Shampanjë dhe tifozët që udhëzojnë Jupin, ja çfarë s’u pa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2016 | 14:00

Shampanjë dhe tifozët që udhëzojnë Jupin, ja çfarë s’u pa

Festë me shampanjë në dhomat e zhveshjes, adrenalina që rritet pas shënimit të golit nga Shqipëria dhe tribuna VIP “shterpë” në personalitete.u21 Të gjitha këto ndodhën mbrëmjen e djeshme në “Elbasan Arena”, ku edhe pse më një tifozëri më të paktë në numër në krahasim me Greqinë, sërish entuziazmi nuk mungoi.

Si Jupi dhe kolegu i tij, Kilin, për asnjë moment nuk u ulën në pankinë, duke dhënë gjatë gjithë kohës udhëzime, pa harruar edhe “maninë” e tifozëve shqiptarë që bëjnë rolin e trajnerit kur skuadra është në disavantazh.

Tifozët – Edhe pse ishte i pritshëm një numër më i reduktuar tifozësh ndaj Hungarisë në krahasim me Greqinë, sërish në stadium kanë qenë prezentë rreth 1500 spektatorë. Mungesa e tifo-grupit të Kombëtares, “Tifozat Kuq e Zi” bëri që të mungonte entuziazmi i përhershëm në stadium. Gjatë pjesës së parë dhe deri në shënimin e golit nga Manaj, tifozët ishin të “fjetur”, por adrenalina u rrit gjatë minutave “të arta” të kuqezinjve në fushë. Në fund, të gjithë lojtarët me stafin shkojnë t’i përshëndesin dhe në këmbim morën duartrokitjet e tyre.

Trajnerët – Si Redi Jupi ashtu edhe kolegu i tij, Robert Kilin, kanë qëndruar në këmbë gjatë gjithë kohës, duke dhënë udhëzimet e tyre për futbollistët në fushë. Në ndonjë rast, të dy teknikët kanë shprehur me mimikë pakënaqësinë për vendimet e arbitrit. Nga ana tjetër, nuk munguan në tribuna edhe “sportdashësit-trajnerë” nga Shqipëria, të cilët shpesh udhëzonin Jupin se kë duhet të nxirrte nga loja dhe kë duhet të fuste.

Tribuna VIP – Ka qenë e “vakët” tribuna VIP në këtë ndeshje, në krahasim me përballjen me Greqinë pak ditë më parë. Në këtë tribunë binte në sy prezenca e presidentit të Skënderbeut, Ardian Takaj, i cili në pjesën më të madhe të sfidës mbante ndezur puron. Krah tij qëndronte edhe presidenti i klubit të Elbasanit, Arben Laze, i cili nuk mungon në asnjë sfidë të Kombëtares në “Elbasan Arena”.

Shampanja – Në fund ka festë në dhomat e zhveshjes së Kombëtares sonë, teksa hapet shampanja dhe lojtarët festojnë, së bashku me stafin dhe trajnerin. Ashtu siç shkoi ndeshja, me një përmbysje spektakolare, festimi në këtë formë ishte më se i merituar. Jo vetëm për kaq, por kuqezinjtë e vegjël ia dolën që të mbanin vendin e dytë në klasifikim

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"