De Biazi-Duka, një derbi për lavdi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2015 | 15:49

De Biazi-Duka, një derbi për lavdi…

Gezim SinematiNGA GËZIM SINEMATI

Edhe pse Shqipëria është në Europian, një tokë e shenjtë për një vend me futboll plot halle, duket se shpirti akoma nuk është qetësuar. Vallë synojmë një befasi edhe në Francë, apo kërkojmë nga Zoti një Armeni tjetër, kur të përballemi me kundërshtarët në grup. Mundimi nuk vjen nga këto mëdyshje, por nga triumfi, që bashkë me lumturinë popullore, ringjall një zakon të vjetër shqiptar. Kush është heroi i vërtetë i kësaj bëme të paprovuar më parë? Populli i futbollit është ulur në gjunjë para De Biazit dhe beson se ishte magjia e tij, e cila na dërgoi në Francë.

Por, populli është popull dhe futbolli shpesh lodron me ndjenjat e tij. Një pjesë e opinionit, ku komandën e bëjnë lojtarët e zyrave, nuk e durojnë dot që veshjen e “supermenit” ta marrë trajneri dhe jo presidenti Duka. Gara e lavdisë kuqezi është bërë një lojë e rrezikshme, sa padurimi zbulon edhe golat në prapaskenë. Sipas logjikës konspirative, presidenti ka marrë më shumë pikë se trajneri De Biazi dhe italiani e di fort mirë këtë. Nuk paskan qenë ndeshje trajneri ato me Armeninë, aq më i privuar është italiani nga pikët që “blemë” në Lozanë. Ndaj, atë mbrëmje gala, kur Xhani u nderua me “Honoris Causa”, drejtuesit e futbollit ndienin një shtrëngim në zemër, teksa njeriu i stolit po magnetizonte meritat.

Deklarata e bujshme dhe flagrante e Bushit, menaxher i Kombëtares, ndan shapin nga sheqeri: “Kanë meritë 200% futbollistët në fushën e lojës, por merita më e madhe është e presidentit Duka”. Një ekuacion sfilitës për tifozin e thjeshtë. Kur futbollistët paskan një meritë të stërmadhe, çfarë paska bërë presidenti Armand Duka sa ia kalon edhe atyre?! Apo nuk thuhen të gjitha në futbollin e sotëm edhe pse predikohet se jemi një. Zyrtarët tanë kanë luksin të bëjnë komunikatë në favor të Platinisë, duke harruar kontributin në mitingjet anti-Platini pas Beogradit, ndërkohë kanë frikë të thonë të vërtetën për “derbin” e heroit të madh kuqezi. Një e vërtetë që ndoshta korrigjon dhe shijen popullore, kur të kumbojnë akoma veshët nga vërshëllimat e tifozëve në adresë të shefit të madh. Një gjest që kishte ngjallur një dyzim: e meritojnë këta tifozë Europianin, kur nuk njohin magjistarin e vërtetë?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"