‘Euro 2017’, Rraklli: E mposhtim Greqinë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2015 | 19:29

‘Euro 2017’, Rraklli: E mposhtim Greqinë!

kombetarja rrakliTë enjten, në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, kombëtarja shqiptare në futbollin e femrave do të përballet me përfaqësuesen greke, në kuadër të ndeshjeve eliminatore të kampionatit europian “Holandë 2017”.

Trajneri Altin Rraklli shprehet optimist, të paktën për ndeshjen e parë ndaj Greqisë, të cilën e konsideron kundërshtar direkt, për pasojë duhet mundur me patjetër. Rraklli thekson se skuadra që ai drejton është rritur ndjeshëm vit pas viti dhe se në këto eliminatore duhet që minimalisht t’i largohet vendit të fundit në grup.

“Të enjten ne luajmë ndeshjen e parë ndaj Greqisë në Fier dhe objektiv të vetëm kemi fitoren. Kundërshtari është pak a shumë në nivelet tona, por ne, duke shfrytëzuar faktorin fushë, do të mendojmë vetëm për tri pikët. Kemi dy ditë që stërvitemi dhe përgjithësisht gjendja e lojtareve është e mirë. Nesër (sot), grupi do të kompletohet, pasi akoma nuk kanë ardhur lojtare shumë të rëndësishme si Velaj, Curo etj. Vajzat që luajnë në kampionatin shqiptar kanë pak mangësi në përgatitjen fizike, pasi akoma nuk e kanë filluar kampionatin. Ndërsa pjesa më e madhe e atyre që luajnë jashtë, janë mirë në këtë drejtim”, u shpreh për gazetën “Panorama Sport” ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit, i cili më tej u ndal të flasë për qëllimet që përfaqë- suesja kuqezi ka në këtë edicion eliminatoresh. “Ne jemi rritur shumë si ekip dhe do të rritemi edhe më tej. Vajzat e njohin më mirë lojën e njëratjetrës dhe secila prej tyre ka pasur rritje në aspektin personal. Gjithsesi, synimi ynë në këto eliminatore është të paktën t’i largohemi vendit të fundit në renditje. Sigurisht, ne do të kërkojmë të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje, por duhet të mos harrojmë që në grup kemi ekipe si Franca, që për mua është skuadra më e mirë në Europë”, vijoi më tej tekniku kavajas. Në fund, Rraklli konfirmoi se me ekipin që ai drejton, pas procedurave të dokumentacionit, do të bashkohen edhe tri lojtare cilësore, të cilat do ta rrisin më tepër nivelin e kësaj përfaqësueseje. Bëhet fjalë për Saranda Oshanin dhe Egzona Selimin që luajnë në ligën e parë zvicerane, si dhe Shpresa Hajredinaj, e cila aktivizohet në ligën e dytë gjermane.

GRUPI 3
Ndeshja e parë, 22 tetor
Shqipëri-Greqi 14:00
Ndeshja e dytë, 27 tetor
Rumani-Shqipëri 15:00
Ndeshja e tretë, 27 nëntor
Shqipëri-Francë
Ndeshja e katërt, 26 janar 2016
Greqi-Shqipëri
Ndeshja e pestë, 4 mars 2016
Shqipëri-Ukrainë
Ndeshja e gjashtë, 8 prill 2016
Ukrainë-Shqipëri
Ndeshja e shtatë, 2 qershor 2016
Shqipëri-Rumani
Ndeshja e tetë, 20 shtator 2016
Francë-Shqipëri

Përgatiti: ROLAND GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"