshim rrënjësor

Edhe pse ka qenë ditë pushimi, më datën 1 korrik kanë filluar punimet për ndryshimin rrënjësor të stadiumit “Adush Muçaj”. Ato do të jenë me dy turne të plotë për të përfunduar sa më shpejt, sidomos për ndryshimin e tapetit dhe të dhomave të zhveshjes. Fadromat kanë nisur të sheshojnë disa pjesë, në të cilat do të ndërtohet zgjerimi i tribunës qendrore dhe dhomave të zhveshjes, ku është planifikuar të ndërtohet një dhomë antidoping dhe një dhomë tjetër për stafin mjekësor. Ndërsa pritet që më 25 gusht, kur do të luhet takimi i parë kundër Flamurtarit në këtë stadium, të inaugurohet gjithçka dhe Bylisi të mos rrezikojë të luajë ndeshje në fushë asnjanëse. Gjithçka duket se ka nisur mbarë dhe pritet tashmë që të hiqet tapeti i vjetër dhe të bëhet gati terreni për të vendosur atë të riun, i cili do një afat 40-ditor për t’u vendosur në gjendje pune. Në këtë vepër aksionerët janë të shumtë, duke nisur që nga FSHF-ja, Bashkia e Ballshit, FK “Bylis”, si dhe Ministria e Sporteve, e cila ka dashur që vitin e shkuar që në Ballsh të ndërtohej stadiumi. Në këtë rinovim është përfshirë edhe fusha stërvitore, që do të rikonstruktohet dhe do t’i vendoset tapet me bar artificial, po ashtu do të ketë edhe ndriçim. Ndërsa në stadium, përveç zgjerimit të tribunës qendrore, do të dyfishohet dhe ajo ballore, ku do t’i shtohen dhe 10 shkallë, në të cilat nuk do të mungojnë edhe stolat plastikë.

Te lidhura me artikullin:

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Sport Online. Moderatori

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *