Ira Yzeiraj, një “Miss” nga Belgjika, frymëzimi i Entonio Pashajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2015 | 21:09

Ira Yzeiraj, një “Miss” nga Belgjika, frymëzimi i Entonio Pashajt

12208216_967355009997448_2144567818_nIra nuk është një tifoze e mirëfilltë e futbollit dhe, aq më pak, e kampionatit shqiptar. Ndonëse është rritur larg atdheut, në Belgjikë, bukuroshja vlonjate nuk ndahet dot nga ngjyrat kuqezi.

Dashuria për vendlindjen e tërhoqi edhe pas futbollit. As vetë ajo nuk e kishte menduar se një ditë do të ulej në stolat e stadiumit të Flamurtarit për të mbështetur një tjetër dashuri… Edhe pse disa orë larg nga Shqipëria, 26-vjeçarja nuk heziton që të marrë avionin për të duartrokitur Entonion gjatë ndeshjes.

Në një bisedë për “Panorama Sport”, Ira rrëfen lidhjen e saj me sportin dhe veçanërisht dashurinë për ekipin e Flamurtarit, ku luan dhe partneri i saj, Entonio Pashaj.

Ira, sa e lidhur jeni me sportin?

Personalisht sportin, saktësisht futbollin, fillova ta dua që nga momenti që njoha Entonion. Pra, ai është arsyeja përse jam edhe tifoze sot. Mund të na rrëfeni sesi jeni njohur? U njohëm në verën e vitit 2012, kur isha me pushime në Shqipëri. Ruajtëm kontaktet me njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës përmes rrjeteve të shumta të komunikimit. Pasi u njohëm më mirë gjatë bisedave virtuale, vendosëm që të takoheshim edhe drejtpërdrejt. Herë udhëtoja unë drejt Shqipërisë dhe, herë të tjera, vinte Entonio në Belgjikë kur ishte me pushime. Ndërsa këtë verë e kurorëzuam lidhjen në fejesë.

12207777_967354946664121_440354343_nE ndiqni në stadium kur luan?

Po, sa herë që jam në Shqipëri shkoj në stadium dhe e mbështes. Jo vetëm unë, por edhe familja ime e ndjekim me zell të madh çdo ndeshje. Është një emocion i veçantë që nuk mund të përshkruhet. Gjithçka që unë mendoj kur ai luan, është që të dalë i kënaqur nga performanca e tij.

Pra jeni tifoze e Flamurtarit?

Po, sepse së pari jam nga Vlora dhe, së dyti, daja im Përparim Lushaj ka luajtur me këtë ekip. Së treti, edhe i fejuari im kontribuon për këtë fanellë. Njëkohësisht jam edhe tifoze personale e Entonios, e mbështes, pavarësisht skuadrës që ai zgjedh të luajë, kudo.

Kampionatin belg e ndiqni?

Kur ka ndonjëherë ndeshje interesante i ndjek. Më pëlqen ekipi që drejton Besnik Hasi, Anderleht. E kam ndjekur edhe në stadium në Bruksel bashkë me Entonion.

Po Europianin do ta ndiqni?

Po, e kam ndjekur gjithmonë Botërorin dhe Europianin. Më parë kam mbështetur Belgjikën, por këtë herë jam tejet e lumtur që do të bëj tifo për ngjyrat kuqezi, Shqipërinë. Do të rezervoj dhe biletë për ta ndjekur në stadium në njërën nga ndeshjet që do të zhvillojë.

iraE keni vendosur datën e martesës?

Jo, akoma nuk kemi vendosur një datë. Kemi shumë plane përpara, por në një të ardhme të shpejtë do të vendosim.

Do të dëshironit që të martoheshit në fushën e blertë?

Po, pse jo, do të ishte një celebrim shumë i bukur, kreativ, që do të mbetej në kujtesë si një ndër momentet më të rëndësishëm dhe fantastikë të çdo çifti. E përfytyroj veten time shumë të lumtur përkrah njeriut tim të zemrës, në rrethin e njerëzve tanë të dashur…

Flet me ju Entonio për problemet në klub, që e prekin dhe atë?

Sigurisht, ne jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe përpiqemi që t’i qëndrojmë pranë në çdo rast. Ai është shumë i dhënë pas futbollit, është pasioni dhe profesioni i tij. Dëshiron dhe jep më të mirën e tij në fushë, pavarësisht problemeve që ka klubi. Ai ka gjithnjë vullnet për të bërë më të mirën e tij në çdo ndeshje. Unë gjithmonë mundohem  që t’i gjendem pranë në momentet e vështira që ai përjeton, sepse në futboll është fitorja dhe humbja.

Duket që jeni e dhënë pas fotos, keni marrë pjesë në konkurse bukurie?

Po, kam marrë pjesë në konkursin e “Miss Belgjika” në vitin 2009. Më pas konkurrova te “Miss Albania Benelux”, ku u vlerësova me çmimin “Miss Publiku”, më pas konkurrova te “Top Model Belgium” në kategorinë e fotomodeleve më të mira. Ndër këto vite kam marrë pjesë si fi gurante në 3 reklama televizive në Belgjikë. Më pas, m’u desh t’i braktisja konkurset e bukurisë për t’u dhënë prioritet studimeve dhe punës.

Intervistoi: Eva Marku

 

12208192_967355006664115_1404790320_n 12204970_967354936664122_683203772_n 12202417_967354839997465_856010030_n 12025419_967354963330786_1922405491_n12202274_967354999997449_2077658151_n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"