Flamurtar magjik, fitore me përmbysje në Gjeorgji. Gjoka frenon: S’ka mbaruar asgjë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2014 | 18:05

Flamurtar magjik, fitore me përmbysje në Gjeorgji. Gjoka frenon: S’ka mbaruar asgjë!

Flamurtari gezon ne dhomat e zhveshjesSIONI BOLNISI – FLAMURTARI  2-3
GOLAT: Isiani 27′, 30’/ Veliu 20′, Kuqi 74′, G.Lika 90′
SIONI BOLNISI: Merlani, Popkhadze, Imedashvili, Svanidze, Kandelaki, Lobjanidze (Ugulava 54′), Gureshidze (Adamia 85′), Aptsiauri (Samkharadze 74′), Tskadaia, Kakhelishvili, Isiani. Trajner: Vladimir Burduli
FLAMURTARI: I.Lika, Arbri (Idrizi 90′), Kuqi, Veliu, Mici, Telushi, Lena, Muzaka (Meto 87′), Zeqiri (A.Shehaj 82′), G.Lika, Abilaliaj. Trajner: Ernest Gjoka
KARTONË TË VERDHË: Ugulava 60′, Imedashvili 68′, Gureshidze 83′, Samkharadze 90+4′, Kakhelishvili 90+7’/ Arbri 34′, Kuqi 68′, Telushi 78′, Abilaliaj 85′
GJYQTARE: Kristo Tohver, S.Klasen, D.Vinogradov (Estoni)

Një Flamurtar magjik gjunjëzon Sion Bolnisin në Tbilisi. Vlonjatët kanë “pushtuar” dje kryeqytetin gjeorgjian, duke arritur një fitore të madhe në shifrat 3-2. Ishte një ndeshje që i pati të gjitha brenda 90-minutëshit. Fillimisht kaluan vlonjatët në avantazh, por brenda një harku të shkurtër kohor vendësit përmbysin gjithçka e mbyllin pjesën e parë me fitoren 2-1. Mirëpo, 45 minutat e dyta kanë folur vetëm për skuadrën e Ernest Gjokës. Me Veliun dhe Kuqin, të kthyer në golashënues, Telushin në superformë, si dhe Gilman Likën e Muzakën që mbështesnin “gjigantin” Abilaliajn në sulm, kuqezinjtë shkëlqyen, duke merituar triumfin. Freskia fizike e vlonjatëve bëri diferencën përballë një kundërshtari të lodhur, që përveç sulmuesit Isiani, i cili u bë protagonist me dy gola, nuk kishte ndonjë kualitet tjetër për të vënë në diskutim suksesin kuqezi.
Pjesa e parë – Flamurtari ishte rreshtuar me skemën 4- 2-3-1, ku në majë vepronte Abilaliaj. Që në start vlonjatët “morën” mesfushën, teksa me Telushin, Lenën dhe Zeqirin u lanë pak hapësira gjeorgjianëve. Abilaliaj jep sinjalin e parë, për të ardhur te minuta e 20-të, kur një skemë nga goditja e dënimit kthehet në gol nga kapiteni Veliu. Telushi nuk preferon të krosojë, por pason shkurt për mbrojtësin, i cili i lirë brenda zone gjuan direkt me të majtën dhe kalon në avantazh Flamurtarin. Sioni duket i çorganizuar, por mjaftojnë 10 minuta që ndeshja të marrë një tjetër rrjedhë. Mesfushori i majtë, Kandelaki, me krosimet e shpeshta bëhet rrezik konstant për vlonjatët, por ai që ndëshkon Flamurtarin është sulmuesi Vili Isiani. Ky i fundit realizon dy herë brenda tri minutave, duke shokuar skuadrën kuqezi. Në golin e barazimit Isiani futi bukur të djathtën në dyluftimin me Zeqirin, ndërsa në dyfishimin e shifrave mbrojtja kuqezi pretendoi për pozicion jashtë loje. Gjithsesi, goli i dytë ishte spektakolar për nga mënyra e realizimit. 45 minutat e para mbyllen me disa tentativa të Abilaliajt, i cili bën gjithçka për të shkuar te goli, por është i pafat. Sulmuesi bëhet i papërmbajtshëm, por portieri Merlani shmang gola të sigurt.
Pjesa e dytë – Skuadrat e rinisin lojën pa ndryshime në formacion. Flamurtari është dukshëm më kërkues që në minutat e para. Gjoka udhëzon ekipin që të bazojë lojën nga krahët, aty ku Muzaka e Gilman Lika bëjnë diferencën. Shkodrani është në një ditë të shkëlqyer dhe thuajse protagonist në çdo aksion të kuqezinjve drejt portës gjeorgjiane. Vlonjatët mundohen të shfrytëzojnë në maksimum goditjet standarde. Në çdo goditje dënimi apo këndi, në zonën e Sionit vijnë në ndihmë të sulmit edhe qendërmbrojtësit Veliu e Kuqi. Ky i fundit nderon Flamurtarin, duke barazuar pas një korne, teksa gjuan mjeshtërisht në hyrje të zonës. Pas këtij goli vendësit shokohen, në një kohë që kryejnë të tria zëvendësimet. Kuqezinjtë shpëtojnë mirë, pasi rrezikojnë të ndëshkohen sërish nga sulmuesi Isiani, por këtë herë Ilion Lika i thotë “jo” golit. Gjoka freskon skuadrën, duke hedhur në fushë A.Shehajn, Meton dhe Idrizin. Nga këmbët e fierakut lindi goli i fitores, teksa shkodrani Lika me një gjuajtje diagonale kalon në delir kuqezinjtë. Fundi bëhet i vështirë, pasi gjyqtari jep 5 minuta shtesë, por loja mbyllet pas 5 minutash dhe Flamurtari feston.

Gjoka ne konference per shtyp ne GjeorgjiGjoka frenon: S’ka mbaruar asgjë!
Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, në një prononcim për “Panorama Sport”, vlerëson paraqitjen e ekipit të tij. “Ishte një ndeshje e vështirë përballë Sionit me shumë lojtarë me eksperiencë. Ne e kishim vlerësuar dhe studiuar ekipin kundërshtar. E kam thënë edhe para ndeshjes se Sioni ishte një ekip për t’u vlerësuar, me lojtarë agresivë në sulm. Ata nuk kishin një sulm të mirëfilltë, por vinin të gjithë në vështirësi dhe mund të shënonin. Ndaj unë dhe ekipi këtë gjë e kishim mirë parasysh. Jam i lumtur se Flamurtari reagoi pozitivisht dhe zbatoi të gjitha detyrat. Nuk ishte aspak e lehtë për të triumfuar përballë një kundërshtari të tillë, që veçanërisht në fushën e vet është agresiv”, tha fillimisht Gjoka. Më tej, kreu i pankinës vlonjate bën edhe një analizë teknike të takimit. “Mendoj që në pjesën e parë bëmë disa gabime, sidomos te rastet e golave, mund t’i kishim evituar. Ndërsa pjesa e dytë ishte tjetër gjë. Ekipi rriti agresivitetin dhe morëm më shumë terren me Telushin, Lenën e Zeqirin”,- theksoi tekniku. Në fund të prononcimit, trajneri Gjoka ndalet te ndeshja e kthimit, duke theksuar se ekipi i tij duhet të jetë shumë i përqendruar dhe agresiv në këtë takim që është deciziv. “Mendoj se duhet të rifillojmë të mendojmë për ndeshjen e kthimit. Për këtë përballje duhet të jemi shumë të përqendruar dhe agresiv. Na duhet që përballë sportdashësve tanë ta kurorëzojmë me sukses këtë pjesëmarrje në Ligën e Europës. Unë kam besim se Flamurtari do ta arrijë qëllimin, pasi kemi një armë të fortë në ndeshjen e kthimit, tifozët tanë. Natyrisht që rruga nuk ka përfunduar ende, ndaj duhet të jemi të vëmendshëm, mjaft të kujdesshëm dhe me këmbë në tokë”, – përfundoi kreu i pankinës së Flamurtarit.

G.LikaGilman Lika: Golin ua dedikoj gjithë agjeruesve
Me golin që shënoi në fund të ndeshjes, Gilman Lika i dha fitoren Flamurtarit, i cili në Gjeorgji ka hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit. Lika mendon se tashmë rruga drejt turit të dytë është më e lehtë, por gjithsesi duhet vlerësuar në maksimum ndeshja e kthimit. “Patjetër që jam shumë i gëzuar dhe i emocionuar njëkohësisht, por po aq edhe me këmbë në tokë. Kalimi në turin tjetër tani na duket më i lehtë, por gjithsesi duhet ta vlerësojmë maksimalisht ndeshjen e kthimit pas një jave në fushën tonë. Takimi në Vlorë është vendimtari, duhet ta mbajmë këtë rezultat që morëm në Tbilisi”, thotë fillimisht Lika. Mesfushori shkodran ka edhe një dedikim special të golit, ndërsa thotë se ua dedikon të gjithë besimtarëve myslimanë. “Dua që golin t’ua dedikoj të gjithë agjëruesve të muajit të Ramazanit”, tha Lika.
Veliu – Kapiteni i Flamurtarit, Franc Veliu, ishte i pari që shënoi në takimin e djeshëm. Ai shprehet se ky rezultat ishte fryt i punës përgatitore të bërë nga ekipi gjatë kësaj periudhe, punë e cila u konkretizua me sukses. “Të gjithë i dinim vështirësitë e këtij takimi. Gjithsesi, ne e kishim përgatitur shumë mirë ndeshjen për të arritur këtë rezultat pozitiv dhe shumë të vlefshëm. Ishte përballja e parë dhe natyrisht që ne duhet të ishim shumë të kujdesshëm. Tani kemi ndeshjen e kthimit, prandaj edhe atë duhet ta vlerësojmë maksimalisht. Kam bindjen se ky Flamurtar do t’ia dalë”,- u shpreh Veliu.

IdrizIdrizi: Ky është vetëm fillimi, larg euforisë!
Donatori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, nuk e fsheh kënaqësinë dhe përjetimin e fitores së djeshme në transfertë. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ai e vlerëson si një nisje të mbarë për skuadrën këtë triumf në Ligën e Europës, ndërsa thekson se Flamurtari duhet të arrijë edhe më shumë në vazhdimësi. “Kjo është një nisje shumë e mirë dhe unë mund t’ju them se e kemi filluar me këmbë të mbarë. Ky është momenti më emocionues për ne donatorët pas fitimit të Kupës së Shqipërisë. Por, gjithsesi, unë kam një mesazh shumë të qartë për të dhënë. Futbollistët duhet që të jenë me këmbë në tokë. Kemi ende rrugë për të bërë dhe duhet të kemi shumë kujdes në ngjitjen e malit. Jam i kënaqur nga kjo fitore, por gjithsesi nuk ka përfunduar ende asgjë dhe ekipi duhet të jetë tepër i kujdesshëm në ndeshjen e kthimit”, – deklaroi fillimisht Idrizi. Ndërkaq, donatori siguroi edhe njëherë mbështetjen maksimale për ekipin dhe stafin. “Mbështetja jonë nuk do të mungojë asnjëherë dhe ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të plotësuar kushtet e lojtarëve. E ardhmja do të jetë shumë më e mirë”, – përfundoi donatori i Flamurtarit.

GjikaGjika: Na bënë krenarë, duhet fitore edhe në Vlorë
Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, ishte dje në stadiumin “Mikheil Meskhin” të Tbilisit, si zakonisht në tribunën VIP në mbështetje të Flamurtarit. Si një tifoz i thekur i kuqezinjve, ai tashmë kërkon nga skuadra një tjetër fitore ndaj Sionit në Vlorë. “Ishte një fitore e merituar kundër ekipit gjeorgjian. Një bravo të madhe për këta djem dhe futbollistë të mrekullueshëm, për trajneri Gjoka dhe gjithë stafin! Ata na bënë krenarë dhe shtuan në historinë e Flamurtarit një faqe të re suksesi. Gjithsesi, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Duhet patjetër edhe një fitore në Vlorë për tifozët tanë. Meqë më jepet rasti, nëpërmjet gazetës suaj, u uroj suksese edhe Kukësit e Laçit për një përfaqësim sa më dinjitoz të futbollit shqiptar në Europë”, – deklaroi pas ndeshjes kryebashkiaku Gjika. Prej disa muajsh ai ka afruar në klub dy kompani turke, duke garantuar financat e Flamurtarit, që në sezonin e ri do të luftojë për titullin kampion.

Taulant Kuqi: E parandieja fitoren
Mjaft optimist shprehet edhe një prej autorëve të golave, Taulant Kuqi, i cili në minutën e 74-t barazoi shifrat në 2-2. Goli i Kuqit sikur u dha forcë e besim vlonjatëve, të cilët në minutat e fundit ishin më të freskët se kundërshtari dhe besuan deri në fund te suksesi. “E kisha parandier që do ta fitonim këtë ndeshje. Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm për të ardhmen dhe vazhdimësinë në Europë, pasi Flamurtari nuk mjaftohej vetëm me një tur. Tashmë me forca të tjera do të japim maksimumin tonë për ndeshjen e radhës, e cila është e kthimit dhe e kualifikimit. Ta mbyllim edhe atë me sukses e më pas të mendojmë për turin e dytë, ku dihet edhe emri i kundërshtarit, Petroluli”,- përfundon qendërmbrojtësi Kuqi.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"