Fitore qetësie për Tiranën, Lushnja akuzon. Trajneri Dede: Ky triumf na ktheu moralin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2013 | 12:15

Fitore qetësie për Tiranën, Lushnja akuzon. Trajneri Dede: Ky triumf na ktheu moralin

Tirana-LushnjaTirana gjen fitoren e qetësinë, Lushnja akuzon. Bardheblutë kanë triumfuar 1-0 kundër verdhejeshilëve, dje në “Qemal Stafa”, falë një penalltie të kthyer në gol në të 27-ën minutë prej zv.kapitenit Gentian Muça. Një episod që ka sjellë rezerva nga ana e miqve, teksa e cilësojnë të dyshimtë. Ky moment ka përcaktuar edhe fatin e sfidës, edhe pse lushnjarët ishin të mirëvendosur në fushë dhe të tendosur maksimalisht për të marrë pikë. Sfida ishte tepër voluminoze dhe me raste të shumta. Vlen të përmendet se loja u dominua përgjithësisht nga miqtë, por në fund festa ishte e gjitha për kryeqytetasit. Përpos agresivitetit që miqtë shfaqën në fushë, ata nuk mundën të dilnin të fituar dhe t’i gëzonin 1 mijë tifozët në stadium, që kishin udhëtuar nga Lushnja.
Pjesa e parë Tirana e nis vrullshëm ndeshjen, duke shfaqur hapur dëshirën për ta fituar atë. Aksione të panumërta që në fillim por, përpos rasteve, finalizimi linte për të dëshiruar. Në të 20-ën minutë vjen rasti i parë i rrezikshëm, teksa Hysenbelliu pason për Çotës, i cili kontrollon bukur topin, godet nga jashtë zone, por s’gjen kuadratin. Tri minuta më pas tenton edhe Limani, por pa rezultat. Megjithatë, në të 27-ën minutë ndryshon gjithçka. Gjyla ndërhyn ndaj Peposhit dhe për kryesorin është penallti, ka kontestime, por vendimi mbetet i njëjtë. Gjuan zv.kapiteni Muça, i cili nuk gabon dhe 1-0. Ky gol u jep qetësi bardhebluve, të cilët vazhdojnë të sulmojnë. Minuta e 30-të dhe Peposhi i jep një top të artë Hoxhës, i cili në një pozicion të favorshëm dhe i pambuluar e dërgon topin në duart e Spahos. Kundërsulm i rrezikshëm i Lushnjës, Canka ka një rast të artë, por goditja e tij neutralizohet nga Muça. Janë sërish miqtë në sulm, teksa Korreshi kombinohet me Mihanin. Ky i fundit godet nga jashtë zone, por topi përfundon jashtë. Më pas sërish Korreshi për Cankën, i cili gjuan, por nuk gjen portën. Në të 40-ën minutë Limani kombinohet me Hoxhën, i cili e kthen sërish te Limani që, pak centimetra larg portës, e dërgon topin në duart e Spahos duke i befasuar të pranishmit. Ky fraksion mbyllet këtu, me Tiranën në avantazh.
Pjesa e dytë 45-minutëshi i dytë nis me ndryshime, teksa Dede fut Sinën duke blinduar mbrojtjen, ndërsa Bano aktivizon Fatakin për të fuqizuar sulmin. Kjo sjell rezultat për lushnjarët, të cilët spostohen në zonën e vendësve duke shtuar presionin. Por, nga ana tjetër, Tirana nuk dorëzohet, teksa në të 61-ën minutë kishte rastin ideal për ta dyfishuar rezultatin. Mirëpo Limani gabon fatalisht, pas një asisti perfekt të Çotës, duke e dërguar topin në duart e portierit. Kundërpërgjigjet në të 64-ën minutë Gjyla, i cili rrëzohet në zonë, pretendohet penallti, por gjyqtari Sino jep vetëm karton për mbrojtësin. Tenton edhe Fataki pas 3 minutash, i cili, edhe pse bën gjithçka mirë, gabon në finalizim. I njëjti fat edhe për Cankën në të 68-ën minutë, i cili godet, por ky rast neutralizohet falë ndërhyrjes së Çakës. Minutat e fundit sjellin episode të tjera, por deri në fund mbetet në fuqi goli i Muçës. Pra, pas barazimit në strat kundër Laçit, bardheblutë gjetën rrugën e fitores, ndërsa lushnjarët provuan shijen e hidhur të humbjes pikërisht në transfertë.

MË I MIRI
Mirel Çota ka qenë në një ditë të mirë dje, duke bërë diferencën në fushë. Sulmuesi u shfaq tepër luftarak, duke krijuar pa fund, por fati nuk ishte me të në finalizim, teksa i mungoi vetëm goli. Për t’u vlerësuar ishte edhe loja e Peposhit dhe zv.kapitenit Muça, të cilët ishin protagonistët e asaj penalltie të kthyer në gol. Te Lushnja duhet vlerësuar loja e zhvilluar nga Korreshi dhe Mihani, që ishin të kudondodhur.

MË PAK AKTIVI
Sulmi i Lushnjës ishte në një ditë të zezë. Edhe pse verdhejeshilët krijuan një volum të madh loje, duke qenë pjesën më të madhe të kohës në zonën e Tiranës, ata gabuan në finalizim. Canka pati mundësi për të shënuar shumë herë, por nuk arriti të gjente rrjetën. Edhe Limani i bardhebluve nuk ishte në nivelin e pritshëm në këtë sfidë, teksa duhet të përmenden dy rastet që shpërdoroi, edhe pse i vetëm para portës.

Dede NevilNevil Dede: Ky triumf na ktheu moralin
E pranon se nuk ishte Tirana më e mirë, por në fund është më shumë se i lumtur për fitoren e parë. Nevil Dede mendon se ky trepikësh do ndikojë mirë në psikologjinë e të tijve, duke qenë se kjo kthesë pritej që në start. Më tej ai vlerëson Lushnjën për atë çka dha në fushë, duke treguar se kundërshtari ia bëri realisht të vështirë këtë triumf.
Tirana kthehet te fitorja, por a ju bindi ky ekip?
E rëndësishme është që fituam. Ky sukses sigurisht që do të ndikojë në moralin tonë për vazhdimësinë, sepse ishte edhe trepikëshi i parë në shtëpi pas barazimit me Laçin.
Çfarë nuk shkoi?
Fatmirësisht rezultati u kthye shpejt në favorin tonë dhe kjo na dha mjaft dorë. Duhet të tregoheshim më “të këqij” para porte, pasi krijuam realisht shumë, por duhej të kishim gabuar më pak. Çota ishte i vetëm në këtë repart dhe bëri lojë realisht të mirë. Edhe Hoxha nuk ishte keq, nisur nga fakti që është një lojtar i ri dhe ka ende nevojë për kohë.
Mendoni se Lushnja meritonte më tepër?
Më duhet ta pranoj, Lushnja meriton komplimentet e mia për atë çka dha në fushë. Na e bëri të vështirë këtë takim. Ata patën rastet e veta, duke na rrezikuar, por shanset më të pastra ishin tonat.
Mbrojtja çaloi ndjeshëm, ju keni rezerva për këtë repart?
Ishim me pak lojtarë në dispozicion edhe në këtë repart. Unë, sikundër e thashë edhe para ndeshjes, nuk dua që të justifikohem e të kapem me dëmtimet apo mungesat, por realisht edhe në stol kisha vendosur dy lojtarë sa për numër, pasi nuk ishin në gjendje të mirë fizike.
Shpresoni te rikuperimet para Vllaznisë?
Uroj në fakt që kështu të ndodhë. Do jetë një përballje e bukur. Nëse do të ketë tifozë, mendoj se do të jetë ajo “klasike” që të gjithë jemi mësuar të shohim. Grupi ynë ka një moshë të re, i vetmi që bën përjashtim është Sina, ndaj le të shpresojmë te rikthimet dhe te një kontingjent më i plotë.
Ka nevojë akoma për kohë kjo Tiranë?
Ne aktualisht kemi nevojë për rezultate. Por duhet pranuar se duam edhe pak kohë që ekipi të kolaudohet, sepse siç dihet kemi edhe probleme me federimet, apo ka lojtarë që janë afruar rishtas dhe duan kohën e vet. Në vazhdim pres edhe më shumë nga sulmi, pasi raste krijojmë, por tani duhen më shumë gola.
Kur do e shohim Tiranën e vërtetë?
Tirana është një klub që nuk duron, kërkon gjithnjë fitore e lojë, dhe tifozët dihet që presin shumë. Por, për të parë Tiranën e vërtetë duhet të vijë java e gjashtë.
Para Partizanit do jeni gati?
Do jemi më shumë se gati, të jeni të sigurt për këtë të gjithë, përfshi edhe tifozët.
Pamë disa të rinj që debutuan sot, si i vlerësoni?
Lojtarët meritojnë notë pozitive, pasi kanë ardhur rishtas dhe përpos kësaj, nuk ranë në presionin e “Qemal Stafa”-s.
Në fund, kujt do ia dedikoni këtë fitore?
Babait tim, i cili sot (dje) festoi 70-vjetorin. Ai nuk del për fat të keq nga shtëpia, por jeton me Tiranën gjatë gjithë kohës dhe me punën time.

Bano Artan, trajneri i LushnjesBano ka pretendime për penalltinë: Gjyqtari u dha pikët bardhebluve
Artan Bano priste pa dyshim më shumë, nisur edhe nga loja e zhvilluar prej të tijve. Megjithatë ai ka pretendimet e veta për penalltinë e akorduar në favor të Tiranës. Sipas trajnerit të Lushnjës, pikët ekipi bardheblu i ka vetëm falë arbitrit. Sa i përket boshtit të ekipit, e konkretisht sulmit, ai ka rezerva. Gjatë deklaratës së dhënë për mediat, në fund të këtij takimi, ai i bëri një analizë të detajuar lojës dhe rezultatit final. “Ky është futbolli, pasi mund të luash mirë dhe ta humbasësh ndeshjen. Ky ishte fati ynë në këtë sfidë. Gjithsesi, nuk na takon ne t’i gjykojmë vendimet e arbitrit, sepse ka njerëz të tjerë që e vlerësojnë atë. Sidoqoftë, ajo çka mund të them është se pikët sot i diktoi gjyqtari. Nëse ishte penallti ajo e Tiranës, e tillë duhej të ishte edhe për ne ajo në pjesën e dytë. Megjithatë, duhet thënë se kemi shpërdoruar shumë raste shënimi sot. Prandaj duhet të shikojmë të metat tona. Mund të kishim shënuar një apo dy gola dhe të kishim dalë të fituar nga ‘Qemal Stafa’. Jam mjaft i zhgënjyer nga boshti i ekipit, prisja më shumë prej tyre. Krijuam shumë raste, por nuk arritëm të shënonim asnjë. Unë nuk mund të them që Canka është në krizë goli, sepse në të dyja ndeshjet, si ndaj Kukësit edhe ndaj Tiranës, ka punuar shumë për skuadrën dhe ka dalë shpesh para portës. Ai është futbollist i lindur për të shkuar te goli dhe për të nuhatur portat kundërshtare. Por shpresoj që shumë shpejt të rikthehet i njëjti. Sa për sulmuesin tjetër, francezin Fataki, mund të them se nuk e ka gjendjen fizike optimale. Madje, edhe në pjesën e dytë e futa ngaqë ishim të detyruar për shkak të rezultatit. Megjithatë, edhe një herë e theksoj se pikët sot i diktoi gjyqtari. Kam rezervat e mia në këtë drejtim, por vetëm specialistët do ta japin verdiktin final”, – përfundoi Bano, i cili u shfaq i mërzitur nga kjo disfatë.

Muça: Goli për tifozët, ishim me fat
I gëzohet golit, por më tepër trepikëshit. Një fitore që për të vlen shumë, ndonëse pranon se loja nuk ishte ndër më të mirat. Zv.kapiteni i Tiranës, Gentjan Muça, i cili ktheu në gol atë penallti të fituar nga Peposhi, pas ndeshjes analizon suksesin dhe flet për takimin e ardhshëm, që është pikërisht të mërkurën. “Jam i kënaqur për golin e shënuar, por më tepër për faktin që ai i dha edhe fitoren skuadrës. E kërkuam këtë trepikësh që në start kundër Laçit, por nuk ia dolëm dot. Sot (dje) fati ishte në anën tonë dhe bëmë atë kthesë të shumëpritur, që na ktheu moralin. Nuk është një fitore qetësie në fakt, pasi për vetë kërkesat dhe objektivat që ka Tirana presioni do të mbizotërojë deri në javën e fundit, por e rëndësishme është që e bëmë sefte me këtë rezultat pozitiv në shtëpi. Golin do t’ua dedikoj pa dyshim tifozëve, të cilët vazhdojnë të na mbështesin edhe kur nuk bëjmë ndeshjet më të mira. Tashmë duhet ta harrojmë këtë takim, pasi shpejt vjen tjetri. Të mërkurën udhëtojmë drejt Shkodrës, ku do të përballemi me Vllazninë. Edhe atje do të tentojmë fitoren, dhe jo vetëm duhet, por do t’ia dalim. Mungesat mbizotërojnë siç dihet tashmë, por edhe nëse do të jemi me këtë kontingjent, synimi do të jetë pa dyshim i njëjti, të marrim trepikëshin e radhës. Koha në dispozicion është e pakët, por do arrijmë t’i përmirësojmë edhe këto gabime që u hasën kundër Lushnjës, e cila, duhet pranuar, na e bëri goxha të vështirë këtë 90-minutësh”, – përfundoi Muça.

Dy episode të dyshimta gjatë ndeshjes
Tirana-Lushnja edhe pse voluminoze sa u përket rasteve, solli dy episode të dyshimta, të cilat kanë vend për diskutime dhe duhen riparë. I pari lidhet me momentin e 11-metërshit të akorduar nga kryesori Sino, teksa në të 27-ën minutë Gjyla ndërhyn ndaj Peposhit dhe për kryesorin është penallti. Edhe pse ka kontestime, vendimi nuk ndryshon, ndonëse nga pamjet duket sikur kontakti nuk ishte aq problematik sa për të dhënë penallti. Rasti tjetër ndodhi në pjesën e dytë, konkretisht në të 64-ën minutë, teksa protagonist është sërish Gjyla. Këtë herë ai rrëzohet në zonën vendëse dhe pretendohet për penallti, por për kryesorin ka vetëm karton të verdhë për mbrojtësin.

Premtohet premio nga donatorët, ndahet sot
Do të ketë shpërblim për këtë fitore. Ashtu sikundër ishte paralajmëruar prej donatorit Ndriçim Babasi për “Panorama Sport”, trepikëshi i arritur ndaj Lushnjës do t’u mbushë xhepat lojtarëve. Në fund të takimit, sponsorët janë futur në dhomat e zhveshjes dhe ua kanë komunikuar këtë lajm lojtarëve. Ende mbetet mister shuma, pasi nga sa mësohet këto parà do të shpërndahen ditën e sotme. Sakaq, klubi ka dhënë garanci se shumë shpejt do të jepen edhe rrogat e prapambetura.

S’ka pushim, sot nis java anti-Vllazni
Pa marrë ende veten nga ndeshja e javës së dytë ndaj Lushnjës, Tirana do mendojë për takimin e radhës. Pikërisht të mërkurën bardheblutë do të ndeshen në transfertë me Vllazninë, sfidë që parashikohet realisht e vështirë. Ndaj trajneri Dede ka qenë i detyruar të mos i lërë pushim të tijtë. Kësisoj, sot në orën 17:00 në kompleksin “Skënder Halili” do të zhvillohet një seancë e lehtë dhe pa shumë ngarkesa. Shpresohet në ndonjë rikuperim gjatë kësaj kohe i lojtarëve si Çaushaj, Peqini, Kalari, Pashaj, Kastrati, Hoxhallari, por edhe Taku e Kërçiku të dëmtuar rishtas. Sakaq këtë javë kthehet nga Kroacia Gerc, si dhe shpresohet që të vijë dokumentacioni për Semedon.

PIKANTE
Fanellat – Tiranës dje i kanë sjellë fat fanellat e reja. Bardheblutë i kishin porositur me kohë uniformat, por vetëm dje i kanë veshur për herë të parë. Tifozët – Rreth 3000 tifozë të pranishëm në stadium, 100 prej të cilëve ishin përkrahës të Lushnjës. Nga njëra anë “Tirona Fanatics” dhe nga tjetra “Delegatët” dhuruan spektakël dje.
Kërçiku – Mesfushori u dëmtua dje gjatë ndeshjes, ndaj trajneri Dede u detyrua që ta zëvendësonte. Pritet që sot të përcaktohet nëse është problem serioz apo jo.
Portugezi – Dokumentacioni nuk erdhi në kohë, ndaj Hoze Semedo nuk mundi që të lunte kundër Lushnjës. Shpresohet që para Vllaznisë të mos ketë të njëjtin problem.
Bano – Trajneri Bano i “tërheq veshin” Gjylës. Lojtari acarohet me anësorin dhe tekniku i bërtet. Ky veprim shoqërohet me duartrokitje nga tifozët bardheblu.

Në Lushnjë ka një problem rrogash
Te Lushnja ka një problem rrogash, pasi skuadra gjatë këtij sezoni ende nuk është paguar. Megjithatë, është vetë trajneri Artan Bano, i cili gjatë deklaratës që ka dhënë për “Super Sport” një ditë më parë ka sqaruar se gjithçka do të zgjidhet dhe se ky ngërç lidhet me procedura burokratike të Thesarit të Shtetit. “Besoj se edhe sa i përket financave gjithçka do të zgjidhet. Ky problem nuk do të zgjas shumë dhe ne jemi të bindur që shpejt gjithçka do të ndreqet. Ngërçi i kësaj vonese lidhet me Thesarin e Shtetit, pasi ende nuk është liruar fondi i lëshuar nga bashkia. Por, nisur nga fakti që në krye të këtij institucioni ne kemi një person futbolldashës dhe pasional, kemi sigurinë e nevojshme që me financat nuk do të ketë kurrfarë problemi me skuadrën tonë. Për këtë arsye jemi më se të qetë”, – tha trajneri teksa shpjegonte situatën financiare.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"