“EURO 2016″/Biletat, aplikime rekord nga tifozët e Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2016 | 12:43

“EURO 2016″/Biletat, aplikime rekord nga tifozët e Kombëtares

Ditën e djeshme është mbyllur zyrtarisht procedura e shitjeve të biletave për Kampionatin Europian. Në kompeticionin që merr pjesë për herë të parë edhe Kombëtarja shqiptare, do të kenë mundësinë të shkojnë rreth 27 mijë tifozë kuqezinj, edhe pse aplikimet ishin thuajse dyfish.

biletat france 2016

Limitet e vendosura nga UEFA për tifozët e skuadrave kanë bërë që jo të gjithë ata që kanë aplikuar të kenë fatin të shkojnë në Francë për të ndjekur nga afër ndeshjet e Kombëtares. Për tri ndeshjet e para, tifozëve shqiptarë u takon të marrin 26.806 bileta, ndërsa aplikimet, sipas “Top Channel”, kanë qenë afro 55 mijë.

Për Zvicrën

Kërkesat më të larta kanë qenë për ndeshjen ndaj Zvicrës. Ndeshja do të luhet në stadiumin e Lilës, “Pier Muro”, i cili ka një kapacitet prej 50 mijë biletash. Në këtë mënyrë, afro 6 mijë bileta u takojnë tifozëve shqiptarë, por aplikimet për këtë ndeshje kanë shkuar 23.200 bileta.

Kjo do të thotë se kërkesat kanë qenë katër herë më shumë, por jo të gjithëve do t’u plotësohet dëshira për të parë nga afër një nga përballjet më të rëndësishme dhe emocionuese që do të luajë Shqipëria. Kërkesat e larta për këtë ndeshje kuptohen që vijnë prej faktit se në Kombëtaren e Zvicrës ka shumë lojtarë me origjinë shqiptare, por edhe për të parë nga afër përballjen mes dy vëllezërve Xhaka.

Për Francën

Edhe për këtë përballje ka pasur kërkesa më shumë sesa ofron UEFA. Rreth 17 mijë aplikime ka pasur për të parë drejtpërdrejt sfidën me “gjelat”, por në “Velodrom” do të ketë vetëm 11.108 shqiptarë, të cilët do të mbështesin nga afër skuadrën e De Biazit.

Për Rumaninë

Në “Stad de Lion” do të ketë afro 10 mijë shqiptarë, edhe pse aplikimet që kanë shkuar ishin rreth 15 mijë. Për çdo sfidë që do të luajnë kuqezinjtë, ka pasur më shumë kërkesa. Në total, shqiptarët do të përfitojnë 27 mijë bileta, ndërsa fituesit do të shpallen në fundin e muajit shkurt. Megjithatë, raportohet se UEFA i ka përzgjedhur tifozët që kanë fatin të shkojnë në Francë, por do t’i publikojë në një tjetër moment. Përparë- si për t’u pajisur me biletë do të kenë ata që janë anëtarë të Klubit të Tifozëve të Kombëtares, që ka afro 1000 tifozë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"