De Biazi ironik: As unë nuk e di pse nuk thirret Meha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2015 | 10:27

De Biazi ironik: As unë nuk e di pse nuk thirret Meha

de biazi jonaNjë ditë më parë, gazeta “Panorama Sport” ka publikuar një deklaratë të mesfushorit të Koniasporit, Alban Meha, ku, ndër të tjera, ai shprehej se nuk e kuptonte arsyen përse mungon në Kombëtare. Gjithashtu, mesfushori akuzonte se në Kombëtare ka edhe lojtarë që nuk luajnë me ekipet e tyre. Në lidhje me këtë deklaratë, gazeta kontaktoi me trajnerin De Biazi për të marrë një përgjigje për fjalët e thëna nga mesfushori. “Në fakt as unë nuk e di përse nuk është. Sa për akuzat, nuk kam asnjë koment rreth tyre”, është përgjigjur trajneri i kuqezinjve. Edhe në konferencën për shtyp, trajneri e ka bërë me dije se “në Kombëtare nuk do të ketë vend për ata që mërziten kur nuk luajnë, por do të jenë ata që i gëzohen edhe ftesës për miqësore, apo që gëzojnë me ekipin edhe nga tribuna”.

Ceremonia – Është mbrëmja festive e futbollit italian dhe i ftuar është një trajner që ka lënë vendlindjen e tij për të bërë mrekullinë me një Kombëtare të vogël. Porsa del në skenë, Xhani De Biazi fiton duartrokitje të fuqishme të të pranishmëve në sallën e teatrit të Viçenzës. Një festë gala në Triveneto për aktorët më të mirë të futbollit në verilindje. Trajneri i Kombëtares shqiptare ka marrë të gjithë vë- mendjen e festës, jo vetëm për faktin se ka qenë i ftuari i nderit, por edhe për mesazhet që ka dhënë. Në këtë ceremoni janë shpërndarë çmime për Paskualo Marinon, trajnerin e Viçenzës, për arbitrin Daniele Orsato, për ish-portierin Andrea Pierobon, që e ka mbyllur karrierën me Çitadelën në moshën 46-vjeçare. Mbi të gjitha, çmim ka pasur për të ndjerin që ndërroi jetë nga leucemia, Vangelis Moras, dhe ishte i vëllai i tij i pranishëm për të tërhequr vlerësimin.

Deklarata – De Biazi e ka nisur fjalën e tij me shpjegimin që ka dhënë përse nuk po drejton më në futbollin italian dhe ka bërë krahasimin me punën në vendlindjen e tij me Shqipërinë. “E kam lënë Italinë, sepse jam i zhgënjyer me mënyrën si interpretohet ky profesion në vendin tim. Nëse humb dy ndeshje, je në mënyrë të padiskutueshme në rrezik për vendin e punës. Një javë po dhe një javë jo, jemi në diskutim. Është e pamundur që të punohet në këtë mënyrë dhe nuk arrihet që të ndërtohet asgjë, kur nga momenti në moment duhet të presësh shkarkimin. Gjeta kurajën dhe mundësinë optimale për të shkuar në Shqipëri dhe për të punuar në një vend që futbolli nuk është në nivelin maksimal të zhvillimit. Përpos kësaj, gjeta mundësinë për të punuar dhe ndërtuar diçka që na bëri të mundur të shkojmë në Europian. Një arritje e jashtëzakonshme për vendin.

Të gjithë bashkë në një qëllim dhe nëse do të besojmë në të vërtetë tek ajo që duam, atëherë mendoj se mund të shkohet larg”, ka deklaruar fillimisht trajneri i Kombëtares shqiptare. Më pas, kreu i pankinës kuqezi ka gjetur mënyrën për të dhënë një mesazh kuptimplotë për të gjithë të rinjtë dhe nxënësit e shkollave të mesme që kanë qenë të pranishëm në sallë. “Për sa i përket situatës në lidhje me sigurinë, në emër të të gjithë atyre që janë të prekur nga veprimet e dikujt që mendon se është i plotfuqishëm në tokë për të bërë gjithçka, ju ftoj që të mos përkuleni përpara kë- tyre kriminelëve që kërkojnë të destabilizojnë jetën e ne të gjithëve. Ata duan që të ndërpriten ndeshjet dhe aktivitetet sportive, por ne nuk duhet të heqim dorë dhe nuk do të ndalojmë së përcjelluri vlerat e sportit, si dhe duhet të vijojmë në rrugën tonë pavarë- sisht gjithçkaje. Unë kam disa lojtarë me origjinë nga Kosova në Kombëtare, që janë larguar nga vendlindja e tyre për shkak të luftës e janë vendosur në një vend tjetër, si dhe kanë gjetur zgjidhje për të vazhduar jetën. Nëse do të qëndrojmë në këtë pikë, që të mbetemi të terrorizuar dhe të frikë- suar nga ngjarje të caktuara, nuk mendoj se i bëjmë një nder të madh vendit tonë. Kam bindjen se gjithsecili nga ne ka mundësinë që të ndryshojë për mirë historinë e vendit dhe këtë gjë duhet ta bëjmë nisur nga gjërat e vogla që na rrethojnë”, ka përfunduar De Biazi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"