Cikalleshi: Jam stërvitur me profesionalizëm, po e tregoj me lojë dhe gola se sa vlej

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2015 | 11:55

Cikalleshi: Jam stërvitur me profesionalizëm, po e tregoj me lojë dhe gola se sa vlej

CikalleshiBasaksehir ka mundur me rezultatin 4- 1 skuadrën e Kategorisë së Parë (e dyta në renditje) Sanliurfaspor, ndeshje në të cilën sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi, ka shënuar tri herë. Në fillim e gjen veten në hyrje të zonës, driblon një mbrojtës dhe shënon. Në të dytin, pas një sprinti të fuqishëm për shumë metra arrin të marrë një asist pas shpinës së mbrojtësve dhe i vetëm me portierin, shënon sërish.

Goli i tretë i shqiptarit është akoma më i bukur. Merr një pasim disa metra larg zonës, galopon shpejt dhe fuqishëm dhe më pas godet fuqishëm për të trefishuar shifrat. E tij personale dhe të takimit.

Në një intervistë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, sulmuesi tregon ndjesinë e paprovuar ndonjëherë në karrierën e tij.

Sokol, kur ka qenë hera e fundit që keni shënuar tripletë si sot (dje)?

Hmm, s’e di. S’kujtoj të kem shënuar ndonjëherë në ndeshje zyrtare tre gola.

Çfarë ndjesie ishte?

E jashtëzakonshme. E kemi nisur mbarë kupën për këtë edicion dhe më erdhi me të vërtetë mirë që në momentin që m’u dha besim, e shpërbleva në mënyrën më të mirë të mundshme.

Besoni se pas kësaj triplete, do të arrini një vend në formacionin titullar?

Kjo është një çështje që e vendos trajneri. Më kuptoni për përgjigjen, pasi me sinqeritet që nuk jua them për kortezi, apo për traditën e një futbollisti që do të shmanget. Unë jam stërvitur fort dhe me shumë profesionalizëm, pa e vënë re kurrë se sa minuta kam luajtur. Në mendjen time ka ekzistuar gjithmonë ideja që unë duhet të bëj më të mirën në momentin që do të jem në fushën e lojës. Kjo më gëzon, sepse sot (dje) dhashë gjithçka munda. Tashmë është në dorën e trajnerit që të vendosë.

Cili ishte reagimi i tij pas ndeshjes?

Më uroi për golat dhe më përgëzoi. Më tha: “vazhdo kështu sepse je duke bërë me të vërtetë mirë dhe je në rrugën e duhur”. E vura re që edhe ai vetë ishte i kënaqur me paraqitjen time dhe të skuadrës në përgjithësi.

Mos ndoshta po i harxhoni golat me ekipin dhe nuk do të ruani për Europianin?

(Qesh) Jo, jo. Ju garantoj që janë stërvitja më e mirë deri kur të jemi në Europian. Shpresoj të shtohen sa më shumë deri atëherë dhe të ketë edhe për në atë kompeticion.

Keni firmosur një kontratë me “Nike”. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Është një kontratë personale njëvjeçare, që është një hap i madh për karrierën time që të kem suportin e një kompanie të tillë, jo vetëm nga ana financiare. Kisha ofertë edhe nga “Adidas”. Por zgjodha këtë kompani si më të duhurën.

intervistoi: Olsi Tujani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"