“Jemi të paprekshëm, Pep nuk do të marrë asnjë bavarez”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2016 | 12:01

“Jemi të paprekshëm, Pep nuk do të marrë asnjë bavarez”

Kur nuk u largua në vitin 2012, Arjen Roben nuk ka për t’u larguar kurrë me dëshirë nga Bajerni. Humbja e Champions-it 2012 dhe fërshëllimat e tifozëve ndaj tij, ishin dy momentet më të vështira të holandezit, i cili i përballoi me sukses dhe renditet ndër mesfushorët më të mirë dhe më të dashur nga bavarezët.roben

Gjatë një interviste për gazetën “Metro”, 32-vjeçari holandez ka mbajtur qëndrim për spekulimet ndaj tij, si dhe largimin e Pep Guardiolës te Mançester Siti. “Dua t’i shijoj në maksimum këto muaj që na kanë mbetur. Më erdhi shumë keq kur mësova se Guardiola vendosi të largohej.

Por, sqarimi i të ardhmes së tij ishte një gjë shumë e mirë. Me këtë vendim, ata u dhanë fund spekulimeve dhe zhurmave mediatike. Gjetën momentin e duhur dhe sinqerisht tani më duket sikur nuk ka ndodhur asgjë”, nënvizoi Roben duke shtuar më tej për sezonin:

“Ne kemi një qëllim të përbashkët: Duam ta mbyllim këtë sezon me sa më shumë trofe në dorë. Janë pikërisht këto qëllime që do ta bëjnë akoma më të bukur bashkëpunimin tonë. Me Guardiolën jam përmirësuar shumë.

Di të manovroj në shumë pozicione falë taktikave dhe leksioneve të tij. Shpresoj t’i japim tri dhuratat në fund”. Bavarezët “të paprekshëm” Teksa mediat përfolën edhe emrin e tij në listën e Mançester Sitit, holandezi i cilëson si “të paprekshëm” lojtarët e Bajernit.

“Guardiola nuk më është lutur aspak të vij te Mançester Siti dhe nuk do ta ndiqja edhe sikur të kishte ndodhur një gjë e tillë. Unë besoj se ai nuk ka për ta bërë një gjë të tillë me asnjë nga lojtarët e Bajernit. Kam përshtypjen se lojtarët e Bajernit shihen ‘të paprekshëm’ jo vetëm nga Siti, por nga çdo klub tjetër.

Ne ia dimë vlerën klubit tonë dhe e dimë që është një nga klubet më të mira dhe më të shëndetshme në Europë dhe botë. Sigurisht që nuk mund të flas në emër të të gjithë lojtarëve, por për veten jam shumë i kënaqur në Mynih. Bajerni di sesi t’i trajtojë lojtarët e tij. Pa dëshirën e klubit, kam përshtypjen se askush nuk mund të largohet”, përfundoi Roben.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"