Elvis Sina, drejtor akademie te Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2015 | 14:23

Elvis Sina, drejtor akademie te Tirana

SinaElvis Sina projektohet drejtor akademie te Tirana. Ish-kapiteni i bardhebluve, i cili e la futbollin e luajtur dy sezone më parë, do të rikthehet në shtëpi, por këtë herë me post drejtuesi. Vendi i mbetur vakant që pas largimit të Ardian Memës, i cili është transferuar në Arabi (është trajner i ekipit B të Hajer), do të merret nga Sina. Ky i fundit ende nuk e ka marrë zyrtarisht këtë detyrë, megjithatë pritet që shumë shpejt ai të nisë punën.

Burime tejet të sigurta në klub konfirmojnë për “Panorama Sport” se ish-mbrojtësi do të jetë në krye të akademisë së klubit kryeqytetas. Pas 25 vitesh karrierë mes suksesit, tashmë ishkapiteni do ta provojë veten në një tjetër rol. Në një çerekshekull si bardheblu, ai ka fituar jo pak, por plot 19 trofe; konkretisht 6 tituj kampionë, 6 kupa dhe 7 Superkupa, ndërsa tani do të ketë të drejtën që të merret me produktin e të ardhmes.

Sikundër edhe është deklaruar vazhdimisht, Tirana kërkon që t’u japë prioritet të rinjve, madje qëllimi është që të ndërtojnë një akademi ku si model po merret Dinamo e Zagrebit. Karriera – Sina e nisi karrierën si futbollit profesionist në sezonin 1999, kur kaloi nga të rinjtë tek ekipi i parë i Tiranës. Ai luajti te bardheblutë deri në sezonin 2006, më pas kaloi në Elbasan. Një vit i mjaftoi te verdheblutë, pasi pas një sezoni u rikthye në kryeqytet, por për të luajtur me Dinamon. Te blutë luajti për një sezon (2007-2008), pasi në edicionin pasardhës iu bashkua ekipit mëmë. Ai u rikthye te 24 herë kampionët në 2008-ën, për ta mbyllur te ky ekip në 2013- 2014. Ai ka luajtur plot 474 ndeshje në Superiore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"