Duka del kundër De Biazit: Vila nuk gaboi me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2014 | 18:00

Duka del kundër De Biazit: Vila nuk gaboi me Partizanin

de-biasi-duka1Deklarata e dhënë nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, për “Panorama Sport” rreth transferimit të Emiljano Vilës në futbollin shqiptar ngjalli debate të shumta, ku nuk mungonin argumentet pro dhe kundër. Italiani e konsideroi kthim prapa kalimin e Vilës te Partizani, por dje në një intervistë të dhënë për “Top Channel” presidenti i FSHF-së ka dhënë një mendim ndryshe duke dalë kundër pikëpamjeve të trajnerit kuqezi. Nisur nga paragjykimi i trajnerit për nivelin e kampionatit tonë, presidenti Duka i kujton edhe një herë De Biazit se shumë futbollistë në kombëtare janë grumbulluar edhe nga kampionati ynë dhe do të vazhdojnë të grumbullohen, duke e cilësuar lëvizjen e Vilës më tepër pozitive sesa negative për ardhjen nga kampionati grek te Kategoria Superiore. “Realisht, nga kampionati shqiptar në çdo kohë kanë luajtur në ekipin kombëtar futbollistë. Frekuenca që mund të luash në këtë kampionat me 10 skuadra me frekuencën e kampionatit grek nuk më duket disavantazh. Kampionati grek ka 2-3 skuadra të nivelit të mirë, ndërsa skuadrat e tjera, sipas meje, nuk është se kanë ndonjë lloj niveli, kështu që Vila nuk besoj se ka humbur ndonjë gjë”, tha kreu i FSHF-së, Armando Duka.
Starti i sezonit – Përpos debatit të hapur nga deklarata e De Biazit, Duka ka folur edhe për çështje të tjera që kanë lidhje me qeverinë e futbollit shqiptar. Ky sezon i ri e sheh Superioren me 10 skuadra dhe 4 faza, një skemë e mëparshme, por e rikthyer me një qëllim. “Për të pasur një produkt më cilësor, më komercial dhe për të krijuar më shumë financa për aktorët e garës. Duke qenë 10 skuadra, kuptohet që edhe futbollistët më cilësorë do të grumbullohen në këto 10 skuadra, siç edhe kemi parë në merkaton e verës. Realisht, të takohesh katër herë dhe ndoshta edhe gjashtë, bashkë me Kupën, është vetëm një argument për të qenë kundër skemës, por kuptohet për vetë kushtet që kemi ne, asnjë skemë nuk mund të jetë perfekte”, vijoi më tej presidenti.
Apeli për klubet – “Uroj që të jetë një kampionat i mirë. Gjithashtu uroj të gjithë trajnerët, futbollistët, drejtuesit e klubeve, por ajo që do t’i kërkoja, ndoshta do t’i këshilloja është që të gjithë klubet të përqendrohen shumë dhe të financojnë për futbollistët dhe trajnerët. Le të financojnë pak më shumë për ta përgatitur ndeshjen ashtu siç duhet, për të qenë një ditë feste për qytetin dhe tifozët e tyre”, deklaron Duka.
“Elbasan Arena” – E gjithë vëmendja e infrastrukturës sportive për momentin është e përqendruar te stadiumi i Elbasanit, i cili ka si synim përfundimin brenda afatit, që është zhvillimi i ndeshjes me Danimarkën, e programuar për t’u luajtur më 11 tetor. “Po punohet me 3 turne dhe do të arrijmë kohën për ndeshjen e parë që do ta luajmë në Shqipëri në atë stadium dhe besoj në kushte optimale për tifozët, për mediat, për futbollistët dhe për të gjithë”, shprehet kreu i FSHF-së.
Kombëtarja – Ndërkohë, për stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ka një ngërç financiar sa u përket garancive që kërkohen dhe po vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një formule të re. Kur duket se çështja e stadiumit të përfaqësueses është zgjidhur për momentin me “Elbasan Arenën”, vëmendja kalon te rezultatet që mund të arrijë kombëtarja në këtë eliminatore të Europianit. “Nuk mund të quhet trepikësh i sigurt as Armenia në Shqipëri dhe as Shqipëria në Portugali. Besoj se ky edicion do të dhurojë goxha emocion, goxha garë dhe goxha spektakël. Nuk është se trajnerit De Biazi apo ndonjë futbollisti i cenohen financat apo ftesat në ekip kombëtar për nga kualifikimi apo moskualifikimi. Nuk mund të them që do të ketë një marrëdhënie të re me De Biazin nëse kualifikohemi ose nëse nuk kualifikohemi. Kjo varet nga paraqitja e ekipit, nga mënyra e drejtimit. Nuk është kusht kualifikimi”, shton presidenti Duka.
Altin Lala – Ndryshimi i drejtimit të përfaqësueses U- 19 nga Foto Strakosha, i larguar për tek Olimpiakosi, tek Altin Lala duket se presidenti Duka e ka më të madh besimin për t’i dhënë më shumë përgjegjësi ish-lojtarëve të ekipit Kombëtar, që kanë luajtur e jetuar jashtë. Pra, ata tani mund të marrin edhe drejtimin e Kombëtares A dhe Altin Lalën, njëshi i FSHF-së e konsideron si potencial të futbollit shqiptar. “Të gjithë e kanë mundësinë për të marrë ekipin A. Altini është një potencial për gjithçka në futbollin shqiptar”, përgjigjet Duka.
Objektivi personal – Në fund, Armando Duka zbulon edhe objektivin e tij personal për këtë mandat të katërt në krye të FSHF-së. “Kualifikimi në europian është akoma më i vështirë sesa ndërtimi i stadiumit. Do t’i dëshiroja të dyja, por nuk është se varen nga unë. Do të bëja maksimalen për t’i pasur të dyja. Nëse do të zgjidhja njërën, do zgjidhja kualifikimin në Europian”, përfundon intervistën e tij për “Top Channel”, kreu i FSHF-së.

Çfarë tha italiani për “Panorama Sport”
Gjatë një interviste të bërë nga gazeta, pyetjes sesi e shikon kthimin e Emiljano Vilës në kampionatin shqiptar, ai u përgjigj: “Është e njëjta pyetje që më keni bërë edhe para pak kohësh: unë nuk kam asgjë kundër kampionatit shqiptar, por për nivelin që ka, mendoj se një lojtar duhet që më mirë të luajë jashtë, në një kampionat më të mirë, ndaj në këtë kontekst, mendoj se Vila ka bërë hapa prapa. Unë mund të kuptoj lëvizjen e Ervin Bulkut, i cili, pasi ka bërë një karrierë për disa vite jashtë, në një moshë të caktuar, sikundër është ai aktualisht, mund të vijë në Shqipëri dhe të luajë rregullisht, por jo një lojtar si Vila me atë moshë që ka. Mendoj se ka gabuar. E njëjta gjë edhe për Çanin. Ai nuk grumbullohet në Kombëtare teksa luan në Serinë B, imagjinoni tani, të luajë në kampionatin shqiptar”.

Bajko_NeptunREAGIMET
Bajko: Çalojmë te trukimet e dhuna, jo te kritikat

Neptun Bajko, ish-trajneri i Shqipërisë, në analizën e tij për “Panorama Sport” vuri në dukje se kampionati shqiptar nuk është për t’u nënvlerësuar, por problemet reale të tij nuk janë as infrastruktura dhe as kushtet. “Unë mendoj se sot problemet më të mëdha të futbollit nuk kanë të bëjnë as me stërvitjet dhe as me stafet që i trajnojnë. Ato kanë të bëjnë me ‘kokat’ që drejtojnë klubet dhe me atë frymë që është mbjellë vitet e fundit, çka ka sjellë edhe boshatisjen e shkallëve në stadium. Dua të them se sot problemi i madh i futbollit shqiptar është që të gjitha ndeshjet e kampionatit, nga e para deri tek e fundit shoqërohen me hije dyshimi për shitblerje të mundshme. Kjo ndodh sepse asnjëherë nuk është hedhur dritë mbi gjëra të shëmtuara që kanë ndodhur në të kaluarën dhe ndoshta vazhdojnë të ndodhin. Problem tjetër që po dëmton rëndë futbollin tonë është edhe dhuna në stadiume. Dhuna që vjen shpesh e frymëzuar nga ata që e drejtojnë futbollin dhe jo nga tifozët e thjeshtë”, tha Bajko.

HafiziHafizi: Do të doja që lojtarët e mi të luanin jashtë
Astrit Hafizi ka një mendim ndryshe sa i përket çështjes “De Biazi-Vila”. Ish-trajneri i shquar i përfaqësueses gjykon se deklarata e trajnerit italian më shumë është keqkuptuar, sepse sipas tij De Biazi nuk ka pasur për qëllim as të sulmojë dhe as të cenojë Partizanin. “E kam ndjekur me interes këtë çështje dhe të jem i sinqertë më duket sikur De Biazi është keqkuptuar disi. Për asnjë moment nuk ka sulmuar Partizanin. Ai e ka pasur në tërësi gjykimin për lojtarët e rinj të Kombëtares që rikthehen në kampionatin tonë. Pra mendoj se nuk ishte një sulm kundër Partizanit. Thjesht gjykon që një lojtar rritet më shumë cilësisht, është në gjendje më të mirë, nëse luan në një kampionat më të fortë. Mendoj se është përfshirë Partizani, sepse edhe trajneri është pyetur vetëm për atë lojtar të Partizanit, Vilën, që atë ditë ka qenë edhe tema e ditës. Nëse do ishte pyetur për lojtarë të tjerë, kam bindjen se të njëjtën gjë do të kishte thënë. Të jem i sinqertë, edhe unë nëse do të isha trajner i Kombëtares do të doja që lojtarët e mi të luanin në kampionatet më të mira të Europës”.

Duro-ShpetimDuro: De Biazi punon në Shqipëri, jo në Gjermani
“Secili ka mendimin e tij, por Xhani de Biazi të mos harrojë se edhe ai është trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, nuk është trajner i Kombëtares së Gjermanisë. Vila vjen te një skuadër me emër dhe traditë, siç është Partizani. Emiljano Vila do të jetë në qendër të vëmendjes. Trajneri i Kombëtares ka të drejtë t’i gjykojë për vlerat dhe cilësitë futbollistët, për t’i marrë apo jo është e drejtë e tij në ekipin kombëtar, por nuk jam i mendimit të paragjykojë zgjedhjet individuale të futbollistëve të veçantë”, u shpreh trajneri Duro.

vata-ne-nje-konference-gj.kola_Vata: De Biazi ka thënë një të vërtetë të stërmadhe
“Trajneri Xhani De Biazi ka thënë një të vërtetë të stërmadhe. Ka thënë një realitet të cilin ne e jetojmë për çdo ditë, por si shqiptarë që jemi dhe me një kryenaltësi edhe kur nuk kemi bërë asgjë, nuk e marrim për bazë, ose e interpretojmë ndryshe, ashtu sikundër neve na pëlqen. Është një realitet që vret, por që duhet pranuar. E lexova me shumë vëmendje intervistën, reagimet e mëspasme dhe komentin e De Biazit, i cili sipas meje nuk duhej të kishte kërkuar as të falur, përderisa nuk kishte asnjë arsye normale për ta bërë një gjë të tillë. Ai kishte thënë një të vërtetë dhe për atë gjë duhej përshëndetur. Si mendoni juve, se lojtarët e Kombëtares ose jo po vdesin që të vijnë në kampionatin shqiptar?! Jo ore zotëri, jo! Kthimi në Superiore, në një kampionat që prodhon vetëm dhunë, dyshime për shitje ndeshjesh, me një infrastrukturë shumë të dobët, ndoshta më e dobëta në Europë, është realisht kthim prapa”.

Demi dhe StarovaDeklarata e klubit Partizani ndaj trajnerit të Kombëtares
“Klubi Futbolli Partizani kërkon t’i kujtojë trajnerit De Biazi se Partizani është një skuadër me një reputacion dhe histori të lavdishme jo vetëm në arenën kombëtare, por edhe në atë ndërkombëtare në krahasim me klubin grek PAS Janina. Trajneri i ekipit tonë përfaqësues përpara se ta konsiderojë një hap prapa transferimin e Vilës te 15 herë kampionët e Shqipërisë, duhet të lexojë më shumë rreth historisë dhe trofeve të klubit tonë. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për klubin tjetër të kryeqytetit, Tiranën, ku edhe në gjirin e saj në këtë sezon kanë zgjedhur të vijojnë karrierën e tyre sportive Curri, Bakaj dhe Ervin Bulku, pjesëtarë të ekipit përfaqësues, pa harruar edhe Kristi Vangjelin te kampionët e Skënderbeut. Ç’mund të thoni për Bakajn, Vangjelin, Sabien Lilën, Osmanin apo Cikalleshin, të cilët pothuajse kanë një moshë me Vilën? Zoti De Biazi, ju garantojmë se te Partizani Vila do të jetë në qendër të vëmendjes dhe jo si disa lojtarë të ekipit tonë përfaqësues, që publiku akoma nuk ua di emrin. Zoti De Biazi, përse zgjedhjen e Vilës te Partizani ju e konsideroni një hap prapa? Si do ta komentonit zgjedhjen tuaj në krye të ekipit tonë përfaqësues, një hap prapa apo një hap përpara në karrierën tuaj? Ardhjen e lojtarëve të tillë si Vila, Curri, Bakaj, Ervin Bulku, Vangjeli ne e konsiderojmë si një mundësi mjaft pozitive për të rritur nivelin e kampionatit shqiptar. Më mirë për ju do të ishte të përqendroheni maksimalisht në dy ndeshjet e para eliminatore, që po afrojnë, të cilat publiku shqiptar po i pret me padurim, sesa të ndaleni në emra të veçantë lojtarësh dhe me zgjedhjet që ata bëjnë në këtë merkato vere. FK PARTIZANI”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"