Diego i këndoi Napolit, por e kishte parashikuar fundin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2016 | 10:40

Diego i këndoi Napolit, por e kishte parashikuar fundin

Dy orë përpara ndeshjes me Juventusin, Diego Armando Maradona postoi një video, teksa këndonte një prej këngëve napolitane më të dashura që shoqëronin tifozët në vitet e tij dhe sidomos atë që u bë jehonë e titujve të fituar me argjentinasin në fushën e lojës.Maradona Madje, ish-numri 10 legjendar i formacionit të kaltër pati edhe një lidhje telefonike me të gjithë lojtarët, të pranishëm në dhomat e zhveshjes, duke tentuar të motivojë sa më shumë Higuainin me shokë, përpara duelit të titullit kampion.

Por, me sa duket, as kjo “magji” nuk mjaftoi, sepse në fund ishte Simone Zaza ai që theu në dysh ndeshjen, duke detyruar Napolin që nga sot të jetë ai që do të ndjekë bardhezinjtë.

Ndoshta si rrjedhojë e betejave të shumta që ka bërë me “Zonjën e Vjetër” në fushë, ndoshta si rrjedhojë e eksperiencës së madhe që ka mbi shpatulla, por një javë më parë vetë Diego Armando Maradona e parashikoi edhe fundin e këtij takimi dhe ndoshta edhe të të gjithë kampionatit, kur në një deklaratë nga Dubai ai nënvizoi:

“Duket sikur ky është viti i duhur që Napoli të rikthehet të fitojë titullin kampion. Skuadra prodhon lojë, ka një Higuain dhe Insinje në formë fantastike, por problemi i tyre më i madh quhet… Juventus. Bardhezinjtë fitojnë gjithmonë dhe nëse vazhdojnë kështu, e shoh të vështirë”. Dhe, me të vërtetë, Juventusi vazhdon të fitojë, 15 fitore radhazi në kampionat, 18 nëse llogarisim edhe ato të Kupës së Italisë, por ndërkohë pyetja është, kush do ta ndalë skuadrën e Alegrit?!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"